Ndërsa kryeministri i vendit ka mbrojtur me forcë në çdo dalje publike dhënien me koncension të aseteve dhe shërbimeve publike, i ka quajtur ato si e vetmja rrugë e leverdisshme, paralelisht qeveria po bën çdo gjë për të mbajtur sa më pak transparente këto koncensione.
Që prej vitit 2007 në Shqipëri ekziston ajo që quhet Agjencia e Trajtimit të Koncensioneve(ATRAKO), një strukturë me mbi 15 veta personel e atashuar pranë Ministrisë së Ekonomisë.
Kjo agjenci është një institucion kyç, regjistron ofertat e kompanive private, ndjek negociatat dhe termat e kontratës, mbikqëyr koncensionin pasi lidhet kontrata dhe është e vetmja agjenci e specializuar për çdo informacion të nevojshëm mbi cilindo koncension të dhënë në këtë vend.
Por një hulumtim i HashtagAL zbulon se kjo agjenci në fakt bën çdo gjë tjetër përveçse funksionit që ligji i ka caktuar. Agjencia funksionon totalisht në hije, duket si një organizatë anonime dhe gati-gati ilegale.
Në faqen elektronike të agjencisë, mungojnë të dhëna bazike, nuk ka një e-mail ku mund të shkruash, nuk është e publikuar organigrama dhe as drejtuesit apo funksionarët e saj dhe numri i telefonit që është lënë për kontakt nuk funksionon.
Agjencia ka detyrim ligjor që të publikojë të gjitha kërkesat e kompanive private që kanë aplikuar për koncension si dhe të publikojë të gjitha të dhënat e regjistrit në lidhje me koncensionet e aprovuara, kush i ka përfituar, kur dhe për çfarë.
Por as regjistri i koncensioneve dhe as ai i kërkesave nuk është shpallur, ndonëse ekzistojnë si skedarë në faqe.
Agjencia ka detyrimin që çdo vit të hartojë raporte ose materiale informuese mbi aktivitetin e saj dhe kontrollet apo mbikëqyrjen që ushtron, por këto buletine nuk ekzistojnë dhe nuk gjenden askund për publikun.
Për këtë arsye i kërkuam informacion zyrtarisht Ministrisë së Ekonomisë dhe i nisëm vetëm dy pyetje që lidheshin me situatën e konstatuar.
Fillimisht nga ministria u premtua sqarim mbi këtë çështje por më vonë, ky premtim nuk u mbajt, përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë nuk u përgjigjën më tej ndaj interesimit tonë.
Nuk donin të jepnin asnjë sqarim, ndërsa ATRAKO është duke fshehur në mënyrë flagrante të dhënat mbi koncensionet.
Të dhënat e Spendingdata për ATRAKO
Nga një vëzhgim mbi shpenzimet e ATRAKO-s në transaksionet e thesarit të Shtetit të SpendingData, rezulton se kjo agjenci shpenzon vetëm rrogat e stafit, faturat e telefonit dhe tek-tuk dhe ndonjë udhëtim jashtë vendit kur i ftojnë në seminare dhe tryeza të rrumbullakëta.
Si rregull qeveria duhej të shpallte ‘me krenari’ të gjitha të dhënat mbi kontratat koncensionare që ka lidhur dhe që ka planifikuar t’i lidhë.
A nuk deklaron shpesh kryeministri se PPP-të janë një skemë suksesi që do rimëkëmbë resurset e vendit?
Por krejt e kundërta ndodh, kontratat dhe dokumentet ligjore që lidhen me koncensionet trajtohen në konspiracion të plotë, larg vëmendjes së publikut, ndërsa ATRAKO që si rregull duhej të ishte një agjenci ku publiku do informohej, realisht është kthyer në një sekt misterioz anonimësh, që askush nuk e di kush janë dhe çfarë bëjnë.