Vetëm pak ditë më parë Ministria e Financave publikoi të dhënat paraprake për dy muajt e parë të vitit 2016, ku thuhej se të ardhurat totale janë realizuar në masën 60.2 miliardë lekë ose afërsisht 586 milionë lekë më shumë se plani 2 mujor i vitit 2016.
Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” përfshirë kontributet nga Sigurimet Shoqërore sipas financave janë realizuar në masën 103% krahasuar me planin ose 1.3 miliardë lekë më shumë.
Krahasuar me 2 mujorin 2015 janë arkëtuar 9.2 miliardë lekë më shumë ose +21%. Por si ka qenë vitit 2015 në realizimin e këtyre të ardhurave?
Akoma nuk është bërë bilanci përfundimtar i tyre, nga të dhënat zyrtare, por Open Data Albania (ODA) ka bërë një studim duke krahasuar muaj pas muaji të3 ardhurat në krahasim me planifikimin e buxhetit fillestar.
Sipas të dhënave të ODA-s, e cila i referohet statistikave zyrtare për vitin 2015 ka një realizim të buxhetit të shtetit prej 92%.
Në vitin 2015 janë mbledhur 381.1 miliardë lekë, rreth 33.3 miliardë më pak të ardhura sesa ishin planifikuar në fillim të vitit.
Ndarja sipas zërave kryesorë në mbledhjen e të ardhurave janë ndihmat, që konsiderohen dhe grupi i parë i të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Planifikimi për ketë zë ishte 14 miliardë lekë por vetëm 12 miliardë janë akorduar, duke shënuar një realizim prej 83%. Grupi i dytë i të ardhurave të buxhetit të shtetit janë të ardhurat tatimore që përfshijnë të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të ardhurat nga pushteti vendor dhe të ardhurat nga fondet speciale. Ky grup është realizuar në rreth 95% te planit.
Sipas të dhënave të ODA-s vështirësi në realizim kanë pasur të ardhurat nga tatimet dhe doganat, ku është realizuar vetëm 92.5% e planit të fillim vitit.
Specifikisht, të ardhurat nga taksat nacionale janë realizuar me 81%, Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP), është realizuar me 86%, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) janë realizuar me 93%, të ardhurat nga taksat doganore janë realizuar me 96% dhe të ardhurat nga akcizat janë realizuar me 98%.
Ndryshe ka rezultuar tatimi mbi fitimin, i cili ka tejkaluar parashikimet me 6%.
Po kështu vështirësi në realizimin e buxhetit ka pasur edhe pushteti vendor, ku janë mbledhur vetëm 86.2% e të ardhurave të planifikuara.