Ministria e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni ka kryer transanksione në vlerën e 517 mijë euro që rezultojnë të dyshimta. Sipas të dhënave të portalit Spending Data Albania, më datën 18 Dhjetor, ministrja Gjermeni, nëpërmjet agjencisë AKPT, i ka kaluar një kompanie të quajtur “Kube Studios” shumën e 11 milionë e 207 mijë lekëve.

Ndërsa natën e Vitit të Ri, më 31 Dhjetor në thesar AKPT-ja ka kaluar për të njëjtën kompani shumën e 60 milionë e 379 mijë lekëve.

Në total një shifër prej afro 71 milionë e 580 mijë lekësh, ose një shifër afro 517 mijë eurosh. Sipas portalit hashtag.al që ka trajtuar këtë cështje, këto kalime fondesh nuk rezultojnë të publikuara në buletinët zyrtarë elektronikë të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Por në përshkrimin e bërë në thesar, ministria e znj.Gjermeni i justifikon kalimin e këtyre fondeve, me”realizimin e spoteve publicitare për prezantimin e planit kombëtar të territorit”.

Site on line Hashtag.al, thekson se pas një kërkimi në lidhje me produksionet e realizuara deri tani, zbuloi se shuma e majme prej 517 mijë eurosh, është dhënë për të realizuar gjithësej 5 konferenca nëpër qytete, ku pjesëmarrës ka qenë dhe kryeministri, dhe afro 20 klipe, me një kohëzgjatje maksimale prej 20 sekondash secila.

Ndërkohë që ekspertë të fushës së produksionit shpjegojnë se sot në Shqipëri, një klip muzikor i cilësisë më të lartë për njësi, kushton maksimumi 5 mijë euro, një klip i tillë ka kohëzgjatje maksimale 5 minuta.

Ndërsa 20 klipet e porositura nga ministria kanë kohëzgjatje totale 10 minuta. Që si rregull sot në treg 10 minuta produksion i cilësisë maksimale për njësi, kushtojnë jo më shumë se 15 mijë euro.

Instalimi i mjeteve në konferenca përfshirë me gjithë të drejtën e transmetimit në televizione nuk e kalon asnjëherë shifrën e 80 mijë eurove sipas ekspertëve. Që do të thotë se produkti i realizuar deri tani nga ky projekt i ministrisë së znj.Gjermeni ka një kosto që në asnjë rast nuk mund të kalojë shumën e 150 mijë eurove, ndërkohë që janë dhënë 517 mijë euro.

Në këto kushte bëhet e qartë se nëpërmjet promovimit të planeve të reja territoriale, ministria e Zhvillimit Urban, ka akorduar fonde tepër të dyshimta për prodhimin e spoteve, me buxhete stratosferike të paimagjinueshme e për më tepër që procesi i kontraktimit nuk rezulton i publikuar elektronikisht në regjistrin e tenderëve publikë.