Këtë vit shqiptarët do të kenë më shumë borxh. Borxhi për frymë i çdo shqiptari është rritur nga 2010 deri në 2015 me 48%. Sipas një studimi më të fundit të publikuar nga Open Data Albania e cila ka analizuar borxhin publik, rritja drastike e huasë publike në 2014 ka bërë që borxhi për frymë për shqiptarët të kapë një rekord prej afërsisht 3600 dollarë. E thënë ndryshe një familje me 4 anëtarë gjatë vitit 2015 do të mbartë një borxh prej gati 15 mijë dollarësh. 
Sipas Open Data Albania, rritjen më të lartë të borxhit publik e ka pasur në 2014. Borxhi publik ka ardhur në rritje vit pas viti. Në raportin më të fundit të publikuar nga ODA, kjo e fundit analizon borxhin për frymë, si dhe parashikimet për vitin aktual. Është llogaritur gjithashtu edhe raporti i borxhit total të marrë dhe ende të pashlyer nga shteti me popullsinë në një kohë të caktuar. Sipas Open Data Albania, pjesa e stokut të borxhit që mbart çdo qytetar shqiptar nga viti në vit ka ardhur në rritje, për të arritur kulmin në vitin 2015. 
Nga 245 151 lekë që ishte borxhi për frymë në 2010, ai është shtuar me rreth 118 mijë lekë apo 48% më shumë në 2015¬, për të vajtur në 363 750 lekë. Rritjen më të lartë borxhi për frymë e ka pasur në vitin 2014, e shkaktuar kryesisht nga rritja e lartë, që pësoi stoku i borxhit në këtë vit. Në Buxhetin e Rishikuar për vitin 2014, stoku total i borxhit shfaqet me 104 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, apo 11.76%, duke shënuar rritjen më të lartë të borxhit publik që nga viti 2010.  Viti 2015 shfaqet me ritmin më të ulët rritës të stokut të borxhit për periudhën e marrë në shqyrtim, 6.47% kundrejt vitit 2014, në dallim nga vite si 2011¬-ta, ku borxhi u rrit me 8% apo apo 2013-t¬a me 6.88%. 
Megjithatë, akumulimi i tij ndër vite dhe rritja konstante, ka bërë që vitin që vjen, shqiptarët të përballojnë një borxh përherë e më të lartë. Kështu, një familjeje mesatare me 4 persona që në vitin 2010 “i takonin” 980 606 lekë nga borxhi publik i përbashkët, në vitin 2015 do të mbartë 1 455 000 lekë. Duhet theksuar se, në llogaritjen e borxhit për frymë ndikojnë dy parametra, stoku i borxhit dhe popullsia. Tkurrja e popullsisë që nga viti 2010 ka dhënë ndikimin e saj në rritjen e borxhit për frymë, megjithatë, ritmet e ulëta me të cilat ndryshon popullsia ka bërë që faktori mbizotërues që përcakton ecurinë e këtij indikatori të jetë stoku i borxhit publik. 
Në rrezik likuidimet mujore të buxhetorëve
Qeveria tejkaloi çdo parashikim me thellimin e gropës në buxhetin e shtetit, duke shpalosur hapur edhe vështirësitë e panumërta, që hasi në likuidimin e pagesave mujore të buxhetorëve, por edhe aftësisë së kufizuar.
Borxhi publik i arritur vetëm gjatë muajve të parë të 2014, rezultoi të ishte ndër më të lartit në 10 vitet e fundit. Po ashtu edhe niveli i borxhit publik të marrë në tregun e brendshëm, në fund të vitit 2013, kap në këtë mënyrë, shifrën më të lartë të 10 viteve të fundit. 
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, niveli i huamarrjes së brendshme arriti në vlerën 46.2 miliardë lekë, nga  nga 52.8 miliardë që ishte planifikuar për gjithë vitin. 
Ndërsa po të krahasohen shifrat me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton një rritje e huasë thuajse e dyfishuar, pasi gjatë vitit 2012 niveli i huamarrjes së brendshme ishte në vlerën e 24.7 miliardë lekë. Qeveria ka tejkaluar parashikimet e nëntorit për borxhin e 2013, nga ku e çoi nivelin e përgjithshëm në 70.5 për qind, nga 68 për qind që ishin pritjet. Në këtë drejtim, rritja me 6 për qind e borxhit për tre muaj nuk parashikonte shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. 
Deri në vitin 2017, niveli i borxhit pritet të arrijë në 65.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 72.1 për qind këtë vit. Por nga ana tjetër, për shkak edhe të rënies së të ardhurave dhe rritjes së shpenzimeve, defiçiti buxhetor në vitin 2013 shënoi rritje me 54 për qind, në krahasim me atë të vitit 2012. Deficiti buxhetor arriti në 65 miliardë lekë, nga 49 miliardë lekë që ishin planifikuar para ndryshimit të buxhetit 2013. 

Tremujori i parë 2014, qeveria rriti borxhin me 1 milion euro çdo muaj
Është rritur me afro 1 milion euro në muaj borxhi total publik i vendit gjatë tre muajve të parë të vitit 2014. Këtë e bëri të ditur, që në atë kohë edhe Ministria e Financave, e cila ka publikuar dje statistikat e detyrimeve të brendshme dhe të jashtme, afatgjata dhe afatshkurtra. 
Sipas këtyre statistikave zyrtare, në periudhën janar-mars 2014, totali i stokut të borxhit ka arritur në më se 6.4 miliardë euro, ose 897 miliardë e 800 milionë lekë të reja. 
Kjo shifër ka qenë 885 miliardë e 83 milionë lekë të reja, çka rezulton në një rritje prej 90.8 milionë eurosh për 90 ditët e para të vitit. Borxhi në fund të marsit, ka arritur në 63.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbajtësit e borxhit të brendshëm bankat e nivelit të dytë, që zotërojnë 62 për qind të Bonove të Thesarit dhe obligacioneve shtetërore, ndërkohë që Banka Qendrore dhe individët kanë nga 12 për qind secili. Ky borxh ka arritur në 531 miliardë lekë, me një rritje në tre muaj prej 10.5 miliardë lekësh të reja. Nga vendet e huaja, kryeson kontributin në borxhin e jashtëm të Shqipërisë Italia, me 273 milionë euro, pasuar nga Gjermania me 219 milionë. Borxhi i jashtëm është rritur me 2.2 miliardë lekë në tre muajt e parë të vitit, duke arritur në 366 miliardë lekë të reja, baraz me 25.8% të stokut total të borxhit publik.
Ministria e nis 2015 me borxh, sot në ankand për 27.6 miliard lekë
Banka e Shqipërisë do të shesë sot të martën (6 janar) për llogari të Ministrisë së Financave 27.6 miliardë lekë në Bono Thesari me afat maturimi 6 dhe 12-mujor. Kjo shumë është shumë më e lartë se ajo e ankandeve të zakonshme, ku mesatarisht shiten më pak se 10 miliardë lekë. Ashtu si vjet edhe këtë vit, Ministria e Financave e ka nisur vitin në nevojën për para në ankandet mujore për shkak se duhet të paguajnë krahas interesave edhe borxhin e maturuar.
Për bonot 12-mujore, shuma e shpallur për shitje është 12.9 miliardë lekë. Në ankandin e mëparshëm me të njëjtin maturitet, yield-i mesatar i ponderuar u ngjit në 3.45%, nga 3.36% në ankandin e mëparshëm.
Për bonot 3-mujore, shuma e shpallur për shitje është 14.7 miliardë lekë. Në ankandin e mëparshëm me të njëjtin maturitet, yield-i mesatar i ponderuar u ngjit në 3.22%, nga 3.17% në ankandin e mëparshëm.
Muajt e fundit, financat po përballen me një rritje të kostos së borxhit, pavarësisht “ndihmës” që i është dhënë nga Banka Qendrore përmes uljes së normës bazë, që ka zbritur në nivele minimale historike prej 2.25%. Bankat, që janë blerëset kryesore të borxhit të qeverisë janë tërhequr nga blerja e Bonove të Thesarit, teksa po e perceptojnë me rrezik të rritur investimin e parave të tyre në borxhin e qeverisë. 
Qeveria manipulon shifrat
Qeveria ja ka marrë dorën lojës me shifrat zyrtare, të cilat tashmë i ka tërësisht në shërbim të saj. Buxheti për vitin që sapo lamë pas rezulton të jetë në të njëjtën gjendje të mjerë që kjo qeverisje e çoi në fund të 2013. Në këtë mënyrë, TVSH e rimbursuar këtë vit është 15 herë më e vogël se sa në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po kështu, edhe Administrata Tatimore ka rimbursuar gjithsej 473 milionë lekë këtë vit, nga 7.4 miliardë lekë që qenë rimbursuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të gjitha pretendimet për rimbursim TVSH-je të bëra deri më 31 dhjetor 2013 dhe të gjitha tepricat kreditore të TVSH-së të krijuara para asaj date, edhe nëse pretendimi për rimbursim është bërë pas kësaj date, konsiderohen “detyrime të prapambetura” dhe klasifikohen në një zë tjetër të buxhetit, te zëri “detyrime të prapambetura fiskale” të buxhetuara në masën 20 miliardë lekë për të gjithë vitin 2014”. Pra, Ministria e Financave ka raportuar vetë të ardhurat neto nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Nëse mblidhen 10 lekë TVSH dhe rimbursohen 2 lekë për TVSH të paguar më tepër, raportohet se janë mbledhur 8 lekë. Por, qeverisë nuk i pëlqeu kjo formulë vitin e kaluar, kur hartoi buxhetin.
Kjo krijon një rritje të bollshme dhe të rreme të të ardhurave në zërin e buxhetit të shtetit. Një rritje që ka një borxh të fshehtë, duke krijuar “zinxhirin e borxheve” të cilën, qeveria aktuale premtoi se do ta luftojë, por që edhe parashikimet për vitin aktual që sapo kanë nisur rezultojnë të jenë tepër të zymta.