Open Data Albania po hulumton mbi tarifat e studimit për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në Universitetin e Tiranës. Ky universitet ka në përbërjen e tij gjashtë fakultete, siç janë Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Drejtësisë. Tarifat për ciklin e parë të studimeve i përkasin studentëve që regjistrohen në vitin e parë të studimit.

Të dhënat e marra janë të vitit akademik 2012 2013 dhe vitit akademik 2013 2014. Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë Nr.9741, datë 21.5.2007, tarifa e shkollimit për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve me kohë të plotë vendoset nga Këshilli i Ministrave, mbështetur në propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kjo e fundit merr edhe mendimin e Konferencës së Rektorëve dhe Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.

Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite europiane dhe kohëzgjatja e tyre është 3 vite akademike. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë, studenti pajiset me  diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer. Tarifat vjetore të studimit në nivelin e parë të studimeve me kohë të plotë variojnë sipas fakulteteve të UT.

Fakultetet me tarifat më të larta vjetore janë Fakulteti i Shkencave Sociale dhe i Drejtësisë. Për vitin aktual këto tarifa janë 35,883 lekë/vit. Më pas rënditet Fakulteti I Ekonomisë me 29,888 lekë/vit, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë me 23,915 lekë/vit dhe në fund rënditen Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Gjuhëve të Huaja me 17,241 lekë në vit. Krahasuar me vitin akademik të kaluar, këto tarifa kanë pësuar një rritje me 4%. (VKM Nr. 420, Datë 27/06/2012 dhe VKM Nr.565 Datë 27/06/2013)


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Studimet e ciklit të dytë janë të organizuara në programe të masterit profesional, të masterit të shkencave ose i arteve të bukura dhe programe të integruara. Këto të fundit janë specifike për Universitetin e Mjekësisë dhe atë Politeknik.

Programet e studimeve “Master profesional” realizohen me 60-90 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 1,5 (një vit e gjashtë muaj) vit akademik dhe në përfundim të këtyre programeve të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master profesional” në fushën e arsimimit e të trajnimit profesional të kryer. Fakultetet me tarifa më të larta për programin e masterit profesional janë Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Shkencave Sociale, kur për vitin akademik aktual, tarifa totale është 93,600 lekë. Përjashtim në degët e masterit të Fakultetit të Shkencave Sociale, bën masteri në Orientimin Profesional, ku tarifa për të është 74,880 lekë.

Më pas renditet Fakulteti i Shkencave të Natyrës me një tarifë prej 84,300 lekë. Në fund renditet Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë dhe ai i Drejtësisë ku tarifat janë 74,880 lekë. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja nuk ofron studime në master profesional. Krahasuar me vitin akademik të një viti më parë, tarifat janë rritur me 4%. Këto tarifa paguhen në fakultetet përkatëse të ndara në këste. ( VKM Nr.548 dhe 549 Datë 16/08/2012 dhe VKM Nr.744 Datë 05/09/2013)


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Programet e studimeve “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura” realizohen me 120 kredite  dhe kohëzgjatja normale e tyre është 2 vite akademike. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura” në fushën e arsimimit të kryer. Fakulteti me tarifat më të larta për programin e masterit shkencor është Fakulteti i Ekonomisë, ku kjo tarifë është 181,709 lekë për ciklin e plotë të masterit. Pas tij, vjen Fakulteti i Shkencave Sociale ku tarifa është 162,240 lekë. I treti rënditet Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku tarifa për 14 nga 16 degët e masterit që ai ofron është 149,261.
 
Përjashtim bëjnë dy degë të këtij fakulteti, siç janë matematika dhe fizika, ku masteri shkencor në këto dy profile ka një tarifë prej 110,323 lekë. Së fundmi rënditen Fakulteti i Drejtësisë, i Gjuhëve të Huaja dhe ai i Historisë dhe Filologjisë, ku tarifa është 129,792 lekë. Tek ky i fundit, bëjnë diferencë dy degë studimi, siç janë Trashëgimia Kulturore dhe Arkeologjia, ku tarifa në këto degë është 194,688 lekë. Krahasuar me vitin akademik të një viti më parë, tarifat sërish janë rritur me 4%. Këto tarifa paguhen në fakultetet përkatëse të ndara në këste.


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Për të përfunduar ciklin e plotë të studimeve të nivelit të parë, nëse një studenti do ti duhej të paguante sot, ai duhet të paguajë 107,649 lekë në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe të Drejtësisë, 89,664 lekë në Fakuletin e Ekonomisë, 71,745 lekë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe 53,790 lekë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe atë të Gjuhëve të Huaja. Nëse studimet e nivelit të parë, ndiqen nga studimet master profesional, Fakulteti i Shkencave Sociale rënditet i pari për koston më të lartë, prej  201249 lekë. Ndërsa nëse studimet e nivelit të parë, ndiqen nga studimet master shkencor, Fakulteti I Ekonomisë rënditet i pari për koston më të lartë, prej 271 373 lekë.


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Por, në Universitetin e Tiranës ofrohen dhe studimet me kohë të pjesshme. Këto studime ofrohen për ciklin e parë të studimeve dhe për ciklin e dytë vetëm në master profesional. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja është i vetmi që nuk ofron studime me kohë të pjesshme për asnjërin cikël studimesh. Për nivelin e parë të studimeve tarifat diferencohen përveçse në bazë të fakulteteve, por edhe mbi faktin nëse studenti po ndjek për herë të parë universitetin apo po bën një fakultet të dytë.

Për vitin e kaluar akademik tarifat më të larta për nivelin e pare të studimeve, si fakultet i parë, i kishte Fakulteti i Shkencave të Natyrës, me një tarifë 59,520 lekë/vit. Në të njëjtën kohë, ky fakultet kishte dhe tarifën më të ulët për këtë nivelin e parë të studimeve, por si fakultet i dytë, tarifë kjo prej 84,360 lekë/vit. (Urdhër I përbashkët Nr.474 Datë 08/10/2012)


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Vërsa i përket studimeve të nivelit të dytë, në master profesional, tarifat janë të unifikuara mes fakulteteve të Universitetit të Tiranës. Për vitin e shkuara akademik këto tarifa ishin 63,180 lekë, ndërsa në vitin aktual këto tarifa kanë pësuar një rritje me 10% duke shkuar në 74,880 lekë. (VKM Nr.646 Datë 19/09/2012 dhe VKM Nr.743 Datë 05/09/2013)


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kontribuoi: Ina Baja