Në 2009-ën janë bërë më shumë investime publike se në çdo vit tjetër nga viti 2004 deri në 2016-n, sipas një raporti të organizatës “Open Data Albania”.
Në vitin 2016, buxheti i shtetit ka planifikuar për investime publike 59.98 miliardë lekë, duke shënuar tkurrje kundrejt vitit paraardhës dhe vlerën më të ulët për investime publike të buxhetuara që prej vitit 2008.
Këto investime për vitin aktual janë planifikuar te kryhen me 53 për qind financim të brendshëm dhe 47 për qind të jashtëm. Në terma absolutë vihet re një rritje e financimit të jashtëm për investime publike dhe një rënie e financimit të brendshëm.
Niveli i investimeve publike ka pasur luhatje të mëdha gjatë këtyre viteve, ku rritja më e madhe me bazë vjetore është shënuar në vitin 2008. Në ketë vit, investimet publike u rritën me 65 për qind krahasuar me një vit më parë. Tendenca në rritje vijoi edhe për vitin 2009.
Në vlerë absolute, niveli më i lartë i investimeve publike është shënuar në vitin 2009 me 95.9 miliardë lekë.
Përgjatë viteve 2004-2016, mesatarisht 63 për qind e investimeve publike janë financuar nga burime të brendshme, ndërsa 37 për qind nga burime të jashtme. Çdo vit investimet publike janë dominuar nga nivele të larta të financimit të brendshëm, me përjashtim të vitit 2012 ku vetëm 44.5 për qind e investimeve publike janë financuar nga burime të brendshme.
2007-a përfaqëson vitin ku investimet publike janë financuar më shumë nga burime të brendshme, me rreth 85 për qind të tyre.
Sa u takon investime publike për banor, ato kanë ardhur në rritje të vazhdueshme nga viti 2004 deri në 2009-n. 2009-a shënon edhe vitin me vlerën më të lartë të këtij raporti, me 32 752 lekë investime për çdo banor.
Në vitin 2016 janë planifikuar 20 800 lekë investime për çdo banor, një vlerë kjo e ulët kundrejt buxhetimit të bërë në vitet e fundit.