Kompanitë që kanë shpallur falimentin janë kryesisht kreditor me probleme në bankat e nivelit të dytë. Sipas një hulumtimi të bërë nga Open Data Albania (ODA) janë 13 kompani të mëdha nën faliment e 7 prej tyre sipas bilanceve rezultojnë me kredi në bankat e nivelit të dytë.
Sipas ODA-s lista e subjekteve të falimentit është marrë nga faqja zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) për muajin shtator të këtij viti, ndërsa vlera e kredive është marrë nga pasqyrat kontabël dhe të tjera dokumente të pasqyruara në ekstraktet e secilës shoqëri, publikuar në web-in e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR).
Sipas këtyre të dhënave janë 7.18 miliardë lekë kredi, leasing apo overdraft cilësuar tashmë kredi me probleme që u përkasin shtatë subjekteve tatimpagues të mëdhenj nën sekuestro dhe falimentim.
ODA cilëson se tatimpaguesi i madh që ndodhet nën faliment dhe njëkohësisht ka vlerën më të lartë të kredive të hapura është “City Park” me një detyrim të reflektuar në pasqyra kontabël, prej 3 696 963 347 lekësh ndaj sistemit bankar.
Nga këto 242 495 818 lekë (Credins Bank), 163 789 683 lekë (Union Bank), 46 749 709 lekë (Credins Leasing), 3 243 928 137 lekë (Raiffeisen Bank & Tirana Bank).
Kapitali i tij, i cili ndahet Avni Ponari (21%), Bedri Rryta (5%), Artan Mene (62%), Arian Mene (2%), Eduart Ibrahimi (5%), Aleksandër Pilo (5%).
Kapitali themeltar shënon një vlerë prej 100 000 lekë.
“Taci Oil shpk” kuotat e të cilit janë 100% nën emrin e Rezart Taci ka një vlerë të lartë të kredive të hapura.
Përkatësisht, 208 395 000 lekë (Tirana Bank), 248 466 023 lekë (ISP), 380 000 000 lekë (Credins Bank), 359 738 427 lekë (Raiffaisen overdraft) dhe 541 150 248 lekë (ISP overdraft).
Për subjektet CTC Computers sh.p.k., City Park sh.p.k., Europrogres sh.p.k., Fisheku sh.p.k., Taci Oil sh.p.k. dhe Kuid sh.p.k. është vendosur masa e sekuestros.
Në rastet e analizuara nga Open Data Albania janë konsideruar vetëm kredi të karakterit bankar të marra drejtpërdrejt nga shoqëria dhe nuk janë reflektuar kredi të ortakëve apo aksionerëve të kompanisë.
Sipas kësaj ODA ka hulumtuar vetëm mbi kredi të pasqyruara në bilancet e fundit të publikuara në QKR duke mos pasur burim më të detajuar apo përditësuar për kostot dhe ecurinë e këtyre kredive.
Ndërsa në total rezultojnë nën faliment 118 subjekte.
Në këtë artikull të ODA është hulumtuar vetëm për tatimpaguesit e mëdhenj.