Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me Kreditë e Korporatave të tjera Depozituese (KTD) në Kosovë në vitet 2007-2013. Në vitin 2013 kreditë në total për bizneset në Kosovë shënojnë vlerën e 1.2 miliard eurove, ndërkohë që në të njëjtin vit në Republikën e Shqipërisë këto kredi shënonin vlerën e 2.8 miliard eurove.
Gjatë viteve 2007-2013 kreditë e KTD-ve në Kosovë kanë ardhur duke u rritur. Vlerën më të madhe ndër kreditë e korporatave të tjera depozituese sipas aktivitetit ekonomik e shënojnë ato të sektorit të shërbimeve.
Në vitin 2013 kreditë lëshuar bizneseve që ofrojnë shërbime përbënte 72 për qind të kredive për aktivitet biznesi në total. Në harkun kohor 2007-2013 kreditë për sektorin e bujqësisë janë rritur me 58 për qind, ato për sektorin e industrisë, energjetikës dhe ndërtimtarisë janë rritur me 102 për qind dhe kreditë për sektorin e shërbimeve janë rritur me 70 për qind. Rritjen më të ulët ndër tre sektorët kryesor duket ta ketë pësuar bujqësia.
Kjo si pasojë edhe e subvencioneve të Qeverisë për nxitjen e aktivitetit bujqësor në Kosovë, si dhe skemës së garantimit të kredive bujqësore të mbështetur nga USAID. Kreditimin më të lartë në sektorin e industrisë, energjetikes dhe ndërtimtarisë e shënon prodhimi, i cili në vitin 2013 përbënte 45 për qind të totalit të kredive lëshuar për këtë sektor.
Në vitin 2013 nga 291 milionë euro kredi lëshuar për gjithë sektorin, 132 milionë euro i përkisnin prodhimit, 119 milionë euro ndërtimit, 21 milionë euro energjetikës, gazit etj dhe 20 milionë euro minierave.
Në sektorin e shërbimeve vihet re një kreditim i lartë i tregtisë me shumicë e pakicë, përkatësisht 73 për qind të totalit të sektorit. Në vitin 2013 krahasuar me një vit më parë rritjen më të lartë e shënon hoteleria dhe restorantet me 27 për qind, pasuar nga shërbimet financiare, patundshmëri, qira etj me 26 për qind rritje.
Të dhënat në hulumtim janë marrë nga Banka Qendrore e Kosovës.