Ka një orë e më shumë që zyrtarët e KEDS-it janë lajmëruar për rrëzimin e një shtylle e elektrike në rrugën “Hamëz Jashari”, pranë parkut të qytetit.

Shtylla elektrike ka një orë që ka mbetur pezull dhe është gati të rrëzohet për toke, dhe se po shkakton rrezik për shumë banorë të kësaj lagje.

Më të rrezikuar janë lokalet të cilat gjenden nën këtë shtyllë, e që telat kanë prekur kulmet e tyre.

Banorët, thonë për KosovaPress, se ata kanë lajmëruar zyrtarët e KEDS-it që më shumë se një orë, por këta të fundit as që kanë në planë të lajmërohen.

Portali Telegrafi, 13.06.2014

Nga Bardhi Sejdarasi

Situatë tejet e vështirë e kompanisë publike. Mungesë likuiditeti, borxhe në rritje, por edhe dhjetra miliardë lekë detyrime ndaj organeve fiskale.

Ministria e Financave duhet të ulë “këmbëkryq” ekspertët e saj me ata të kompanisë publike për të gjetur zgjidhjen emergjente. Shuarja me kompensim e detyrimeve, marrëdhëniet e nënhuazimit, garancia shtetërore, kredidhënia etj, janë njëra ana e medaljes. Ana tjetër, më e rëndësishme është çështja e detyrimeve të papaguara tatimore dhe”fshirja”, njëlloj si tek kompanitë private të biznesit, e gjobave dhe interesave ndaj detyrimeve të papaguara. Ingranazhet e këtij mekanizmi duhet të lëvizin shpejt, sa nuk është vonë…Tani të gjithë flasin për energjinë dhe dollarët që duhen për të, që nga Banka Botërore e deri te prodhuesit vendas të energjisë, ndaj të cilëve kompania publike është borxhliu më i madh

Në Prill të këtij viti, Qeveria Shqiptare mori vendimin nr 198 “Për përcaktimin e shumave të shuarjes me kompensim të detyrimeve ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore që financohen nga buxheti, KESH sha, CEZ Shpërndarje sha dhe Ministrisë së Financave”.

Vendimi, me pak fjalë, “fshinte” nga llogaritë e mësipërme rreth 4 miliardë e gjysëm lekë (të rinj), që ishin detyrime të ndërsjellta të institucioneve buxhetore ndaj CEZ, të CEZ ndaj KESH dhe të KESH ndaj Ministrisë së Financave (për huatë e marra). Në pamje të parë ky vlerësohet si një veprim rutinor kontabël për mbylljen e llogarive të pagueshme (kreditorët) apo të arkëtueshme (debitorët). Aq i rëndësishëm ishte vendimi i mësipërm, sa ai hyri në fuqi pas firmosjes së kryeministrit dhe pastaj u botua në Fletoren Zyrtare. Dhe kishte firmën e katër ministrave, Ahmetaj, Cani, Gjiknuri dhe Haxhinasto.

Kushti i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për …KESH sha!

Vendimi në fjalë vetëm sa pastroi llogaritë e kompanive të mësipërme. Qeveria, duke dashur të krijojë një klimë më të mirë për biznesin, qoftë privat, qoftë në pronësi publike, nuk rreshti së afruari incentiva. Të tilla morën bankat tregtare të nivelit të dytë: Ligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar”, ju vjen në ndihmë bankave në fshirjen e kredive me probleme. Një nen i vetëm i ligjit përcakton fshirjen e borxheve të bankave, përmirëson bilancet e subjekteve bankare dhe jo bankare të licensuara nga Banka e Shqipërisë.

Fjala është se për përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq, lidhur me procesin e kredidhënies, njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e afateve: 365 ditë pas depozitimit të kërkesës, për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme; 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/të paluajtshme.

Incentiva të tjera qeveria ofroi për të gjithë ato subjekte private: Të gjitha gjobat e marra nga 1 marsi i vitit 2013 deri në momentin e ardhjes së socialistëve në pushtet, u falën. Kuvendi miratoi me 75 vota pro ligjin për faljen e gjobave për bizneset. (Bëhet fjalë për gjobat e vendosura nga administrata tatimore për periudhën nga 1 marsi 2013 deri më 31 gusht 2013).

Incentiva të tjera nuk munguan dhe nuk po mungojnë. Qeveria ofroi objekte publike, ende të paprivatizuara, me 1 Euro kontrata për të gjitha subjektet e rregjimit të përpunimit aktiv, ndërkohë që edhe sektorë të tjerë të ekonomisë, si bujqësia, peshkimi, etj janë në planet afatshkurtra të qeverisë për t’u incentivuar. Pse po i përmendim këto?

Askush nga administratorët publikë, pothuajse në të gjitha nivelet e administrimit, nuk mund të thotë se nuk e di situatën e vështirë të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Ajo ka qënë dhe vazhdon të mbetet e vështirë për shumë shkaqe. Nuk po i përmend të gjitha, se janë shumë. Por përmend disa prej tyre:

E para, mungesa ekstreme e likuiditetit vjen nga moslikuidimi i energjisë së faturuar nga KESH sha për kompaninë amalgamë (shteti-administrator; pronësia private) të CEZ Shpërndarje.

E dyta, KESH sha vijon të importojë energji elektrike në një situatë të pafavorshme hidroenergjetike, sepse sipas modelit aktual të tregut të energjisë duhet të sigurojë energji elektrike për klientët tariforë.

KESH sha ble në në një bandë orare të ndryshme nga ajo e CEZ Shpërndarje, duke mos përfituar kosto më të lira, nëse do të kishte mundësi të blinte energji në orare jo-pik-u!

Kjo, sepse kjo kompani publike e ka të përcaktuar ligjërisht blerësin e saj dhe nuk mund të devijojë: pra duhet të blejë dhe të shesë atëherë kur e do “ustai” i madh që është CEZ-i. Dhe do të blejë me çmim që sigurisht – teorikisht- i bie të jetë më i lartë se sa çmimi i blerjes së CEZ Shpërndarje. Kjo e fundit ble në një profil bande të pakufizuar, nga ora 00:00 deri 24:00. Kushdo që e njeh tregun e di mirë se një “ofertë e tillë” është e mirëpritur bukur nga kompanitë vendase apo të huaja të prodhim/tregtimit të energjisë. Ato janë të gatshme të ofrojnë produktin në këtë bandë të gjerë orare, sepse e gjejnë kudo në tregun rajonal e më gjerë, si një produkt të pakushtëzuar. KESH sha nuk mund ta bëjë dot këtë, nuk është i lirë ta bëjë.

E treta, KESH sha rrezikon penalitete financiare për shkak të pamundësisë të shlyerjes së faturave apo detyrimeve kundrejt prodhues-furnizuesve me energji elektrike, që fillojnë nga HEC Ashta e deri tek prodhuesit e pavarur të energjisë (PPE) dhe prodhuesit e vegjël të energjisë (PVE). Nuk po përmend shifra borxhi, sepse do të ishte e tepërt dhe se ato gjenden në çdo tavolinë pune të autoriteteve publike.

E katërta: Për arsyet e mësipërme dhe të tjera, KESH sha ka qënë e detyruar në vite (dhe jo vetëm duke filluar nga shtatori 2013) të ketë një “histori” borxhliu të padëshirueshëm edhe nga organet tatimore. Detyrimet e papaguara shkojnë në disa dhjetra miliardë lekë të rinj. Dhe ky borxh nuk është krijuar vetëm e thjesht nga mospagesa e TVSH-së dhe tatim-fitimit. Sipas dokumenteve zyrtare jopublike, pjesa më e madhe e borxhit tatimor ka të bëjë me vlerësime, rivlerësime të bëra nga organet tatimore. Rreth 40 % e borxhit lidhet me gjobat dhe kamatvonesat e aplikuara nga organet tatimore.

KESH sha i ka pasur “duart e lidhura” edhe kur nuk ka qënë dakort me vlerësimet “nga zyra” të tatimorëve, edhe kur vlerësimet e tyre kanë qënë reale dhe të pranuara. Në rastin e parë nuk ka pasur mundësinë të apelojë sepse dispozitat për procedurat tatimore në RSH marrin në konsideratë ankimimin (apelimin) vetëm pas pagimit të principalit dhe në rastin e dytë nuk mund ta bëjë këtë në kushtet e paaftësisë të theksuar paguese, që e ka emrin “CEZ Shpërndarje”!

Çfarë duhet bërë për të “shpëtuar” kompaninë publike të prodhimit të energjisë?

Këtë në fakt e thonë ekspertët. Në kushtet aktuale ka shumë për të thënë, por e rëndësishme është që të lëvizet në zgjidhjen e dëshiruar, jo thjesht me liberalizimin e tregut, jo thjesht me ndryshimin e modelit të tregut (është emergjent), por duke filluar nga ajo që është e njohur dhe është realizuar sikundër ka qënë vendimi për shuarjen me kompensim të detyrimeve, ai i faljes së gjobave abuzive ndaj subjekteve private etj.

Ministria e Financave nuk duhet të presë dhe hezitojë për të kërkuar e mbështetur aktet e nevojshme ligjore e nënligjore për të miratuar shuarjen (faljen) e gjobave dhe interesave që janë disa miliardë lekë të rinj dhe më pas fillimin e procedurave administrative, rikontrollin tatimor për vlerësimit, rivlerësimet etj procedura të njohura të Kodit të procedurave Tatimore. Ky është hapi i parë për t’iu përgjigjur pyetjes së nëntitullit të shkrimit. Hapat e tjera duhet të jenë hapa të përbashkët për zgjidhje afatgjatë dhe dobiprurës. Nuk ka kohë për të pritur.

Ka edhe një tjetër rrugë…

Rruga e mësipërme, pra ajo e shuarjes së borxhit të kompanisë publike (fjala këtu është vetëm për kamatvonesat e gjobat dhe jo principalin), sigurisht që kërkon një bazë ligjore që të mos bjerë ndesh me Kushtetutën. Ministria e Financave, në kushtet në të cilat ndodhet kompania, i ka “duart e lidhura” dhe nuk duket se kërkon të krijojë precedentin, sepse më pas mund të jenë kompani të tjera publike që të kërkojnë të njëjtën gjë. Pikërisht këtu qëndron thelbi i analizës dhe i propozimit. Nuk gjykoj se ka ndonjë kompani tjetër publike, performanca ekonomike dhe financiare e të cilës të jetë “binjake” me KESH, sepse kompanitë e tjera kanë funksionuar në treg në mënyrë të lirë, jo të diktuara nga një model dhe jo me çmime të fiksuara, sikundër ka funksionuar koorporata elektroenergjetike. Kjo e bën më të lehtë vendimarrjen politike dhe profesionale të Ministrisë së Financave, por edhe argumentin që ajo mund të përdorë në raste kërkesash të ngjashme.

Zgjidhja më e mirë do të ishte sigurisht ajo që ofron pagimi i të gjitha detyrimeve në vite të borxhit të akumuluar dhe borxhit të ri që vijon të krijojë CEZ Shpërndarje- një “sport” ky mjaft i vështirë, po të shohësh se si po zhvillohet “ndeshja” mes kësaj kompanie çeke dhe Qeverisë Shqiptare.

Pavarësisht disa “llampave” të vogla inkandishente në fund të tunelit të gjatë të marrëdhënies me kompaninë e Pragës dhe ngulmimit për të gjetur një zgjidhje kompromisi, njoftimet mediatike bëjnë fjalë për një “ngërç” me vlerë miliarda dollarë, për të cilin do të duhet kohë të arrihet zgjidhja që po negociiohet agresivisht. Kjo do të thotë se kompania publike do të vijojë të “zhytet” në llumin e borxhit që i krijon të tjerëve nga borxhi që të tjerë i krijojnë asaj. Koston në fakt e paguajnë shqiptarët, të cilët tani nuk është se po paguajnë vetëm malin e borxheve të kompanisë publike ndaj të tretëve, por thjesht po paguajnë koston e kredive që KESH merr nga bankat komerciale apo institucionet donatore ndërkombëtare (me garant Qeverinë) për të plotësuar “gropën” financiare të CEZ Shpërndarje dhe mungesën e një zgjidhjeje të shpejtë të funksionimit normal të saj.

Mbetet që të shikohet me syrin e nënës dhe jo të njerkës pikërisht kompania publike, për të mos i sjellë shqiptarëve andrrallën e mungesës së energjisë elektrike, por edhe për të krijuar mundësinë, që, menjëherë pas ndryshimit të modelit aktual të tregut të energjisë (duket se është në tryezë për zgjidhje) të ketë mundësi të funksionojë si një kompani e mirëfilltë komerciale/tregtare që orientohet në treg me çmimet e tregut dhe konkurrencën reale të tregut. Dhe këtu nuk ështe fjala thjesht se po flasim për një kompani dhe performancën e njohur të saj: këtu flasim për ekonominë e publikun, për koston e produkteve dhe shërbimeve, për performancën e vetë ekonomisë që është e lidhur në mënyrë të pandashme me sektorin e energjisë dhe treguesit e saj.

Revista Java, 10.06.2014

Pas shpërthimit në termocentralin Kosova A dhe interesimit të shtuar të medieve lidhur me furnizimin me energji elektrike, KEDS njofton se ka negociuar dhe ka siguruar import të energjisë elektrike për të mbuluar mungesën e prodhimit me ndaljen nga puna të Termocentralit Kosova A dhe për momentin nuk ka reduktime të energjisë elektrike.

Sa i përket ditës së zgjedhjeve, ekipet e KEDS janë në gjendje të shtuar gatishmërie dhe do të punojnë 24 orë pandërprerë gjatë vikendit dhe të hënën për të siguruar energji elektrike dhe për të mbuluar nevojat e qytetareve dhe institucioneve në Republikën e Kosovës.

KEDS, përmes ekipeve në terren do të ketë në vëzhgim të gjitha qendrat e votimit për të qenë të gatshëm për parandalimin dhe eliminimin e menjëhershëm të ndonjë prishjeje teknike që mund të shkaktojë ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në këto qendra.

Një linjë e veçantë e komunikimit do të jetë në dispozicion për institucionet e ruajtjes së rendit dhe qetësisë dhe për palët e tjera, të përfshira në procesin zgjedhor në Kosovë. E gjithë kjo bëhet me qëllim që procesi i raportimit të problemeve të mundshme në rrjetin e furnizimit me energji elektrike të jetë më i shpejtë dhe efikas.

Luten të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të raportojnë problemet e ndryshme në rrjetin e shpërndarjes në numrat në vijim: 038 501 701 1000 dhe / ose 038 79 1000 [email protected] . Ju sigurojmë që të gjitha problemet tuaja t’i sanojmë në afatin sa më të shkurtër kohor, pasi që ekipet tona janë të pranishme me numër maksimal gjithandej Kosovës.

Besojmë që procesi zgjedhor do t’i përmbushë të gjitha vlerat demokratike të Republikës së Kosovës dhe urojmë proces të mbarë zgjedhor!

Përfundimisht, edhe njëherë dëshirojmë të theksojmë që jemi të prekur thellë me aksidentin që ndodhi në Termocentralin “Kosova A” dhe në këto momente të vështira bashkëndjejmë me familjarët dhe të gjithë punëtorët e KEK-ut. KEDS është i gatshëm të ofrojë ndihmë dhe përkrahje të të gjitha niveleve për KEK-un dhe ka mobilizuar të gjithë stafin dhe kapacitetet logjistike në shërbim të tejkalimit sa më shpejtë të situatës.

energjia.al 06.06.2014

Dy ditë pas konferencës së përbashkët me FMN, burime të Ministrisë së Financave sqarojnë për revistën “Monitor” se kush janë ccështjet e “nxehta” për të cilat qeveria shqiptare diskutoi gjatë me eskpertët e Fondit, deri në mbyllje të misionit me konferencën e realizuar në orët e mbrëmjes.

Pavarësisht se deklarata e FMN-së ishte me nota optimiste për përmbushjen e objektivave të vendosura për tu arritur përsa i takon kritereve të performancës në kuadër të kredisë prej 330 milionë eurosh, ajo ccfarë i shqetëson palët është “energjia elektrike”, fakt i përmendur publikisht në konferencë nga shefi i Financave, Shkqëlqim Cani.

Nisur nga natyra konservatore, FMN kërkon më shumë siguri për të përballuar kostot e faturës për shpenzime të energjisë elektrike në rast se vendi do të përballet me thatësirat. Edhe pse situata e ditëve të fundit me reshjet ka rikhyer optimizmin, FMN kërkon më tepër garanci që qeveria të ndante mënjëanë disa fonde, të cilat nuk do të përdoreshin deri në muajin tetor të këtij viti.

Në fakt, në muajin mars, qeveria kishte një skenar për të blerë deri në 200 milionë dollarë energji elektrike përmes importit, dhe nevoja për gjetjen e parave ishte kthyer në problemin kryesor, i diskutuar edhe në takimet e Uashingtonit me drejtues të FMN dhe BB (këta të fundit do të ndihmon qeverinë me kredi të butë).

Në kushtet kur situata hidrike është drejt përmirësimit, qeveria shqiptare mendon se “ngrirja e disa fondeve deri në shtator” nuk është rruga e duhur kur ekonomia ka nevojë për investime dhe likuiditete.

Diskutim tjetër lidhet me pagesat e detyrimeve të prapambetura, ku qeveria është angazhuar ta mbyllë procesin e likujdimit më shpejt nga sa kishte rënë dakord me FMN, me synim për t’i dhënë më shumë frymëmarrje ekonomisë. Janë gati 350 milionë dollarë fatura që qeveria kërkon ti paguajë brenda muajit qershor, kur tani ka paguar afro 150 milionë dollarë. Por auditimi nga BE-ja i këtij procesi, që pritet të ndodhë në qershor detyron qeverinë t’i ndërpresë pagesat, për t’i rifilluar pas verifikimeve.

Ekipi pritet të vijë në qershor dhe procesi i auditivit mund të zgjasë deri nga korriku, çka do të çonte në një pezullim të procesit të kthimit të detyrimeve për rreth dy muaj. “Ne kërkuam që procesit ecë paralelisht, pra dhe auditimi dhe kthimi i detyrimeve”, shtojnë burime të minsitrisë.

Në përfundim, financat kanë arritur që të kenë një marrëveshje fleksibël dhe të mos vendosin për ngrirjen e buxhetit deri në shtator, por do të shihet se çfarë do të bëhet gjatë vizitës së ardhshme të FMN-së në qershor.

Sakaq, sipas skenarëve të ministrisë, tremujorët në vijim pritet të jenë më pozitivë, për shkak të efektit që do japë kthimi i detyrimeve, që ka nisur në prill si dhe përshpejtimit të investimeve nga bizneset.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Ministri i Financave deklaroi se ekonomia po reagon pozitvisht.

Revista Monitor, 15.05.2014

Situata e furnizimit me energji elektrike në vendin tonë është vështirësuar dukshëm pas rënies nga prodhimi të bllokut B1 të Termocentralit “Kosova B”. Përkundër rritjes enorme të importit të energjisë, nga e marta një pjesë e madhe e vendbanimeve anembanë Kosovës janë përballur me reduktime të gjata të elegjisë elektrike.

Edmond Nulleshi, drejtor i Shërbimeve të Korporatës, ka thënë se Blloku B1 është nxjerrë nga sistemi për shkak të eliminimit të disa problemeve teknike. Sipas tij, të mërkurën, në orët e vona ai bllok sërish do të kthehet në punë. Megjithatë, Nulleshi ka theksuar se përkundër sfidave të ndërlidhura me jetëgjatësinë e stabilimenteve me të cilat operon, gjatë vitit 2013 KEK ka arritur rekord të prodhimit të energjisë elektrike që nga lëshimi i termocentraleve në punë.

Gazeta Zëri, 17.04.2014

Qytetarët e Kosovës këto ditë të ftohta po përballen me reduktime enorme të energjisë elektrike. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se kjo është papërgjegjësi e madhe e qeverisë dhe e KEK-ut, të cilat nuk kanë bërë asgjë për të siguruar furnizim të rregullt për qytetarë dhe biznese.

“Pas shtatë vitesh qeverisje të PDK-së, në fushën e energjisë vetëm emri i projektit ka ndryshuar nga ‘Kosova C’ në ‘Kosova e Re’. Premtimet për energji 24 orë shihet se kanë qenë mashtrim”, konstaton LDK.

Shumë komuna këto ditë janë përballur me reduktime të mëdha, duke mos marrë asnjë shpjegim nga KEK-u.

Në anën tjetër sipas LDK-së qytetarët dhe bizneset paguajnë fatura shumë të larta si rezultat i keqqeverisjes së PDK-së dhe menaxhimit të keq nga KEK-u.

Tash e sa vite, humbjet e energjisë në rrjet nuk janë zvogëluar dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja ka ngecur.

LDK po ashtu vlerëson se protestat qytetare vitin që shkoi nuk mjaftuan për tu vetëdijesuar personat përgjegjës.

“Qeveria, KEK-u dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ndërmorën masa edhe pse u formua Komision Hetimor Parlamentar për Faturat e Energjisë Elektrike, i iniciuar nga LDK-ja, dhe u nxor raport me rekomandime konkrete. Shumë qytetarë sot nuk e dinë si llogaritet çmimi i energjisë, si rezultat i komplikimit nga tarifat e trefishta.”

LDK-ja i mban përgjegjës të gjithë personat në zinxhirin menaxherial, nga menaxhmenti i KEK-ut e deri tek qeveria për përkeqësimin e situatës. LDK-ja fton që urgjentisht të ndërmerren masa për të përmirësuar furnizimin me energji. LDK-ja fton që të aplikohen urgjentisht masat e propozuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar për Faturat e Energjisë.

Agjensia e lajmeve ekonomia, 16.04.2014

Gati gjysmë miliard euro i ka shpenzuar Kosova nga viti 2000 e deri në vitin 2013-të vetëm për import të energjisë elektrike.

Në raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të cilin ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri” thuhet se sasia e importuar prej vitit 2000-2013 ka qenë 8,258 gigavat orë energji elektrike, me çmim mesatar prej 58.62 euro për megavat orë, që do të thotë se deri tani janë shpenzuar 484,101,324 euro për import të energjisë elektrike. Ndërsa sasia e eksportit nga viti 2005-2013 është 3,845 Gwh me çmim mesatar prej 32.93 €/Mwh, në vlerë monetare 126,632,211€.

Edhe çmimet kanë pasur ndryshime të dukshme gjatë viteve. Çmimi rekord i importit ka qenë në vitin 2008 kur mesatarja e çmimit të importit ishte 112.5 €/Mwh e që shihet edhe në diagramin e mposhtëm.

Çmimi i eksportit është dukshëm më i ulët që nënkupton se energjia e eksportuar ka qenë kryesisht në tarifën e ulët (gjatë natës), kur në sistem ka teprica, por në këtë shtohen edhe tarifat për shfrytëzimin e rrjetit (pagesa për alokimin e kapaciteteve).

Gazeta Zëri, 09.04.2014

Open Data ka hulumtuar mbi ecurinë e konsumit dhe humbjet e energjisë elektrike gjatë periudhës 2000-2013. Energjia e konsumuar është sasia që kanë konsumuar konsumatorët familjarë dhe të biznesit. Në fund të vitit 2013 konsumi i energjisë arriti në 4.5 milionë MWH duke u rritur kundrejt një viti më parë me 4%. Konsumi i energjisë elektrike ka ardhur vazhdimisht në rritje duke mbetur në nivele të larta duke zënë mbi 65% të totalit të energjisë së prodhuar.

Shqipëria mbetet ende një vend shumë i varur nga konsumi i energjisë elektrike për qëllime të ndryshme. Familjet e përdorin atë thuajse për të gjitha shërbimet brenda në shtëpi ndërkohë që përdorimi i burimeve alternative të energjisë mbetet i limituar.

Por shifrat pozitive të prodhimit të energjisë dhe rritjes së konsumit nga ana tjetër nuk ka frenuar humbjet e energjisë elektrike në rrjet. Në fund të vitit 2013 niveli i humbjeve elektrike arriti sasinë më të madhe të 13 viteve të fundit, duke shënuar 3.3 milionë MWh. Kundrejt një viti më parë humbjet janë rritur 1.7%.

Humbjet e energjisë në rrjet është energjia e pafaturuar që konsumohet nga konsumatorët familjarë apo biznesi, e cila gjenerohet nga sistemi vendas i energjisë, për të cilën nuk arkëtohet asnjë e ardhur. Pjesa më e madhe e saj përvetësohet, ndërkohë që një pjesë tjetër humbet gjatë transmetimit dhe shpërndarjes për shkak të infrastrukturës së amortizuar të rrjetit.

Raporti humbje me konsum është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit duke shënuar 72.6% në fund të vitit 2013. Ky tregues konfirmon rritjen e shpejtë të vjedhjes së energjisë gjatë 2012-2013 duke shënuar edhe nivelin më të lartë që prej vitit 2000.

Open Data Albania ka hulumtuar mbi ecurinë e prodhimit të energjisë elektrike, importin dhe eksportin e saj gjatë trembëdhjetë viteve të fundit, 2000-2013. Në vitin 2013 prodhimi i energjisë elektrike arriti në rreth 7 milionë MWH duke shënuar edhe vlerën më të lartë të tre viteve të fundit. Prodhimi u rrit 47% kundrejt vitit të mëparshëm, që konfirmon edhe ecurinë pozitive të këtij sektori në vend.

Energjia është prodhuar 100% nga hidrocentralet e mëdhenj dhe të vegjël, ndërkohë që prodhimi nga termocentralet është mbyllur që prej vitit 2008, me mbylljen e TEC-it të Fierit dhe dështimit për të vënë në punë TEC-in e Vlorës.

Rritja e prodhimit të energjisë nga hidrocentralet vjen si pasojë e shtimit të shpejtë të operatorëve privatë që kanë në koncesion HEC-e të vogla në zona të ndryshme të vendit. Energjia, një nga sektorët më potencialë të ekonomisë kombëtare, ka tërhequr me qindra milionë euro investime në ndërtimin e hidrocentraleve në vend, nga investitorë të brendshëm dhe të huaj.

Rritja e prodhimit të energjisë ka çuar drejt rënies importet. Importet u reduktuan 28% kundrejt vitit të mëparshëm duke zbritur në 2.3 milionë MWH në fund të vitit 2013. Kjo është edhe vlera më e ulët që prej vitit 2010.

Eksportet nga ana tjetër kulmuan gjatë vitit 2013 në 1.4 milionë MWh, thuajse pesë fishim kundrejt vitit 2012. Duket qartë që prodhuesit vendas kanë tregtuar një pjesë të mirë të energjisë së gjeneruar jashtë, kryesisht në Rajon si Kosovë e Greqi. Energjia elektrike konsiderohet sot si një nga produktet më potenciale për eksportet shqiptare drejt tregjeve të huaja.

Por me gjithë rritjen e eksporteve, bilanci tregtar si diferencë shitje e blerje e energjisë elektrike ka vijuar të mbetet negativ. Ndonëse 3.8 herë më i ulët se në vitit 2012. Në fund të 2013-ës bilanci i energjisë elektrike shënoi rreth -900 mijë MWh, vlera më e ulët që prej vitit 2006.

Korça përfshihet gati tërësisht në terr, pasi hajdutët e skrapit nuk kursejnë as ndriçimin publik. Po kthehet në një fenomen me përmasa të mëdha prej disa kohësh ai i vjedhjes së kabllove të ndriçimit publik të qytetit juglindor, ndërsa në asnjë rast nuk kemi kapje të autorëve të këtyre vjedhjeve. Por ata që e pësojnë janë banorët e këtij qyteti, të cilët gjatë orëve të natës kanë frikë të lëvizin në rrugët dhe sheshet ku ndriçimi mungon, duke e patur jetën e tyre në këto kushte edhe më të vështirë. Rasti i vjedhjes së radhës është shënuar gjatë natës së kaluar, bëjnë të ditura burime të policisë lokale për gazetën. Vjedhja për herë të dytë e ndriçimit publik për skrap, e ka zhytur Korçën sërish në errësirë të plotë. Vetëm një ditë më parë është konstatuar vjedhja e plot 1 110 metër kabllo elektrik, ndërsa shumë lagje janë zhytur në errësirë të plotë. Sipas drejtuesve të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike pranë bashkisë Korçë, kjo është një vjedhje e përsëritur, pas asaj të disa kohëve më parë ku u vodhën 3 150 metër kabllo elektrik dhe nga organet kompetente nuk ka ende një autor. Nisur nga kjo situatë e pazakontë, bashkia e qytetit ka bërë denoncimin në prokurorinë dhe policinë e Korçës, ndërsa u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë të kapin autorët e këtyre vjedhjeve që shoqërohen me probleme serioze për qytetarët. “Prej disa kohësh qyteti i Korçës është përfshirë nga vala e vjedhjeve për skrap, ndaj organet e drejtësisë duhet të veprojnë për të kapur autorët. Jemi duke bërë herë të dytë denoncim në prokurori e polici për vjedhjet që kanë mjaft kosto për ne si institucion dhe për qytetarët e Korçës para së gjithash”,- kanë pohuar për gazetën burimet pranë institucionit të bashkisë. Vlera në total e dëmit të shkaktuar nga vjedhja së kabllit kap shifrën e 15 milionë lekëve të vjetra dhe vështirësitë financiare nuk favorizojnë zëvendësimin e tyre, gjë që e çon në një kolaps të plotë situatën. Gjendja është edhe më e vështire pasi vijon të jetë e prekshme në periferi të qytetit, ku unaza veriore dhe jugore prej më shumë se 6 muajsh janë pa energji elektrike. Si pasojë kjo unazë është bërë burim aksidentesh të shumta për drejtuesit e automjeteve, por dhe hapësirë për vjedhësit, që kanë marë përmasa gjatë kësja kohe jo vetëm me vjedhjen e skrapit por dhe të banesave, qytetarëve etj,.