Në dy lajme me përmbajtje të njëjtë afërsisht, njëra zuri vend më shumë në edicionet e lajmeve. Njëri ishte mbi një të dhënë se pellgu Patos – Marinëz, mund të jetë një prej pellgjeve naftëmbajtëse më të pasura të Europës; ndërsa tjetri kishte të bënte më një shkrim të Nju-Jork Times, mbi Shqipërinë turistike, si vendi i katër për t`u vizituar. Janë dy lajme që kanë dhe anën tjetër të medaljes, pas një provokimi pozitiv në fazën e parë të marrjes, atë mbi realitetin përballë këtyre të dhënave. Nuk duhet të përbëjë më lajm se ç`pasuri ka nëntoka apo mbitoka shqiptare.
Lajm është se si ka mundësi që një popull e një kastë udhëheqëse të sillet kaq kriminalisht me këto pasuri. Ka vende me shumë më pak resurse të tilla, por që për shkak të kualitetit njerëzor, të virtytshëm e të aftë për menaxhim, e kanë begatuar tokën e jetën sikur aty të ishin mbledhur gjithë pasuritë e botës. Nëse do i referoheshim resursve që mban në barkun e saj toka shqiptare, jo e gjithë Shqipëria, por të paktën ca qytete do e bënin diferencën me të tjerat. Bulqiza përshembull, do ishte një qytet kristalor, me çfarë miliardash mban toka ku ajo gjallon, ndërsa aty has një lloj mjerimi afrikan.
Banorët e Patoz – Marinzës apo të zonave të tjera naftëmbajtëse, do bënin një jetë llamburitëse në një realitet mbitokësor krejt tjetër. Le të kalojmë tek bregdeti. Nuk është e çuditshme që impresionet pozitive të një shtetasi të huaj, siç ka qenë ai amerikani që ka shërbyer si refencë e burim infoje për artikullin e NYT, të shndërrohen në kriter vlerësimi, duke na befasuar me lajme për një parajsë të paparë këndej nga ne, por më saktë do ishte që referenca për turizmin shqiptar të ishte: udhëtoni drejt një vendin ku njeriu është në armiqësi me natyrën; ku prarimi i kësaj të fundit, është në një kërcënim të vazhdueshëm nga babëzia e njerëzve.
NYT përmend Butrintin, i ruajtur për ca koinçidenca pozitive, por nuk di tjetrën që  është ndër të vetmit sit arkeologjik të vizitueshëm krahas qindra e qindra monumenteve të tjera të trashëgimisë; se tre kala të degraduara të Ali Pashë Tepelenës në territorin shqiptar, ngjajnë si hale përballë një muzeu në Janinë kushtuar kësaj figure, që grekët e kanë qarë  më lot; ose faktin tjetër, që qytetet bregdetare shqiptare, janë të vetmet në mesdhe, në Jon e Adriatik, që nuk kanë paketa turistike në asnjë stinë tjetër përveç pranverës e verës, e në disa prej tyre as në këto dy stinë, por që thjesht gjatë stinës së nxehtë kthehen në habitate të plazheve masive;   përgjatë një bregdeti vërtet fantastik, nuk sheh as barka apo anije me vela e le më pastaj jahte. Sintagma “Rilindje”, mund të kishte si variant dublues dhe sintagmën “Jo traditës!” – jo më traditës së mbrapshtë të një dualiteti antagonist paradoskal në këtë vend, mes natyrës dhe njeriut.
Rreckamanë të kamur (një mision i suksesshëm për të varfëruar shqiptarët)
Shikoni me vëmendje tabelën që ndodhet më poshtë. Janë të dhëna zyrtare të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.  Në kollonën e dytë vertikale jepen të renditura sasitë e karburanteve që Shqipëria importon nga jashtë vendit që prej vitit 2008 e në vijim deri në Shtatorin e vitit 2013. Siç  tregon tabela shifra e parë e kolonës mbetet në mënyrë konstante 4. Kjo kolonë detajon se sasia e naftës që ne importojmë nga jashtë në këtë periudhë varion nga 480-430 mijë tonelata në vit. Pra në mënyrë konstante Shqipëria në këto vite ka pasur një mesatare të karburantit të importuar nga jashtë prej rreth 450 mijë ton çdo vit.

Tabela Import eksportet me RENDESi okokokok

Tani përqendrohuni në kolonën e tretë vertikale të tabelës. Aty paraqiten të dhënat për  sasitë e karburanteve që prodhohen në Shqipëri në të njëjtën periudhë kohore dhe që nxirren jashtë vendit. Shikoni me vëmendje vetëm shifrën e parë, për vitin 2008 ajo është 27, për vitin 2009 ajo bëhet 37, për vitin 2010 shifra rritet në 57, për vitin 2011 shifra bëhet 75, për vitin 2012 shifra shkon në 102.
E përmbledhur shkurt, kjo kolonë tregon se ndërsa në vitin 2008 ne eksportonim jashtë vendit vetëm 276 mijë e 850 tonelata karburant bruto, pas 6 vitesh ne eksportojmë jashtë vendit rreth 1 milionë tonelata. Rezultati i kolonës tregon se viti pas vitit sasitë që nxirren jashtë vendit janë rritur dhe janë rritur aq shumë sa janë katër-fishuar në vetëm 6 vite.
Nga krahasimi i dy  kolonave vertikale me njëra tjetrën mundet që lehtësisht të nxjerrim një konkluzion: Vit pas viti ne prodhojmë më shumë naftë bruto në Shqipëri por sasia e naftës që na duhet për përdorim të brendshëm dhe që ne e blejmë nga jashtë nuk ndryshon asnjëherë.
Prodhojmë më shumë naftë në Shqipëri, por naftë shqiptare nuk po shohim në tregun vendas.
Pra, nafta bruto e prodhuar me rritje galopante  sasie në Shqipëri ka zero efekt në tregun vendas.
Viti 2008 është tepër i rëndësishëm pasi studimi i “Open Data” tregon se është ky viti ku zë fill ky raport i shpërpjesëtuar mes importit nga jashtë dhe prodhimit vendas.
Por a ka ndodhur ndonjë veprim apo ndërhyrje domethënëse në vitin 2008, që do të justifikonte përkeqësimin në këtë gradë të raportit mes naftës së prodhuar në vend dhe naftës që blejmë nga jashtë? Përgjigja është PO, ka ndodhur.
Viti 2008 është një vit shumë i rëndësishëm në Shqipëri për sektorin dhe tregun e hidrokarbureve. Kompania e vetme që kishte ekskluzivitetin e përpunimit dhe rafinimit të naftës vendase, kompania ARMO u privatizua, atë e bleu Rezart Taçi.
Për një shtet që ka rezerva naftëmbajtëse dhe naftë që kërkon një përpunim të veçantë përpara se të hidhet në treg, industria rafinuese dhe përpunuese, nuk është thjesht e nevojshme, por është strategjike. Pasi u privatizua nga Rezart Taçi, rafinerisë iu vu dryni. U nxor totalisht jashtë funksioni. Tashmë rezultati është:
Naftën që na nevojitet ta përdorim për vete e blejmë jashtë shtetit çdo vit, naftën që nxjerrim në Shqipëri e kemi në sasi 4 herë më të mëdha se ajo që importojmë nga jashtë, ndërsa industrinë përpunuese e kemi asgjësuar. Duke qenë se e kemi asgjësuar këtë industri, nuk kemi asnjë shans që sasitë e bollshme të naftës që nxjerrim në vendin tonë t’i përdorim edhe për tregun e brendshëm, për shqiptarët, duke u mundësuar në këtë mënyrë dhe ulje drastike të çmimit të naftës që përdorim.
E shprehur me terma të thjeshtë, jemi para një situate idiote, jemi të kamur në burime natyrore të cilën e nxjerrim jashtë çdo vit dhe kemi asgjësuar të vetmen mundësi (industrinë rafinuese) që do na e kthente  këtë pasuri në mirëqenie duke preferuar të mbetemi “rreckamanë të kamur”.
Idiotësia thellohet dhe më tej kur mendon se naftën që e prodhojmë në vend, në pjesën dërrmuese e administrojnë me koncesion kompani private të cilat jo vetëm e nxjerrin jashtë por kontratat e koncesionit me shtetin tonë i kanë thuajse qesharake dhe taksat që paguajnë në Shqipëri janë minimale.
Nga ana tjetër kompanitë grosiste që importojnë naftën nga jashtë që prej vitit 2008 kanë rritur në mënyrë galoponte çmimin e naftës në tregun shqiptar kryesisht për shkak të abuzimeve dhe trukeve që ato përdorin në bashkëpunim me autoritetet shtetërore.
Nëse do i ngarkoje dikujt detyrën që ta shkatërronte industrinë e naftës në Shqipëri , jo vetëm duke  marrë pasuritë nëntokësore për dy aspra por dhe duke i detyruar të blejnë naftën e huaj me çmime stratosferike, me siguri që një skemë të tillë do ta kishte menduar të parën.
Situata duket idiote, por ata që e kanë projektuar dhe e kanë vënë në jetë nuk janë aspak të tillë. Kjo skemë “i rrjep” shqiptarët, por ama pasuron në mënyrë galopante ata që e kanë vënë në funksionim.
Viti 2008 flet qartë se asgjësimi i industrisë rafinuese ka ndodhur kur Berisha ishte kryeministër dhe kur biznesmeni që financonte shoqatën e gruas së tij, Rezart Taçi, privatizoi kompaninë ARMO. Përtej skandaleve dhe abuzimeve me tenderin e privatizimit, të dhënat dhe tabelat që na vijnë nga doganat flasin për diçka edhe më të rëndë: Berisha dhe Taçi asgjësuan industrinë rafinuese shqiptare dhe ndërtuan një skemë tregu që varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët dhe dobëson çdo ditë e më shumë shtetin shqiptar. Funksionon e gjitha si një skemë e pastër sabotazhi.
2005-2013 eksporti i naftës u rrit me 2880 për qind (!)

Nga “OpenData Albania


Qendra studimore shqiptare Open Data ka kryer një hulumtim mbi eksport-importet shqiptare të naftës. Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta që arrijnë deri në 400 milionë ton naftë. Sipas burimeve zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore, rreth 40 milionë tonë naftë janë ende të pashfrytëzuara. Patos- Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri. Kjo fushë prej 44 mijë hektarë është burimi më i madh natyror i naftës në të gjithë Evropën, me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçi naftë në vit. 
Si pasojë e rritjes së investimeve të huaja eksportet e naftës vendase janë rritur me ritme shumë të shpejta që prej vitit 2005. Eksportet e naftës shqiptare drejt tregjeve të huaja në fund të vitit 2012 arritën në 56.7 miliardë lekë, duke dominuar kështu totalin e eksporteve vendase. Në raport me një vit më parë, eksportet janë rritur 36%, ndërsa kundrejt vitit 2005 ato kanë regjistruar një rritje prej 2880%.
Shpërthimi i eksporteve

Import eksport me grafik

Të njëjtën ecuri pozitive kanë regjistruar edhe eksportet në sasi, duke shënuar 1 milionë ton në fund të vitit 2012. Në raport me një vit më parë ato janë rritur 36.3%. ndërsa kundrejt vitit 2005 rritja është 1193%. Edhe në 10-muajt e parë të vitit 2013, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ecuria e eksporteve të naftës ka vijuar të jetë pozitive duke u rritur në nivelet e një viti më parë. Në fund të tetorit 2013 eksportet kishin arritur në 1.6 milionë tonë. Eksportet e naftës shqiptare janë 2.4 herë më të larta se sasia e karburanteve që Shqipëria importon në vend për t’u përdorur në konsumin vendas. Në total, në fund të vitit 2012 janë importuar në Shqipëri rreth 430 mijë ton karburante. Sasia e importeve të karburanteve ka shënuar rënie në vitet e fundit si pasojë e krizës ekonomike dhe reduktimit të përdorimit të automjeteve nga konsumatorët. Rënia ka vijuar edhe në vitin 2013, duke u tkurrur në 359 mijë ton.

Industria vendase
Eksportet tabela

Përpjekjet për të përpunuar naftës vendase në cilësinë e duhur për ta hedhur në treg për konsum të brendshëm kanë dështuar, si pasojë edhe të një menaxhimi tepër të dobët të kompanisë publike ‘Albpetrol’, e cila ka nën administrim fushën e Patos-Marinzës.  Kompania eksportuese më e madhe e naftës në vend është Bankers Petroleum Albania, e cila shfrytëzon fushën e Patos-Marinzës. Nafta shqiptare për shkak të cilësisë së saj eksportohet dhe përpunohet si bitum në tregjet e huaj, që shërben për asfaltimin e rrugëve.  Pas viteve ’90, kompani të huaja kanë treguar interes të vazhdueshëm për të investuar në fushën e naftës në Shqipëri nëpërmjet marrëveshjeve koncesionare me qeverinë dhe kompaninë Albpetrol, e angazhuar në zhvillimin, prodhimin dhe tregtimin e naftës bruto dhe gazit.  Qeveria ka marrëveshje për eksplorimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit me kompani të tilla si:Islandrockall JV. dhe Australian Beach Petroleum Ltd, Capricorn Albania Ltd, një degë e kompanisë Cairn Energy company, Petromanas Albania Gmbh, Bankers Petroleum Albania dhe Sky Petroleum.  Marrëveshje të tjera janë nënshkruar për prodhimin dhe zhvillimin e fushave ekzistuese të naftës dhe gazit me Bankers, Stream Oil & Gas, Sherëood International Petroleum dhe IEC Visoka.