Sipas një analize të detajuar të portalit Open Data Albania shumica e kryetarëve të bashkive në vend i përkasin shtresave më të pasura të zyrtarëve. Të dhënat e këtij studimi pohojnë se 46 nga 61 në total prej këtyre drejtuesish bashkish për mandatet 2015-2019 zotërojnë në total 317 prona të patundshme, përafërsisht 7 prona për secilin prej tyre. Nga këto 317 prona 141 rezultojnë të jenë banesa; 50 troje; 46 toka bujqësore/kullota dhe pyje; 72 ambiente shërbimi si dyqane, zyra dhe parkingje.
Këto prona të patundshme janë të deklaruara që ndodhen në territorin e vendit, dhe vetëm për një rast kryebashkiaku i Cërrikut, Altin Toska ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 85 metra katror, një garazh me sipërfaqe 25 metra katror dhe një kantinë me sipërfaqe 8 metër katror në Brescia, Itali.
Po ashtu, janë 2 kryebashkiakët që deklarojnë që nuk kanë asnjë pronë të patundshme nën zotërim apo pronësi.
“Numri i kryebashkiakëve që kanë 0 deri 3 prona të patundshme është 15, me 4 ose 5 prona të patundshme rezultojnë 14, me 6 deri 10 prona të patundshme 9 kryebashkiake. Sipas kësaj analize të Open Data Albania, rezulton se 6 kryebashkiak kanë më shumë se 10 prona të patundshme nën zotërim dhe pronësi individuale, familjare apo të regjimit martesor. Këta kryebashkiak janë Basir ÇUPA, Bashkia Klos; Eduart KAPRI, Bashkia Pogradec; Fiqiri ISMAILI, Bashkia Vorë; Gjon GJONAJ, Bashkia Pukë; Majlinda BUFI, Bashkia Roskovec dhe Tonin MARINAJ, Bashkia Malësi e Madhe. Këtu mund të vendosej edhe Kryebashkiaku Vangjush Dako i cili ka deklaruar si pronë të vetme një Pallat 11 katesh.”, citohet në analizën e Open Data Albania.
Më tej thuhet se: “Në lidhje me vlerat monetare të këtyre pronave, nuk mund të përllogariten me saktësi sa kohë që këto prona kanë kryesisht specifikime vlere sipas çmimeve të tregut në vite të ndryshme. Vlerat janë vetë deklaruar sipas proceseve të legalizimeve, momentit të privatizimeve apo blerjeve të hershme. Deklarimi i pasurisë nuk detyron palët të bëjnë deklarime sipas çmimeve të referencës për sipërfaqe ndërtimi apo terreni në pronësi. Kjo praktikë në kushte të një tregu me shumë dinamikë në vitet e fundit, bën të pamundur një vlerësim real. Duke konsideruar vlerat e vetë deklarimit rezulton se 25 kryebashkiak vetë deklarojnë për pronësi me vlerë nën 50 mijë euro, 10 kryebashkiak vetë deklarojnë se zotërojnë 50 deri 100 mijë euro prona, dhe janë 11 kryebashkiakët që zotërojnë prona me vlerë mbi 100 mijë euro.”.
Po ashtu bëhet e ditur se kryebashkiak që zotërojnë dhe kanë në pronësi të katërta këto kategori janë: Basir Çupa, Fatos Tushe, Fiqiri Ismaili, Gjon Gjonaj, Jorgo Goro, Përparim Shametaj dhe Rajmonda Balilaj dhe Qazim Sejdini. Në element tjetër i hulumtimit në këtë artikull Open Data Albania është edhe burimi i deklaruar i pasurisë. “Autorë të artikullit kanë vlerësuar disa kategori si burimi i të ardhurave apo mënyrës së fitimit të pasurisë. Konkretisht është bërë kategorizimi në Blerje me Të Ardhura nga Puna apo Biznesi i deklaruar, zakonisht këto vërtetohen me bordero ose me pasqyra financiare; Legalizim Prone; Privatizim; Me Çelje Trashëgimie si trashëgimi ligjore apo testament; Kredi Bankare dhe Borxhe tek të Tretë; Dhurata; Të ardhura nga Emigracioni i Ligjshëm apo Klandestin; fituar me Ligjin 7501 Për Ndarjen e Tokave Bujqësore dhe prona të fituara me Kthim dhe Kompensim të ish Pronarëve. Analiza evidenton edhe Prona për të cilat nuk specifikohet burimi i fitimit në Deklaratën e dorëzuar pranë ILDKPKI. Kjo praktikë e parregullt është evidente në disa deklarime sipas subjekteve.
Deklarojnë se kanë krijuar pasuri me të ardhura nga emigracioni 5 kryebashkiakë. Pasuri që lindin nga Trashëgimia shënohen në 7 raste kryebashkiakësh, 23 kryebashkiak deklarojnë prona nga të ardhura të siguruara me punë dhe 10 raste janë prona të fituara me privatizime. Prona për të cilat në deklaratë nuk specifikohet burimi janë 24. Kryebashkiakët janë të zgjedhur për drejtimin e gjashtëdhjetë e një bashkive si njësi të qeverisjes vendore. Ata kanë mandat katërvjeçarë me të drejta rizgjedhjeje. Integriteti i figurës së tyre dhe kontrolli i pasurisë apo interesave janë çështje me sensibilitet dhe rëndësi sa i takon qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies. Kjo analizë është realizuar si pjesë e aktiviteteve të projektit Money, Government and Politics, MG&P projekt që realizohet nga AIS.”, përfundon analiza e Open Data Albania.