Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, duket se që sa ka vënë këmbë në këtë institucion të rëndësishëm të financave, s’ka bërë gjë tjetër veçse e ka degraduar atë, nëpërmjet makinacioneve dhe vendimeve të dyshimta të miratuara dhe nga Këshilli Mbikqyrës, apo grabitjet e gjithëfarëllojshme e në shifra skandaloze, për llogari të tija personale, por dhe të forcës politike që i dha një mandat në dytë në 2011.

Duke i shërbyer me besnikëri pushtetit që e emëroi në krye të këtij institucioni, Fullani, i ndihmuar dhe nga Këshilli Mbikqyrës i ka lejuar vetes të fusë duart në depozitat e BSH në bankat e huaja apo në arin dhe materialet e tjera të çmuara, pasuri e bankës e mbajtur brenda apo jashtë vendit. Sipas ekspertëve, për të prekur këto pasuri të bankës së shtetit, një vend duhet të ketë arsye madhore siç mund të jenë emergjencat kombëtare, apo kriza e thellë ekonomike që prek një vend. Edhe pse Fullani nuk ka pasur asnjë prej këtyre 2 shkaqeve, kjo nuk e ka penguar që vetëm për zgjedhjet e vitit 2013, ai të tërheqë mbi 6 miliardë lekë, nga ari i mbajtur jashtë vendit 3.7 miliardë lekë ose 34% të tij dhe nga ari e metalet e tjera të çmuara në vend afro 1.8 miliardë lekë. lëvizjet e parasë dhe ekuivalentëve të saj nga viti 2017-2013 tregojnë mënyrën skandaloze të menaxhimit të kësaj pasurie të të gjithë shqiptarëve, lënë në dorën e Ardian Fullanit.   

Në 5 vite u tërhoqën 65% e depozitave në bankat e huaja   

Open Data Albania po përditëson të dhënat lidhur me paranë dhe ekuivalentet e saj për vitin 2013. Ekuivalente të parasë konsiderohen llogaritë rrjedhëse dhe depozitat me afat maturimi më të shkurtër se tre muaj, si dhe ari dhe metalet e tjera të çmuar të mbajtur brenda dhe jashtë vendit. Të dhënat lidhur me paranë dhe ekuivalentet e saj janë marrë nga Banka e Shqipërisë si institucioni kryesor emetues i monedhës tonë kombëtare. Gjatë vitit 2013 shteti shqiptar ka pasur një vlerë prej 21.66 miliardë lekë depozita në banka të huaja. Këto depozita nuk janë gjë tjetër veçse para që si pasojë e mos gjetjes së një terreni të përshtatshëm për t’i investuar në vend janë depozituar në bankat jashtë vendit. Në këtë vit depozitat në bankat e huaja përbëheshin 61.5% nga llogari rrjedhëse, 38.4% nga depozita afatshkurtra, 0.1% nga kontrata të së ardhmes dhe shumë pak interes i përllogaritur. Depozitat afatshkurtra dhe llogaritë rrjedhëse në bankat e huaja kanë norma interesi që bazohen në monedhën e depozitës apo llogarisë rrjedhëse. Kontratat e ardhshme janë kontrata standarde për blerjen ose shitjen në një datë të ardhshme të një aktivi financiar ose jofinanciar, me një çmim specifik të paracaktuar. Më 31 dhjetor 2013, vlerësimi neto për këto kontrata ishte 31 milionë lekë. Tek interes i përllogaritur përfshihen të ardhura të përllogaritura për letra me vlerë të dhëna hua, në një vlerë të përafërt prej dy milionë Lekë. Në vitin 2007 paratë e depozituara nga shteti shqiptar në vendet e tjera kanë qenë në vlerën e 40. 84 miliardë lekë. Pra një vlerë rreth dy herë më e lartë se ajo e vitit 2013.

Megjithatë konstatohet që vlera më e lartë e depozitave në bankat e huaja është arritur në vitin 2008 dhe paratë e depozituara arrinin vlerën e 58.8 miliardë lekë. Sa i takon arit të depozituar nga shteti shqiptar në banka jashtë vendit, për vitin 2013 kjo sasi përbën vlerën ekuivalente me 8,474,000,000 lek. Në këtë kategori përfshihet gjendja e arit jomonetar, platinit dhe argjendit të vlerësuara me kursin e këmbimit fiks të Londrës në datën e raportimit. Interesante është edhe mënyra se si Banka e Shqipërisë ka rritur vlerën e likuiditeteve në monedhë të huaj. Konkretisht në vitit 2007 kjo vlerë ishte vetëm katër milion lekë, për të shënuar vlerën e 1.06 miliardë lekë në vitin pasardhës. Në vitin 2013 likuiditetet në monedhë të huaj kanë shënuar përkatësisht 40 milionë lekë. 
 
Ligji për Bankën e Shqipërisë   

NENI

43 Këshilli Mbikëqyrës ka këto kompetenca:
 
a) Të miratojë politikën monetare të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar kufijtë e operacioneve të Bankës së Shqipërisë në treg të hapur, përqindjen e interesave për depozitat në Bankën e Shqipërisë dhe për skontimet dhe huatë ose kreditë e Bankës së Shqipërisë, si dhe të rezervave dhe nivelit të rezervave të detyrueshme që bankat e nivelit të dytë duhet të mbajnë në Bankën e Shqipërisë;

b) të vendosë mbi regjimin dhe politikën e këmbimeve valutore të Republikës së Shqipërisë, si dhe të miratojë procedurat që përdoren për përcaktimin e vlerës së lekut në raport me valutat e huaja; c) të miratojë të gjitha vendimet, rregulloret dhe udhëzimet me zbatim të përgjithshëm, që nxirren nga Banka e Shqipërisë;

ç) të miratojë të gjitha raportet dhe rekomandimet që Banka e Shqipërisë i paraqet Kuvendit Popullor ose Këshillit të Ministrave;

d) të përcaktojë vlerën nominale, prerjet dhe konfigurimin e kartëmonedhave dhe monedhave, si dhe kushtet e tërheqjes nga qarkullimi; dh) të miratojë kreditë ose huatë e Bankës së Shqipërisë për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë;

 e) të miratojë dhe revokojë dhënien e miratimeve paraprake dhe të licencave për ushtrimin e veprimtarisë bankare. ë) të miratojë skontimin e instrumenteve me maturitet mbi tre muaj nga data e blerjes nga Banka e Shqipërisë, në zbatim të nenit 32; me pëlqimin e të paktën tre të pestave të anëtarëve të pranishëm të miratojë çdo kredi, hua apo detyrim tjetër të kushtëzuar të Bankës së Shqipërisë për një bankë në zbatim të nenit 16;

f) të miratojë statutin dhe rregulloret e brendshme të Bankës së Shqipërisë;

g) të vendosë mbi politikat e administrimit në përgjithësi, si dhe të përcaktojë mënyrat ose procedurat e përdorimit të mjeteve financiare për realizimin e veprimtarisë operative të Bankës së Shqipërisë; gj) të përcaktojë strukturën organizative të Bankës së Shqipërisë;

h) të miratojë emërimet e drejtuesve të departamenteve në Bankën e Shqipërisë, të përcaktojë në përgjithësi kushtet e marrëdhënieve të punësimit në Bankën e Shqipërisë të agjentëve dhe korrespondentëve të Bankës së Shqipërisë;

i) të vendosë për hapjen dhe mbylljen e filialeve, degëve ose agjencive të Bankës së Shqipërisë;

j) të vendosë mbi buxhetin e Bankës së Shqipërisë;

k) të propozojë rritje të kapitalit të Bankës së Shqipërisë dhe të vendosë mbi fondin e veçantë rezervë të Bankës së Shqipërisë, të vendosë mbi të ardhurat neto të Bankës së Shqipërisë, si dhe mbi masën e të ardhurave neto që do të transferohet në rezervë;

 l) të miratojë raportet vjetore dhe raportet financiare të Bankës së Shqipërisë; ll) të përcaktojë letrat me vlerë të borxhit që do të trajtohen si instrumente të përshtatshme për investime nga Banka e Shqipërisë; m) të vendosë mbi politikat dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore.  

Banka, 3 vjet pa bërë kontroll të Thesarit  

Prokuroria e Tiranës ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme me sekuestrimin e dokumentacionit në Departamentin e Emisionit në Linzë, në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen për të zbuluar mekanizmin, se si u vodhën 713 milionë lekë në degën e Thesarit, dhe për të konfirmuar nëse e gjithë kjo shumë është nxjerrë jashtë departamentit, duke u fshehur në trup nga Ardian Bitraj, apo edhe persona të tjerë.

Burimet thanë se ndërsa rezulton e provuar se në këtë departament mungonte infrastruktura për mirëfunksionimin e Arkave Tranzit dhe në Veprim, pas kqyrjeve dhe administrimit të dokumentacionit, rezulton gjithashtu se që prej vitit 2011 në degën e Thesarit nuk është bërë asnjë audit. Mungesa e këtij auditi, sipas Prokurorisë, bie në kundërshtim me ligjin që përcakton se auditi i brendshëm duhet të zhvillohet një herë në vit. Për Prokurorinë, mungesa trevjeçare e auditit të brendshëm përfshin në skandal edhe persona të tjerë të dyshuar, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkaqe hetimore. Më herët, Prokuroria tha se edhe nga kqyrja e Arkës në Veprim rezulton se në këto ambiente nuk u gjet një kasafortë apo objekt, ku duhet të vendoseshin çelësat e Arkës Tranzit dhe Stok, çelësa që nga pamjet filmike të kamerave posedoheshin që të tre nga Bitraj.