Çdo vit marrin miliona lekë nga buxheti i shtetit, por kanë dy dekada pa kyer asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Qëndrojnë hapur për të paguar punonjësit që janë më të shumtë në numër se sa paicentët që i drejtohen për ndihmë Spitalit të Tepelenës dhe Përmetit, ndërkohë që pothuajse të gjithë përfundojnë në Gjirokastër. Drejtori i Spitalit të Gjirokastrës kërkon ndërhyrje për ndryshimin e situatës: Kemi shumë mbingarkesë, këto spitale të kthehen në qendra urgjence
GJIROKASTËR – Taksapaguesit shqiptarë harxhojnë “qimet e kokës” për të mirëmbajtur spitalet, por ku shkojnë si pacientë dalin të zhgënjyer nga çfarë iu ofrohet sepse janë të detyruar të paguajnë sërish për shërbimin shëndetësor. Ermonela Q., oficere kredie në një nga bankat e nivelit të dytë në Tepelenë nuk ka për ta harruar kurrë aventurën antinjerëzore siç e quan ajo, që përjetoj në spitalin e qytetit. “Nuk dua të diskutoj heroizmin e doktorëve, por mungesën e ilaçeve. Im atë u shtrua në spital nga zemra, por për pak më iku pasi ilaçet mungonin. Jam detyruar t’i blejë të gjitha ilaçet në farmaci. Im atë ka gjithë jetën që ka kontribuar në sigurimet shëndetësore, por në momentin ku njeriut i duhet ndihma shëndetësore, spitali nuk të ofron as ilaçe”, thotë Ermonela.




Pagesat e kryera nga Thesari për spitalin e Gjirokastrës


Sipas saj, Spitali i Tepelenës është katandisur si zyrë pune se sa si institucion shëndetësor. “Nuk e kuptoj pse paguhen të paktën 160 punonjës, kur nuk janë në gjendje të të ofrojnë të paktën një shërbim shëndetësor?”, pyet Ermonela. “Me shëndetin nuk bëhet shaka”, vijon ajo. Më tej, nëna e tre fëmijëve të mitur shprehet se taksapaguesit shqiptarë paguajnë shumëfish sigurimet shëndetësore. “Shqipëria është i vetmi vend të Europë që asnjë pacientë nuk subvencionohet nga sistemi i sigurimeve shëndetësore. Çdo gjë në spital bëhet vetëm me lekë nën dorë duke nisur nga sanitarja deri te mjeku. Ky është realiteti në këtë vend”, nënvizon Ermonela.
Prej kohësh Spitali i Tepelenës vuan nga mungesa e mjekëve specialistë, ndërsa trajton një numër minimal pacientësh duke mos justifikuar kështu as fondet e akorduara për çdo vit nga buxheti i shtetit. Të dhënat zyrtare nga Spitali i Tepelenës saktësojnë se në këtë institucion janë të punësuar 171 persona, por prej 20 vitesh nuk është kryer asnjë operacion qoftë edhe i lehtë.  Kjo situatë është pranuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë, institucioni i vetëm që duhet t’i gjejë edhe zgjidhjen spitaleve joeficiente që mbajnë dyert hapur për të paguar punonjësit ndërsa nuk mund t’i ofrojnë as shërbimet minimale pacientëve.  “Në këtë institucion mungojnë prej një dekade kirurgu, obstetri, anestezisti, otorinologu, okulisti, neurologu, si dhe ortopedi, ndërsa spitali ka punësuar me kontrata të veçanta tre mjekë dhe një pediatër, që të gjithë në pension”, thuhet në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Spitali i Tepelenës ka në dispozicion 88 shtretër. Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë për situatën në spitale përgjatë vitit 2014, Spitali i Tepelenës ka pasur një xhiro të zënies së shtratit prej 5.5 shtretërish, shifër kjo mjaft e ulët për koston e lartë të funksionimit të tij. Burime zyrtare nga Spitali i Tepelenës shprehen se afrimi i mjekëve specialist do të bënte të justifikueshëm funksionimin e institucionit spitalor, ku prej 15 vitesh nuk kryhet asnjë lindje në këtë qytet të vogël jugor. “Të gjitha nënat, por edhe pacientë që paraqiten raste të rënda dërgohen në Spitalin rajonal të Gjirokastrës”, pohojnë përfaqësues të Spitalit të Tepelenës. Sipas përfaqësuesve të këtij spitali, gjatë vitit 2014 pranë tij janë trajtuar 577 pacientë, shifër që kurrsesi nuk mund të justifikojë punësimin fiktiv të një stafi prej 171 personash. Nga korridoret e zbrazët të spitalit duket qartë se pacientët preferojnë t’i drejtohen menjëherë Spitalit të Gjirokastrës për të mos humbur kohë.
E njëjta situatë si në Tepelenë paraqitet edhe në Spitalin e Përmetit, madje disa pacientëve iu është mohuar jeta për shkak të paaftësisë së mjekëve, siç ishte rasti i një 7-vjeçare, e cila u paraqit në urgjencë me të vjella, por ndërroi jetë gjatë kurimit. Burime zyrtare nga Spitali i Përmetit pohojnë se në këtë institucion punojnë të paktën 160 persona, ndërsa mungesa e mjekëve specialistë është e theksuar. “Pothuajse të gjithë pacientët që vijnë në Spitalin e Përmetit përfundojnë në Spitalin e Gjirokastrës”, thotë një drejtues i lartë i spitalit.
Të dhënat të Thesarit të Shtetit të marra nga programi “Spending Data Albania”, bëjnë të ditur se gjatë 12-mujorit të vitit të kaluar, tre spitalet e Qarkut të Gjirokastrës kanë shpenzuar nga arka e buxhetit të shtetit 438.195.661.33 lekë, prej të cilave: 110.311.751 lekë Spitali i Tepelenës, 87.121.636 lekë Spitali i Përmetit, ndërsa 240.762.274.33 lekë Spitali i Gjirokastrës. I njëjti burim saktëson se Spitali i Gjirokastrës ka kryer në vitin 2014 nëpërmjet Thesarit të Shtetit plot 505 transaksione, Spitali i Tepelenës 223 dhe Spitali i Përmetit 404 transaksione spitalore, duke filluar nga pagat e punonjësve deri te medikamentet.
Programi “Spending Data Albania” parashikon të njëjtin nivel shpenzimesh në këto tre spitale edhe gjatë vitit 2015. “Gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, të tre spitalet e Qarkut të Gjirokastrës kanë shpenzuar së bashku nga buxheti i shtetit 96.835.816 lekë, prej të cilave, Spitali i Gjirokastrës 53.011.508 lekë, Spitali i Përmetit 18.857.579, ndërsa Spitali i Tepelenës 24.966.729 lekë”, bën të ditur “Spending Data Albania”.  Sipas këtyre të dhënave, Spitali i Gjirokastrës ka kryer deri tani 107 transaksione, Spitali i Tepelenës 43 dhe Spitali i Përmetit 64.

Lidhur me këto këto shpenzime, Armand Mamani, drejtori i Spitalit të Gjirokastrës, pranon se situata në sistemin spitalor në jug të vendit ka vënë në vështirësi stafin mjekësor, sepse të gjithë mjekët e qytezave të vogla i drejtojnë pacientët drejt Gjirokastrës. “Çdo ditë paraqiten në Spitalin e Gjirokastrës pacientë nga Tepelena, Memaliaj, Këlcyra dhe Përmeti. Është mbingarkesë, pasi edhe Spitali i Gjirokastrës vuan nga mungesa e mjekëve specialist”, thotë Mamani. Sipas tij, tashmë ka ardhur koha që sistemi spitalor i Qarkut e Gjirokastrës duhet të ndryshoj në dobi të shërbimit më cilësor ndaj pacientëve. “Spitalet nuk mund të konsiderohen si institucionet e zyrës së punësimit dhe të ‘gërvishtin’ miliona lekë nga buxheti i shtetit, ndërkohë që investimi është zero”, thotë Mamani, ndërsa shton se një pacientë në Tepelenë i kushton buxhetit të shtetit të paktën 1 mijë dollarë në ditë, ndërsa një pacientë në Gjirokastër i kushton 200 dollarë. Një pabarazi e tillë, vijon Mamani, është e patolerueshme, sepse një mjek specialist në Gjirokastër, i cili shpëton një jetë njeriu kushton më pak se sa një sanitare në Përmet.
Për Mamanin, shpëtimi i vetëm i sistemit spitalor është përqendrimi i fondeve në Spitalin e Gjirokastrës, ndërsa Spitali i Përmetit dhe Tepelenës të kthehen në qendra urgjence. “Faktikisht ‘de juro’ spitalet e Përmetit dhe Tepelenës ekzistojnë si të tillë, por ‘de facto’ ato janë vetëm urgjenca, sepse të gjithë pacientët që kanë nevojë për një mjekim më të specializuar dërgohen në Spitalin e Gjirokastrës. Si mund ta quash spital një institucion shëndetësor që prej më shumë se dy dekadash nuk ka kryer asnjë operacion kirurgjikal. Spitali nuk është institucion i qendrës sociale, pasi jeta e njeriut nuk riparohet në qoftë se ikën, ndërsa godinat ringrihen përsëri”, thotë Armand Mamani, duke nënkuptuar se me shëndetin nuk bëhet shaka.