Krime kundër drejtësisë janë ato vepra të kundërligjshme që prekin veprimtarinë e rregullt të gjykatës për realizimin e drejtësisë, si dhe të organeve që ndihmojnë në realizimin e saj. Open Data Albania ka realizuar një hulumtim lidhur me këto krime dhe të dënuarit për to, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë. Këto të dhëna shtrihen në harkun kohor 2004-2012.  

Në këtë grup krimesh shënohet edhe korrupsioni aktiv (dhënie e miteve) dhe pasiv (mitmarrje) me gjyqtar, prokuror apo funksionar të drejtësisë. Viti 2011 është viti në të cilin janë dënuar 6 persona si autor të korrupsionit në gjyqësor. Në vite të tjera për këto dy vepra penale që mund të konsiderohen korrupsion në drejtësi, kemi vetëm nga një rast në  vitet 2009 dhe 2011 dhe zero raste në vitet e tjera nën analizë. Po në nivele të ula qëndron edhe korrupsioni aktiv apo thënë ndryshe tendenca për të korruptuar dëshmitar, përkthyes dhe ekspert gjyqësor.

Vepra penale, pjesë e grupit të krimeve kundër drejtësisë, me numrin më
të madh  të të dënuarve duket të jetë ajo e moskallëzimit të krimit me
mesatarisht 97 persona të dënuar çdo vit. Ky krim i dënueshëm pasohet
nga ai i kallëzimit të rremë me rreth 51 persona të dënuar mesatarisht
çdo vit.


Burimi: Ministria e Drejtesise
Komentet dhe Analiza: ODA

Gjatë vitit 2012 në një rend zbritës sipas numrit të të dënuarve, veprat penale për krime kundër drejtësisë nisin me moskallëzimi i krimit, kallëzim i rremë, largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, përkrahje e autorit të krimit, etj.

Në total për krime kundër drejtësisë gjatë vitit 2012 janë dënuar 230 persona, pra rreth 1.4 herë më shumë se në vitin 2004. Largimi i të burgosurve nga vendi i qëndrimit është një nen që shprehet dukshëm si fenomen i arratisjes nga burgjet, dhe që është finalizuar në vitit 2012 me 23 persona të dënuar.


Burimi: Ministria e Drejtesise
Komentet dhe Analiza: ODA

Kontribuoi: Griselda Rruci