Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë brenda 1 viti, është rritur me 757 milionë euro duke e quar në total vlerën e tij në 6997.4 milionë euro. Vetëm në 3 mujorin e parë të 2015, ky borxh është rritur me rreth 331 milionë eurosh.
Open Data Albania ka analizuar ecurinë e borxhit të jashtëm bruto për periudhën 2007-2015 dhe dinamikën e këtij borxhi në vitin e fundit. Borxhi i jashtëm bruto nënkupton gjithë borxhin e jashtëm që ka një ekonomi.
Ai përfshin borxhin e sektorit publik dhe atij privat kundrejt jo rezidenteve dhe që është në valutë të huaj. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2015 vlera e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë ishte 6.997.4 milion euro.
Gjate këtij tremujori stoku i borxhit u rrit me rreth 331 milionë euro ndërsa në krahasim me fundin e tremujorit të pare të vitit 2014 stoku është rritur me 757 milionë euro. Rreth 81 e stokut te borxhit është borxh afatgjate kryesisht në formën e huave ndërsa pjesa tjetër është borxh afatshkurtër kryesisht i marre nga sektori bankar.