Eurobondi i emetuar në vitin 2010 nga qeveria shqiptare tregtohet aktualisht në tregjet europiane me një yield apo normë interesi prej 4.67%. Sipas një analize të Open Data Albania, interesi për eurobondin shqiptar ka zbritur në nivelet më të ulëta që nga emetimi, kur u ble nga investitorët me një interes mesatar prej rreth 7.6%. Ulja e interesi vetvete është një zhvillim pozitiv sepse nënkupton një besim më të lartë nga investitorët te ky instrument.
Megjthatë, ekspertët vlerësojnë që ulja nuk ka ardhur për arsye të përmirësimit të kushteve të ekonomisë shqiptare, por për shkak të optimizmit të përgjithshëm në treg për borxhin qeveritar të periferisë së Eurozonës, pas ndërhyrjes së Bankës Qëndrore Europiane. Eurobondi shqiptar preku interesat më të larta në fund të vitit 2011, pikërisht në momentin e shpërthimit të krizës së borxheve sovrane në Eurozonë. Por, tejkalimi i krizës dhe shmangia e rrezikut të faliemtnit për disa nga ekonomitë e zonës euro solli në një qetësim të situatës dhe ulje graduale të interesave.
Kjo klimë më e favorshme ka përmirësuar performancën e Eurobondit shqiptar dhe aktualisht, qeveria shqiptare do kishte një kosto më të ulët rifinancimi borxhi, krahasuar me emetimin fillestar. Kjo tregon se performanca e titujve të borxhit shqiptar është përcaktuar kryesisht nga klima mbizotëruese në tregjet fiannciare dhe më pak nga zhvillimet e brendshme të ekonomisë. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria u përball me rënie të ritmeve të rritjes ekonomik edhe rivlerësim të nivelit total të borxhit, për shkak të zbardhjes së detyrimeve të papaguara ndaj sektorit privat.
Në fund të këtij procesi, borxhi i Shqipërisë vlerësohet në 72%, nga rreth 62% që vlerësohet deri në vjeshtën e vitit të kaluar. E megjithë rritjen e borxhit dhe uljen e vlerësimit të borxhit sovran nga njëra prej agjencive të specializuara, interesi i eurobondit shqiptar është në rënie dhe, potencialihst, emetimi i një eurobondi të ri sot do të kishte një çmim rreth 40% më të lirë krahasuar me vitin 2010.