Open Data Albania po hulumton mbi sasinë e mbetjeve të ngurta urbane dhe inerte duke marrë në analizë ecurinë e tyre në vitet 2003-2012 dhe ndarjen në nivel qarku. Aktualisht, në vendin tonë mbizotëron depozitimi i mbetjeve në sheshe (dump sites) të papërshtatshme për ruajtjen dhe trajtimin e tyre, ndërkohë që deri në 2011-n funksiononin vetëm dy landfille në gjithë vendin (Sharrë të Tiranës dhe Bushat të Shkodrës). Ndërkohë në rastin e komunave, vijon hedhja mbetjeve nëpër shpatet e lumenjve apo djegia në fusha të hapura, karakteristikë kjo jo në pak raste edhe për qytetet.


Burimi : Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Mbetjet e ngurta urbane janë rritur me ritme të shpejta deri në vitin 2010, ndërkohë që pas këtij viti, ecuria paraqitet më e ngadaltë, me rreth 0.83% në vitin 2011 dhe 5.4% në vitin 2012. Sipas shifrave, mbetjet urbane të ngurta në vitin 2012 janë rreth 1.1 milionë ton, apo 3 herë më shumë në 2003-shin.

Për mbetjet në nivel qarku, në vend të parë është Tirana, me 383 mijë ton, e ndjekur nga Durrësi, Fieri dhe Vlora. Interesant është fakti që në 2012-n shfaqen prirje të rënies së mbetjeve të ngurta urbane në qarqet Kukës (20.8%), Tiranë (7.5%), Korçë (4.7%), Fier (3.1%) dhe Berat (2.2%). Me rritjen më të lartë është qarku i Durrësit, me 47.6%, e më pas Elbasani (25.6%), Shkodra (25.3%), Lezha (22%) dhe Vlora (17%).

Burimi : Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Lidhur me mbetjet inerte, ecuria paraqitet më ndryshe. Pas vitit 2005, bie në sy një rënie graduale, e cila ndalon në 2010-n. Ky vit shënon rënien më të lartë të mbetjeve inerte, 28.3% krahasuar me 2009-n dhe gjithashtu nivelin më të ulët për gjithë periudhën. Situata e raportuar ndryshon në 2011-n, ku mbetjet inerte janë dyfishuar krahasuar me vitin 2010 dhe arrijnë pikun për gjithë vitet 2003-2012.

Qarku me mbetjet më të larta për 2011-n ishte Vlora, me 235.7 mijë ton, i ndjekur nga Tirana me 190.5 mijë ton dhe Berati me 92.7 mijë ton.


Burimi: Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në vitin 2012 situata ndryshon sërish. Mbetjet inerte janë sa gjysma e vitit 2011, duke arritur në 332 mijë ton. Megjithatë, edhe në vitin 2012, Vlora vazhdon të jetë qarku me nivelin më të lartë të mbeturinave inerte, me 178 mijë ton. Pas tij renditet Berati, me 5 herë më pak se Vlora (34 mijë ton) dhe Gjirokastra (21 mijë ton).


Burimi: Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA
 

Kontribuoi: Blerta Zilja