Gjyqtarët e republikës janë vendosur nën shënjestër për shkak të reformës në drejtësi, e cila do të fillojë së pari me një vlerësim të të gjithë trupës gjykuese, por dhe asaj hetimore ekzistuese. Një nga kriteret e verifikimit do të jetë dhe analiza e pasurisë së tyre, ku do të shihet nëse ajo justifikohet.

Në këtë mënyrë, jo vetëm ata, por edhe familjarët e tyre do të jenë objekt i hetimit. Por cilat janë pozicionet e punës së familjarëve të tyre? Gazeta “Shqiptarja.com” ka analizuar disa prej deklaratave të pasurive të gjyqtarëve në faqen Open Data, dhe ka vënë re se punët e deklaruara së bëjnë familjarët e tyre, janë nga më elitaret. Ajo që vihet re, është mbizotërimi i profesionit të noterit, një licencë kjo shumë e dëshiruar nga shumica e juristëve në vend, dhe marrja e së cilës, përherë është konsideruar si një sfidë e aspirantëve, madje akuzat publike për korrupsion në këtë proces nuk kanë munguar në të gjithë historinë e demokracisë sonë. Mirëpo, për familjarët e gjyqtarëve kjo duket se nuk ka qenë e vështirë.

Shumica e gjyqtarëve të marrë në analizë, rezultojnë që bashkëshortet e tyre të zotërojnë një licencë noteri, kryesisht në kryeqytet. Por noteria nuk është e vetmja punë elitare që bëjnë familjarët e gjyqtarëve. Shumë prej bashkëshortëve, por edhe fëmijëve të tyre e kanë pasur të lehtë që të jenë pjesë e administratës publike, madje të punojnë në stafet e ministrive të rëndësishme.

Ka nga ata gjyqtarë që bashkëshortët e tyre i kanë të punësuar të Inspektoratin e Lartë të Kontrollit të Deklarimit të Pasurive, institucion i cili në parim heton pasurinë e gjyqtarit dhe familjarëve të tij, por që një anëtar të familjes së gjyqtarit e ka punonjës të vetin. Po ashtu, disa gjyqtarë i kanë të punësuar fëmijët dhe bashkëshortët në prokurori, në shërbimin e provës, në drejtorinë e burgjeve, tek shkolla e magjistraturës apo në profesionin e avokatisë, institucione këto ndërvepruese me veprimtarinë e gjyqtarëve. Kuvendi, Presidenca, Ministria e Drejtësisë dhe institucione kushtetuese të pavarura, si dhe drejtoria e hipotekave, renditen në pozicionet e zakonta të punës së familjarëve të gjyqtarëve.

Megjithëkëtë, ka nga ata gjyqtarë familjarët e të cilëve nuk ushtrojnë funksione në fushën e së drejtës, por janë mjekë, infermierë por edhe mësues. Vetë kreu i gjykatës më të lartë, saj Kushtetuese, Bashkim Dedja ka deklaruar se bashkëshortja e tij është mësuese në një prej shkollave publike të kryeqytetit. Ka edhe nga ata gjyqtarë që fëmijët i kanë të punësuar në kompani të rëndësishme private në vend, ose jashtë tij, sikundërse ka nga ata famijarë gjyqtarësh që janë pjesë e trupave akademike universitare.

Edhe në pushtetin vendor ka të punësuar familjarë të gjyqtarëve. Ekspozimi i të ardhurave të kënaqshme të gjyqtarëve ka qenë kohët e fundit pjesë e debatit publik, të cilit nuk i ka shpëtuar dhe “flamurtari” i reformës në drejtësi, ambasadori Donald Lu. Ambasadori i SHBA­ve nga mbledhja e Konferencës Gjyqësore pohoi se gjyqtarët e korruptuar mbajnë në dorë ora të shtrenjta, të cilat për nga vlera ia kalojnë dhe makinës së tij.

Ky është rasti sipas tij që një gjyqtar të pranojë se është i korruptuar dhe do të shkojë në burg “Nëse ulni dorën dhe shihni kyçin e dorës dhe nëse mbani në dorë një orë më të shtrenjtë se makina ime, atëherë ka mundësi të jeni gjyqtarë të korruptuar. Nëse jeni i tillë, duhet ta lini këtë profesion menjëherë, pasi mund të futeni në burg. Gjyqtarët e korruptuar mbajnë në dorë ora ‘Cartier’”, tha Lu. Në mbështetje të punës së gjyqtarëve të ndershëm, ambasadori amerikan theksoi se duhet të kenë besim se ndryshimi po vjen.