Thellimi i gropës së buxhetit të shtetit, po vë në rrezik të gjitha likuidimet që shteti i detyrohet bizneseve dhe buxhetorëve të saj. Duke kapur shumën e 1 trilion dhe 62 miliardë lekëve, por edhe duke menduar për një rishikim në ulje të buxhetit në gjysmën e parë të këtij viti, po shihet qartë se ekonomisë shqiptare nuk i kanë mbetur shumë zgjidhje. Shifrat në fjalë për borxhin publik konfirmohen edhe nga raporti tremujor i borxhit shqiptar, i cili arriti në 1 trilion e 62 miliardë lekë (7.6 miliardë euro ose 8.5 miliardë dollarë), duke mbetur në këtë mënyrë në kuotën më të lartë në histori. Ndërkohë, treguesi i borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto arriti në kuotën 73.7 për qind, kuota më e lartë që nga viti 2000. 
Borxhi publik i Shqipërisë shënoi një rekord të ri shumëvjeçar në tremujorin e tretë të këtij viti si pasojë e marrjes së borxheve të reja nga Banka Botërore, shtrenjtimit të dollarit kundrejt lekut dhe e rritjes së ngadaltë ekonomike, bëhet e ditur nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave. Borxhi publik i Shqipërisë u rrit përgjatë këtij viti pjesërisht për shkak të deficitit buxhetor prej 25 miliardë lekësh dhe pjesërisht për shkak të shtrenjtimit të dollarit kundrejt lekut shqiptar. Dollari është shtrenjtuar me 25 për qind që nga viti i kaluar dhe Shqipëria ka një pjesë të borxhit të vet të jashtëm në dollarë ose në monedhën llogari të FMN-së, SDR, e cila është shtrenjtuar sëbashku me dollarin. Por një pjesë e konsiderueshme e rritjes së borxhit i dedikohet kontratës për 250 milionë euro kredi nga Banka Botërore, të cilën qeveria e mori më herët këtë vit për të shlyer bondet sovrane në euro që u maturuan pak ditë më parë. Edhe Kreu i Departamentit të Financave në Partinë Demokratike, Sherefedin Shehu, ka deklaruar dje gjatë një prononcimi për gazetën “RD” se, qeveria është në një fazë kur nuk duhet të mendojë shumë, por të ndërmarrë me shpejtësi politikat për uljen e borxhit, në të kundërt kërcënimet me të cilat përballet ekonomia e vendit do të jenë të paimagjinueshme. Në lidhje me këtë, Shehu i ka sugjeruar ekonomisë që të ndjekë politika të caktuara në uljen e borxhit. Në të kundërt paralajmërojnë se, kërcënimi për ekonominë do të rritet. 
Borxhi ka prekur nivelin e 73.7% përqindëve. Si rregull, zyra e borxhit në Ministrinë e Financave përfshin në statistikat e veta vetëm borxhet që janë të emetuara si të tilla dhe jo detyrimet e prapambetura të qeverisë. Plani i rënë dakord mes qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ka qenë ulja e borxhit publik si përqindje e PBB-së, duke filluar nga viti i ardhshëm përmes rritjes më të shpejtë ekonomike dhe deficitit buxhetor më të ulët, gjë e cila ka përkeqësuar edhe raportete mes këtyre palëve. Por rritja më e shpejtë ekonomike nuk u realizua dhe rrjedhimisht, ulja e borxhit publik do të kërkojë shkurtime shpenzimesh, të cilat qeveria shqiptare nuk duket se ka në plan t’i bëjë. Rreziku i borxhit të lartë në vijimësi mund të sjellë edhe ngadalësim të mëtejshëm të ekonomisë për shkak se qeveria do të detyrohet të transferojë jashtë vendit para për pagesën e interesave të borxhit, gjë që pakëson aftësinë e saj për të shpenzuar në tregun e brendshëm.
Kritikat për rritjen drastike të borxhit
Qeveria tejkaloi çdo parashikim me thellimin e gropës në buxhetin e shtetit, duke shpalosur hapur edhe vështirësitë e panumërta që hasi në likuidimin e pagesave mujore të buxhetorëve, por edhe aftësisë së kufizuar, shkurtimit të planit të investimeve, anullimit të projekteve me rëndësi infrastruktuore, etj. Borxhi publik i arritur vetëm në një vit e gjysmë rezulton të jetë sa një e shtata e borxhit publik të 25 viteve më të fundit. Niveli i borxhit publik të marrë në tregun e brendshëm, në fund të vitit 2013, kap në këtë mënyrë, shifrën më të lartë të 10 viteve të fundit.  Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, niveli i huamarrjes së brendshme arriti në vlerën 46.2 miliardë lekë, nga 52.8 miliardë që ishte planifikuar për gjithë vitin. 
Ndërsa po të krahasohen shifrat me të njëjtën periudhë të një viti  më parë rezulton një rritje e huasë thuajse e dyfishuar, pasi gjatë vitit 2012, niveli i huamarrjes së brendshme ishte në vlerën e 24.7 miliardë lekë. Për rritje të nivelit të borxhit publik, qeverisë shqiptare i kanë ardhur kritika, jo vetëm nga ekspertë të ekonomisë brenda vendit, por dhe nga institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare si FMN apo BB. 
Borxhi  i jashtëm, 757 milionë euro më shumë se në 2014
Borxhi i jashtëm i ekonomisë po rritet me shifra alarmante, duke bërë që Shqipëria të shndërrohet çdo ditë e më shumë në një vend të rrezikshëm për investitorët e huaj. Në shifrat më të fundit të publikuara edhe nga Open Data Albania bëhet me dije se, vetëm për tre muajt e parë të këtij viti borxhi i jashtëm i vendit është rritur me 757 milionë euro në krahasim me 2014. Rritja e borxhit të jashtëm nga ana e qeverisë shqiptare vjen në një kohë, kur hendeku në rritjen e PBB-së në raport me borxhin e jashtëm është në një përqindje të frikshme. Edhe në këtë rast, shihet qartë se qeveria nuk ndjehet aspak e alarmuar, pasi të gjithë këtë hendek, kjo e fundit do ta mbushë me rritjen e faturave fiskale për bizneset dhe individët, apo edhe deri në marrjen me forcë të tyre me polici. 
Por duke ju referuar të dhënave që vijnë nga ODA në fakt sinjalet për qeverisjen shqiptare nuk janë aspak të mira, pasi PBB-ja gjatë viteve të fundit është rritur me rreth 2-3%, ndërkohë që borxhi i jashtëm është rritur me mesatarisht 19% çdo vit. Kjo do të thotë se, ndërsa borxhi i jashtëm i qeverisë është thelluar çdo vit me 19%, vetëm gjatë dy viteve të fundit të kësaj qeverisjeje ky i fundit është rritur edhe me 40% më shumë. Në fakt, ODA ka analizuar ecurinë e borxhit të jashtëm bruto për periudhën 2007-2015, si dhe dinamikën që pritet të marrë në vazhdimësi borxhi në vitin e fundit.  “Në fund të tremujorit të parë të vitit 2015, vlera e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë ishte 6 997.4 milionë euro.
 Gjatë këtij tremujori, stoku i borxhit u rrit me rreth 331 milionë euro, ndërsa në krahasim me fundin e tremujorit të parë të vitit 2014, stoku është rritur me 757 milionë euro”, thekson ODA në raportimin e saj më të fundit. Në klasifikimin që i bën marrjes së borxhit të jashtëm ODA bën me dije se rreth 81% e stokut të borxhit është borxh afatgjatë kryesisht në formën e huave, ndërsa pjesa tjetër është borxh afatshkurtër kryesisht i marrë nga sektori bankar. Sektori i qeverisë zotëron pjesën kryesore të borxhit të jashtëm me rreth 41% të vlerës së përgjithshme. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (18%), sektorëve të tjerë (17%), autoritetit monetar (1%) dhe si hua midis kompanive (23%). Borxhi i jashtëm bruto nënkupton gjithë borxhin e jashtëm që ka një ekonomi. Ai përfshin borxhin e sektorit publik dhe atij privat kundrejt jo rezidentëve dhe që është në valutë të huaj. Kur rritja e borxhit të jashtëm është shumë më e lartë se rritja e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së) apo investimeve të një vendi, atëherë ajo mund të krijojë probleme në një ekonomi. Kjo problematikë përshkallëzohet në kushtet kur interesat për këtë borxh rriten në mënyrë të ndjeshme.