Unifikimi i çmimit të energjisë siç qeveria preferon ta quajë më mirë është një rritje e drejtpërdrejtë që i bëhet çmimit për bizneset bujqësore që operojnë në vendin tonë.
Të dhënat më të fundit për rritjen e çmimit të energjisë janë analizuar së fundi edhe nga Open Data Albania, e cila konfirmon se rritjen më të madhe të çmimit të energjisë nga janari 2015 do ta paguajnë bujqësia dhe industria. “Bujqësia dhe industria janë prekur nga një rritje prej 25% të tarifave të energjisë elektrike. Për vitin 2015, kemi një rritje të tarifave të energjisë elektrike, ku sektori më i prekur nga rritja është bujqësia dhe më pak të prekur mbeten furrat e bukës, të cilat kanë dhe nivelin më të ulët të tarifave të energjisë elektrike”, thekson ODA në analizën e saj më të fundit.  
Pra, me rritjen e çmimit të energjisë elektrike fermerët shqiptarë do ta kenë edhe më të vështirë që t’i gëzohen qoftë dhe fitimit më të vogël të nxjerrë direkt nga toka e tyre. Por, fermerit shqiptar qeveria nuk i bëri suprizë vetëm çmimin e energjisë elektrike, por edhe taksën e karburantit, uljen e subvencioneve, të cilat si kurrë më parë rezultojnë të jenë ndër më të ulëtat në kaq vite. Jo vetëm bizneset, por edhe fermerët kanë filluar të përjetojnë terrin energjetik, të cilin e kishin harruar që nga viti 2005.
Unifikimi i çmimit për bizneset, rriti direkt çmimin
Më në brendësi, Open Data Albania ka hulumtuar mbi çmimin e energjisë elektrike për konsumator biznesin në tërësi. Çmimet e energjisë elektrike për biznesin janë të diferencuara në bazë të nivelit të tensionit, ku janë lidhur dhe jo në bazë të konsumit. Bazuar në nivelin e tensionit dallohen tre grupe të mëdha. Për bizneset që furnizohen me 35 kw çmimi është i unifikuar për çdo kategori biznesi. Kështu, duke filluar nga 1 janari 2015, këto biznese do të paguajnë 12% më shumë për energjinë elektrike. Çmimi i energjisë elektrike nga 10,2 lekë/kwh është rritur në 11,4 lekë/kwh. (Çmimet janë të llogaritura  me TVSH).
Bizneset që furnizohen me 20; 10; 6 kw kanë funksionuar me tarifa të diferencuara sipas llojit të biznesit. Por, duke filluar nga 1 janari 2015, këto tarifa janë unifikuar në një çmim prej 13,2 lek/kwh, me përjashtim të çmimit të energjisë për furrat e bukës, i cili ka mbetur i pandryshuar në 8,52 lekë/kwh. Çmimet për këtë nivel tensioni kanë pësuar rritje nga 9% deri në 21%. Rritjen më të madhe të çmimit të energjisë elektrike e kanë pësuar bizneset bujqësore, ku çmimi për to nga 10,44 lekë/kwh është bërë 13,2 lek/kwh, pra 21% më i lartë krahasuar me vitin 2014.
Po kështu, bizneset që furnizohen me tension të ulët (0.4 kw) kanë pësuar një unifikim të tarifave për vitin 2015. Çmimi i energjisë elektrike për këtë nivel tensioni është përcaktuar 16,8 lekë/kwh, duke pësuar një rritje nga 13% deri në 25% për lloje të ndryshme të bizneseve.