KRONOLOGJIA
22.06 2015
Jepej me koncesion projektimi, financimi, informatizimi, ekzekutimi i vendimeve penale me gjobë, vendimeve për shpenzimet procedurale në të gjitha fazat e procedimit penal
10.08.2015
Fitues doli shoqëria “Shërbimi Përmbarimor Zig”. “Njoftojmë se kanë qenë pjesëmarrës në procedurë shoqëria ‘Zig’ me 25 003 000 lekë”, thotë ministria. S’ka pasur shoqëri të tjera
16.11.2015
“Ministria e Drejtësisë njofton se procedura për dhënien e koncesionit anulohet. Projekti nuk është diskutuar në Komitetin e Planifikimit Strategjik të qeverisë
Dokumentet
Pas ikjes së Naços, ministri Manjani anulon këtë koncesion 20-vjeçar, me motivin se nuk u diskutua në Komitetin e Planifikimit Strategjik në qeveri apo nga heshtja e Avokaturës së Shtetit. Koncesioni u cilësua si skandal


Faksimile – Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për të anuluar koncesionin me afat 20-vjeçar “ekzekutimi i vendimeve penale me gjobë”


Dokumenti 1 – Publikimi i dhënies së koncesionit, botuar në buletinin e qershorit në Agjencinë e Prokurimit Publik


Dokumenti 2 – Shpallja e fituesit të këtij koncesioni, në datën 10 gusht, që i është dhënë ofertuesit të vetëm

Një nga koncesionet më të diskutuara kohët e fundit, ai i vjeljes së gjobave nga vendimet penale, është anuluar. Ministria e Drejtësisë ka njoftuar Agjencinë e Prokurimit Publik për këtë vendim, duke i dërguar edhe një shkresë përcjellëse. Sipas shkresës, që disponohet nga gazeta “Shqip”, thuhet se anulimi vjen pasi ky koncesion nuk është diskutuar në qeveri. Madje, Avokatura e Shtetit nuk i ka dërguar mendimet ministrisë, e cila, përpos këtyre të metave, mori vendimin për të dhënë me afat 20-vjeçar këtë koncesion. Vendimi për anulimin e këtij koncesioni mësohet se është marrë nga ministri i ri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili ka shfuqizuar vendimmarrjen e paraardhësit të tij, Nasip Naço. Me këtë vendim, mund të hidhet edhe hipoteza se Naço ka dhënë dorëheqjen pikërisht për këtë koncesion.

Nuk pyeti qeverinë
Për largimin e Nasip Naços si ministër i Drejtësisë ka pasur disa skenarë, madje edhe prononcime nga vetë qeveria, apo nga LSI-ja. Fillimisht, u dha zyrtarisht se largimi ishte “për arsye personale”. Më pas, vetë Naço publikoi edhe tekstin e dorëheqjes. “Duke qenë i bindur se reforma në drejtësi dhe përmbushja e një roli më thelbësor të Ministrisë së Drejtësisë në përmirësimin e mirë të qeverisjes dhe funksionimit të drejtësisë kërkon një nivel më të lartë të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të të gjithë aktorëve, jap dorëheqjen time si ministër i Drejtësisë. Duke shpresuar që në çdo rast, ky akt të ndihmojë në krijimin e klimës së bashkëpunimit të kërkuar për reformimin e sistemit të drejtësisë”, – thuhej në aktin e dorëheqjes. Megjithatë, në dokumentet për koncesionin për vjeljen e gjobave të vendimeve penale del në pah se Naço ka anashkaluar qeverinë, duke ia dhënë një kompanie pa pasur të tjera në garë. Në buletinin me numër 45, të 16 nëntorit të këtij viti, të Agjencisë së Prokurimit Publik, që është publikuar edhe nga portali “Open.Data”, detajohet edhe vendimmarrja për të anuluar koncesionin. “Ministria e Drejtësisë njofton se procedura për dhënien e koncesionit/ppp me objekt ‘projektimi, financimi, informatizimi, ekzekutimi i vendimeve penale me gjobë, vendimeve për shpenzimet procedurale në të gjitha fazat e procedimit penal, si dhe detyrimi civil i caktuar në vendimin penal’, anulohet. Projekti i këtij koncesioni nuk është diskutuar në Komitetin e Planifikimit Strategjik të qeverisë, si dhe moskthimit të përgjigjes së shkresës nr.231/21 të datës 14/08.2015 ‘dërgim kontrate për këshillim’ nga Avokatura e Shtetit në respekt të nenit 15 të ligjit nr.10018/2008”, – thuhet në këtë dokument. Pra, për të dhënë një koncesion me afat të gjatë, ministri Naço nuk ka pyetur qeverinë, por ka bërë sipas “kokës së tij”, në një kohë që kjo vendimmarrje, nëse miratohej, do të kishte dhjetëra miliona euro fitime, për shërbimin përmbarimor privat.

Koncesioni 20-vjeçar
Për herë të parë, ideja e dhënies me koncesion të vjeljes së gjobave penale nga vendimet gjyqësore, u publikua në datën 22 qershor 2015. Në buletinin me numër 24 të Agjencisë së Prokurimit Publik u detajua edhe dhënia e këtij koncesioni. Sipas dokumentit, Ministria e Drejtësisë iu përmbajt ligjit për koncesionet dhe partneritetit publik-privat. Ajo ftoi operatorë ekonomikë të interesuar vendas ose të huaj që të merrnin pjesë në procedurat konkurruese përzgjedhëse për dhënien me koncesion të shërbimit me objekt “Projektimi, financimi, informatizimi, ekzekutimi i vendimeve penale me gjobë, vendimeve për shpenzimet procedurale në të gjitha fazat e procedimit penal, si dhe detyrimi civil i caktuar në vendimin penal”. Projekti përfshinte ekzekutimin e detyrimeve dhe do të realizohet në të gjithë Shqipërinë. Ofertuesit e interesuar mund të njiheshin me dokumentet standarde të procedurës konkurruese. Ofertuesit duhet të paraqisnin vetëm një ofertë, ku të angazhohen se pranojnë kushtet e përcaktuara në ftesën për procedurën konkurruese dhe detyrimet që rrjedhin nga fitimi i procedurës konkurruese. “Kohëzgjatja e kontratës së shërbimit është 20 vjet. Asnjë ofertues nuk do të përjashtohet nga pjesëmarrja në procedurën e konkurrimit në bazë të shtetësisë. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave ishte data 20.07.2015, ora 11.00”, – thuhet në dokument. Më pas, fituesi i këtij koncesioni u publikua sërish nga Agjencia e Prokurimit Publik, në buletinin me numër 31, që mban datën 10 gusht. Fitues doli shoqëria “Shërbimi Përmbarimor Zig”. “Njoftojmë se, kanë qenë pjesëmarrës në procedurë këta ofertues me vlerat përkatëse të ofruara shoqëria ‘Zig’ 25 003 000 lekë”,- thuhet në dokument, ndërsa rezultoi se nuk ka operatorë të skualifikuar dhe se ka qenë vetëm një ofertues, që dhe doli fitues. Afati i negocimit të kontratës u caktua 30 ditë nga data e njoftimit të fituesit.