Shoqëria Aksionare e Hekurudhësh Shqiptare është kthyer në subjektin e raportit më të fundit nga Open Data. Funksionimi, xhiroja vjetore dhe shpenzimet e kësaj hekurudhe, edhe thuajse një vit pas inagurimit të stacionit të ri në Kashar, duket se nuk arrijnë efikasitet.
Hekurudha Tiranë- Durrës, ose që prej vitit 2013 ajo Kashar – Durrës, është 38 km e gjatë dhe lidh dy qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë. E ndërtuar gjatë viteve 1948-1949 ajo ishte hekurudha e dytë për transport pasagjerësh e ndërtuar në Shqipëri.
Shoqëria Aksionare e Hekurudhës Shqiptare është themeluar në vitin 2000 me seli qëndrore në Durrës dhe ortaku i saj i vetëm është Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. 
Në ditët e sotme, rrjetit hekurudhor shqiptar I mungon jo vetëm stacioni në kryeqytet, por edhe sinjalistika, komunikimi i duhur dhe, bazuar në raportet e fundit të Open Data edhe mbulimi I shpenzimeve të saj. 
Në harkun kohor të një viti, 120 Shoqëri me aksionar të vetëm apo mazhoritar kanë shënuar rritje kapitali prej 72.5 miliard lekësh, vlerë që rrit kapitalin me 81%. Kapitalin më të lartë e shënon pikërisht Hekurudha Shqiptare me 52.4 miliard lekë. 
Raporti I publikuar nga Open Data për periudhën 2012-2014 jep një pasqyrë edhe të mbulimit të Kostove të Punës përmes xhiros vjetore. Ky Mbulimi I Kostove të Punës përmes Xhiros vjetore të Shoqërisë është element që tregon nivelin e vetëfinancimit të institucionit publik. Hekurudha Shqiptare SHA në vitin e fundit të deklarimit kontabël (viti 2014) ka mbuluar me xhiro vjetore (raporti mes xhiros  dhe kostos së personelit) vetëm 66% të pagave dhe shpenzimeve për personelin duke u shënuar si rast: shoqëri e subvencionuar nga buxhete publike. Bazuar në të dhënat e mara nga QKR-ja, sic e shihni edhe në grafikun e ndërtuar nga Open Data, mbi 142,000,000 lek është kostoja e punës e pambuluar nga xhiroja vjetore. 
Në prill të vitit 2015 qeveria miratoi projektligjin për rindërtimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës, projekt ky I financuar nga BERZH I cili si synim kishte funksionimin e segmentit hekurudhor të parametrave Europian.  1.2 milion euro ka qënë shuma e përfituar nga qeveria shqiptare nga fondi për studimin e fizibilitetit për gjithë linjën hekurudhore shqiptare.  
Në një raport të qershorit 2015 të grupit të auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për kontroll të hekurudhës Shqiptare për periudhën e veprimtarisë 2011 – 2014, mbi hartimin, shqytrtimin, miratimin dhe zbatimin e programit ekonomiko-financiar, konstatohet se për vitin 2014, programi ekonomiko- financiar (buxheti vjetor) ka pësuar ndryshime gjatë vitit. Këto ndryshime në disa raste nuk janë miratuar me vendim të Keshillit Mbikqyres si dhe nuk janë miratuar tek aksioneri I vetëm, Ministria e ekonomise, tregtisë dhe sipërmarrjes. Sipas këtij raporti gjithashtu analizat periodike për nxjerrjen e përgjegjësve përkatës për devijimet nga programi i miratuar nuk janë zhvilluar. 
Sipas masterplanit, kapitali i sektorit privat nuk shihet si nje alternative e mundshme investimi ne periudhen afatshkurter. Rrjeti gjithpërfshirës Trans-Europian i Transportit, program ky i Bashkimit Europian për zhvilimin e infrastrukturës në Europë mbulon edhe seksionin e rehabilitimit të hekurudhës Durrës – Tiranë dhe ndërtimin e atij të ri Tiranë – Rinas ose ndryshe I quajtur korridori 8. 
Grupi i xhirimit të ABC News u nis drejt stacionit të Kasharit, të inaguruar në maj të 2015-ës nga Ministri i Transporteve Haxhinasto dhe kryetari i kuvendit  Ilir Meta, për të parë kushtet, çmimet dhe funksionimin e stacionit të trenit. Oraret e nisjeve të trenave nga Kashari në Durrës dhe anasjelltas, gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë së Transportit. Siç e shihni edhe nga pamjet, në stacionin e Kasharit nuk ka tren. Oraret janë shkurtuar.
Për sa kohë këto plane do të vazhdojnë të mbeten ne letër, Shqiperia do të vijojë të jetë nga të paktat vende në Europë e botë me nje rrjet të amortizuar e jashtë funksioni ndërsa ato linja hekurudhore ekzistuese i bëhen barrë e pajustifikuar buxhetit publik me kostot e pambuluara nga xhiro vjetore.