Personeli i Bankës së Shqipërisë kushton më shumë se gjithë sistemi gjyqësor në vend. Kjo konfirmohet nga buxheti dhe numri i punonjësve në institucionet përkatëse. Në vitin 2003, në Bankën e Shqipërisë punonin 304 persona. Në vitin 2013, janë 200 punonjës më shumë e në total raportohen 504 punonjës. 

Në një vit, Banka e Shqipërisë shpenzon për personelin 1 116 000 000 lekë. Të gjitha gjykatat e faktit në vend (23 të tilla), në total për paga dhe çdo lloj zëri tjetër buxhetor kanë shpenzuar në vitin 2013 më pak se Banka e Shqipërisë për personel. Konkretisht, të 23 gjykatat përfshi këtu edhe Krimet e Rënda, kanë buxhet faktik total për 2013 vetëm 890 milionë lekë. Pra dhënia drejtësi kundër krimit të organizuar, ordiner apo drejtësia civile në vend kushtojnë në një vit sa 87.8% e kostos për të mbajtur burokratët e Bankës Qendrore. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është kritikuar mjaft kohët e fundit për shpenzime luksi në favor të personelit të institucionit që ai drejton. Megjithatë, ai vazhdon me shpenzimet marramendëse.   
Buxheti për drejtësinë 
Open Data Albania ka hulumtuar lidhur me Buxhetin Faktik të shpenzuar për Institucionet që rregullojnë apo janë pjesë e Sistemit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Sistemi gjyqësor në ushtrohet nga Gjykatat e Shkallës së Parë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Në vitin 2013 Gjykatat e Faktit u shpërbënë në Gjykata të Rretheve dhe Gjykata Administrative të Shkallës së Parë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë si institucioni që organizon e kontrollon funksionimin e sistemit gjyqësor dhe atë të Shkallës së Parë dhe të Apelit ka pasur një buxhet faktik prej 53,617,224 lekë në vitin 2012 dhe 56,236,239 lekë në vitin pasardhës. 

Gjykata Kushtetuese e cila garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj ka pasur një buxhet më të lartë se KLD, përkatësisht 85,513,212 dhe 80,233,632 lekë në vitet 2012 dhe 2013. Gjykata e Lartë ka shënuar një buxhet prej 135,422,071 lekë dhe 152,902,826 lekë në vitet 2012 dhe 2013. Në total në vitin 2013 këto institucione të sistemit të drejtësisë kanë shpenzuar 1.65 miliardë lekë. Gjykatat e Apelit në total kanë shënuar një buxhet prej rreth 238 milionë lekësh në vitin 2013. Për Gjykatat e Rretheve shteti shqiptar ka shpenzuar gjithsej 937 milionë lekë në vitin 2012 dhe 980 milionë të tjera një vit më vonë. Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë kanë funksionuar si të tilla vetëm vitin e fundit. Në total këto gjykata kanë pasur një buxhet prej 14 milionë lekë.  
Shpenzimet në Bankën e Shqipërisë   
Open Data Albania ka hulumtuar edhe mbi numrin e punonjësve dhe shpenzimet për personelin e Bankës së Shqipërisë në vitet 2000-2013. Shpenzimet e personelit përfshijnë pagat e personelit, kontributet për sigurimet shoqërore, kontributet për planin e pensionit dhe shpenzime të tjera. Numri i punonjësve të Bankës së Shqipërisë ka patur ndryshime përgjatë viteve. Në vitin 2000 në këtë bankë punonin 334 punonjës, me një rritje prej 23% krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2002 pati një ulje të numrit të punonjësve në 245. Pas këtij viti dhe deri në 2005 kemi patur një rritje të numrit të punonjësve të Bankës së Shqipërisë. Numri i punonjësve të Bankës së Shqipërisë për vitin 2013 të ishte 504. 
Në vitin 2013 shpenzimet për personelin kanë ardhur në rritje të vazhdueshme, pavarësisht uljeve dhe ngritjeve të numrit të punonjësve. Shpenzimet e personelit për vitin 2013 ishin 1.12 miliardë lekë. Duke marrë shpenzimet e personelit të Bankës së Shqipërisë dhe numrin e punonjësve të saj Open Data Albania llogaritur një tregues të shpenzimeve mesatare vjetore për të punësuar të Bankës së Shqipërisë. Ky tregues në vitin 2000 ishte 538 922 lekë/vit ose 44 910 lekë/muaj, duke vazhduar rritjen deri në vitin 2005. Duke filluar nga viti 2006 e deri në vitin 2009 ky raport ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2010 pati një ulje me 1.5% këtij raporti, për të vazhduar me rritje të mëpasshme nga viti 2011 e deri në vitin që lamë pas. Në vitin 2013 ky raport ishte 2 214 286 lekë/vit ose 184 524 lekë/muaj mesatarisht për të punësuar.