Open Data Albania ka bërë një krahasim të realizimit të të ardhurave të buxhetit të vitit 2015 në raport me parashikimet e bëra në momentin e hartimit të tij. Nga krahasimi i të dhënave del qartë që në total gjatë vitit 2015 janë mbledhur 33.3 miliardë lekë më pak nga sa qeveria kishte parashikuar. Konkretisht parashikohej që të mblidheshin 381.1 miliardë lekë. 

Në total për vitin 2015 kemi një realizim te buxhetit te shtetit prej 92%, një shifër që lë për të dëshiruar në raport me atë që qeveria ishte zotuar në momentin e hartimit të mbledhjes së të ardhurave. Vështirësi në realizimin e objektivave kanë pasur të ardhurat nga tatimet dhe doganat, ku është realizuar vetëm 92.5% e planit të fillim vitit. Specifikisht, të ardhurat nga taksat nacionale janë realizuar me 81%, tatimi mbi të ardhurat personale është realizuar me 86%, të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar janë realizuar me vetëm 93%, të ardhurat nga taksat doganore janë realizuar me 96% dhe të ardhurat nga akcizat janë realizuar me 98%. Tatimi mbi fitimin ka tejkaluar parashikimet me 6%. 
Të ardhurat nga ndihmat janë grupi i parë i të ardhurave në buxhetin e shtetit. Planifikimi për ketë zë ishte 14 miliard lekë por vetëm 12 miliard janë akorduar, duke shënuar një realizim prej 83%. Gjithashtu, grupi i dytë i të ardhurave të buxhetit të shtetit janë të ardhurat tatimore që përfshijnë të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të ardhurat nga pushteti vendor dhe të ardhurat nga fondet speciale. Ky grup është realizuar në rreth 95% të planit. Korrupsioni dhe emërimet nepotike në dogana edhe nga ndërkombëtarët shikohen si problemet kryesore që pengojnë realizimin e të ardhurave dhe vazhdimisht ka pasur sugjerime në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi.   
Problematikat
Vështirësi në realizimin e buxhetit ka pasur edhe pushteti vendor, ku janë mbledhur vetëm 86.2% e të ardhurave të planifikuara. Realizimin më të ulët e kanë taksat lokale, ku janë mbledhur vetëm 71% e të ardhurave të planifikuara. Mbledhja e taksave mbi pasurinë e paluajtshme është realizuar ne rreth 98% te planit ndërsa mbledhja e taksës mbi biznesin e vogël ka tejkaluar me 37% planifikimet e bëra. Të ardhurat nga fondet speciale paraqiten me një realizim të plotë të planit dhe gjithashtu me një tejkalim prej 7% te parashikimeve. Peshën më të madhe ne këtë përqindje realizimi e zënë të ardhurat për kompensimin në vlerë të pronarëve që paraqesin një realizim te planit me 198%. 
Grupi i tretë i të ardhurave të buxhetit të shtetit është ai i të ardhurave jotatimore. Të ardhurat jotatimore në total janë realizuar në nivelin 101%. Kjo përqindje e lartë realizimi vjen nga impakti i të ardhurave të transferuara nga banka e Shqipërisë. Bazuar në situatën e Bankës së Shqipërisë parashikimet për të ardhura ishin tepër pesimiste dhe kjo krijon një përqindje realizimi te këtyre te ardhurave me 1534%. Po ashtu të ardhurat nga institucionet buxhetore kanë tejkaluar planin me 15%, ndërsa zërat e tjerë mbeten në nivele realizimi mes 65 dhe 75%. Realizimi i buxhetit vlerësohet duke krahasuar buxhetin e planifikuar në fillim të vitit me buxhetin faktit në fundvit. Të dhënat për buxhetin e planifikuar merren në ligjin e buxhetit të shtetit, i cili si praktikë miratohet disa ditë para fillimit të vitit të ri. Të dhënat faktike jepen në statistikat fiskale të Ministrisë së Financave, rubrika e të dhënave mbi buxhetin.