Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën e muajit shtator të 13 subjekteve problematike, për të cilat administrata tatimore ka kërkuar fillimin e procedurës së falimentimit.​​
Sipas ligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon në gjykatë fillimin e procedurave të falimentimit, nëse tatimpaguesi ka detyrime të pashlyera ndaj administratës tatimore për të paktën 2 vjet, kur ka 2 vjet që ka kaluar në status pasiv pranë QKR, ka detyrime tatimore të deklaruara si të pambledhshme, apo kur rezulton me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vjet.
Kërkesa e Tatimorëve vërteton se prej të paktën dy vjetësh këto kompani kanë operuar duke mos paguar asnjë lekë në shtet.
Mësohet se për subjektet e mëdha si, City Park, CTC Computers, Europrogres, Fisheku sh.p.k., Taçi Oil dhe Kuid sh.p.k., është vendosur tashmë masa e sekuestros.
Në mesin e 13 kompanive, Open Data Albania shkruan se janë edhe 7 kompani që bëjnë pjesë në listën e subjekteve me kredi të këqija.
Në total janë 7.18 miliardë lekë kredi, lizing apo overdraft, cilësuar tashmë kredi me probleme, që u përkasin shtatë subjekteve tatimpagues të mëdhenj, nën sekuestro dhe falimentim.
Vlera e kredive me probleme në vend arrin në 125 miliardë leke apo në 1 miliardë dollarë.
Të dhënat tregojnë se 35 kompani të mëdha janë pjesë e listës së subjekteve me kredi me probleme zotërojnë 56 % të totalit të këtyre kredive, ose 70 miliardë lekë.
Ekspertët dhe përfaqësuesit e biznesit vendas e të huaj kërkojnë që emrat e këtyrë kompanive të bëhen publik, për të rritur transparencën për mënyrën se si do të zgjidhet ky problem.
Kreditë e këqija konsiderohen prej tyre si bomba që mund të shpërthejnë dhe do të dëmtojnë ekonominë shqiptare.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar se publikimi i debitorëve të saj bëhet me qëllim që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e procedurave të falimentit dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë​ detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksionev​e për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.