Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë në fund të tremujorit të parë të këtij viti ishte 6997.4 milionë euro, me një rritje prej rreth 331 milionë eurosh.
Shifrat bëhen të ditura nga “Open Data Albania”, që ka analizuar ecurinë e borxhit të jashtëm bruto për periudhën 2007-2015 dhe dinamikën e këtij borxhi në vitin e fundit.
Borxhi i jashtëm bruto nënkupton gjithë borxhin e jashtëm që ka një ekonomi. Ai përfshin borxhin e sektorit publik dhe atij privat kundrejt jo rezidentëve dhe që është në valutë të huaj.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit që shkoi, stoku në tremujorin e parë të 2015-ës është rritur me 757 milionë euro.
Rreth 81% e stokut të borxhit është borxh afatgjatë kryesisht në formën e huave, ndërsa pjesa tjetër është borxh afatshkurtër kryesisht i marrë nga sektori bankar.
Sektori i Qeverisë zotëron pjesën kryesore të borxhit të jashtëm me rreth 41% të vlerës së përgjithshme. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (18%), sektorëve të tjerë (17%), autoritetit monetar (1%) dhe si hua midis kompanive (23%).
Kur rritja e borxhit të jashtëm është shumë më e lartë se rritja e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së) apo investimeve të një vendi, atëherë ajo mund të krijojë probleme në një ekonomi. Kjo problematikë përshkallëzohet në kushtet kur interesat për këtë borxh rriten në mënyrë të ndjeshme. PBB-ja gjatë viteve të fundit është rritur me rreth 2-3%, ndërkohë që borxhi i jashtëm është rritur me mesatarisht 19% çdo vit.