Autoriteti Kombëtar i Burimeve Natyrore në varësi të ministrisë së Ekonomisë, thotë se rreth 40 milionë tonë naftë janë ende të pashfrytëzuara. Sipas projektit “Open Data Albania” në 8 vjet, eksportet e naftës janë shumëfishuar duke mbërritur në fundin e 2013-ës në 1.6 milion ton.
Një projekt studimor në Shqipëri thotë se eksportet e naftës shqiptare zotëruan tregjet në periudhat e viteve 2005-2013.
Projekti “Open Data Albania” paraqiti sot online një material studimor me të dhënat e shifrave të importit dhe eksportit të naftës.
Shqipëria besohet të ketë sipas saj “rezerva relativisht të larta që arrijnë deri në 400 milion ton naftë” dhe “Patos-Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri”.
“Kjo fushë prej 44 mijë hektarë është burimi më i madh natyror i naftës në të gjithë Europën, me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçi naftë në vit”-raporton “Open Data Albania”.
Autoriteti Kombëtar i Burimeve Natyrore në varësi të ministrisë së Ekonomisë, thotë se rreth 40 milionë tonë naftë janë ende të pashfrytëzuara.
Eksportuesja më e madhe e naftës është kompania kanadeze “Bankers Petroleum Albania”, e cila shfrytëzon fushën e Patos-Marinzës.
“Nafta shqiptare për shkak të cilësisë së saj eksportohet dhe përpunohet si bitum në tregjet e huaj, që shërben për asfaltimin e rrugëve”-thotë i njejti studim.
Studimi tregon se eksportet e naftës shqiptare drejt tregjeve të huaja në fund të vitit 2012 arritën në 56.7 miliardë lekë, duke dominuar edhe totalin e eksporteve vendase.
Viti 2012 krahasuar me vitin 2005, sipas vlerës së publikuar në raport, shënon një rritje me 2880 për qind.
Gjithashtu dhe në 10 muajt e parë të vitit 2013, eksportet e naftës kanë shënuar rritje pozitive.
Ndërkohë, në fund të 2013 eksportet kishin arritur në 1.6 milion ton.
Duke iu referuar të njejtit studim, eksportet e naftës shqiptare janë 2.4 herë më të larta se sasia e karburanteve që Shqipëria importon për t’u përdorur në konsumin vendas.
Gjithsej në fundin e 2012-ës u importua në Shqipëri rreth 430 mijë ton karburante.
Mirëpo, sipas “Open Data Albania”-s, sasia e importeve të karburanteve ka shënuar rënie në vitet e fundit.
Kjo rënie ka shoqëruar të dhënat e vitit 2013 duke u tkurrur në 359 mijë ton.
“Përpjekjet për të përpunuar naftën vendase në cilësinë e duhur për ta hedhur në treg për konsum të brendshëm, kanë dështuar si pasojë edhe e një menaxhimi tepër të dobët të kompanisë publike “Albpetrol“  që ka nën administrim fushën e Patos-Marinzës”-vijon studimi.