Zbardhet pasuria e kryeministrit Edi Rama për vitin 2015. Teksa 15 prilli ishte afati i fundit kur institucionet duhet që të deklaronin pasuritë e tyre, ‘Open Data Albania” ka arritur të sigurojë deklarimet e bëra nga shefi i qeverisë. Ajo që bie në sy është fakti se Rama ka deklaruar si pasuri për këtë vit vetëm të ardhurat nga paga si kryeministër, si dhe një shumë të marrë nga shitja e librit të tij “Kurban”, i cili vijon ende të shitet.

Më konkretisht, Rama ka deklaruar se nga paga si kryeministër ka fituar 2.037.188, kjo pas pagesës së tatimeve. Por ajo që bie në sy është fakti se ai ka përfituar më shumë para nga shitja e librit ‘Kurban” sesa nga paga e tij si kryeministër. Në deklaratën e tij të pasurisë për 2015, Rama ka treguar se të ardhurat nga libri janë 2.694.009 lekë.
 
Sa i takon pasurisë së tij personale, shefi i ekzekutivit ka deklaruar vetëm këto. Ndërkohë sa i takon dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes, del qartë se bashkëshortja e kryeministrit, Lindita Rama, ka një pasuri të konsiderueshme dhe disa llogari bankare. Sipas të dhënave, në 2015, zonja Rama në llogarinë personale në bankë ka shtuar 3.044.470 lekë. Po ashtu është shtuar gjendja Cash me 115.000 lekë.

“Të ardhura nga paga dhe puna si eksperte në vlerë neto pas pagimit të detyrimeve tatimore 1.929.676 lekë; të ardhura nga qira apartamenti në vlerë neto pas pagesës së detyrimeve tatimore 1.939.237lekë; të ardhura nga interesa bankare vlera neto pas zbritjes së detyrimit tatimor 4.294”, thuhet në deklaratë. Rama ka deklaruar edhe se ka paguar 7 mijë euro kredi, e marrë në 2013 me vlerë 80 mijë euro.
 
Pasuria e djalit të kryeministrit
 
Në pasurinë për vitin 2015, shefi i ekzekutivit ka përfshirë dhe të ardhurat e djalit të tij Gregori. Ajo që bie në sy është se edhe ai është artist dhe ka siguruar mjaft të ardhura nga pikturat. Më konkretisht, Gregor Rama ka deklaruar 3.400 Euro nga shitja e veprave të artit. Ndërkohë nga ana tjetër ka pasur një zbritje të llogarisë bankare me 197.629 lekë.
 
Pasuria e përgjithshme
 
Kur mori detyrën e kryeministrit, në vitin 2013, kryeministri Rama ka bërë deklarimin e përgjithshëm të pasurisë së tij. Ai vijon të jetë pronar me 100% i apartamentit të banimit Tiranë, tip parafabrikat me sip. 59 m2 , fituar me privatizim, sipas rivlerësimit të 2012 vlera 5.422.100 lekë. Po ashtu është pronar me 100% të studio artisti Tiranë, sip. 65 m2, me trashëgimi nga babai, me vlerë të raportuar 2 500 000 Lekë.

Si dhe bashkëpronar me 50% e ku 50% të tjera pjesë e regjimit martesor me bashkëshorten Lindita RAMA, shtëpi banimi me sipërfaqe të padeklaruar, përcaktuar një kat, me vlerë ndërtimi 39.607.741 lekë, vendndodhja e shtëpisë në fshatin Surrel, Komuna Dajt, pasuri që justifikohet me dokument leje ndërtimi, momenti i deklarimit pa titull pronësie. Në deklaratë, Rama është shprehur se bashkëshortja e tij si e pavarur nga regjimi martesor është pronare me 100% e apartament sip. 146.15 m2 + verandë 68 m2 + garazh 17 m2, vendndodhja Tiranë, blerë me pjesë në 2015 dhe 2009. Po ashtu ajo është pronare e tokë arë me sip. 4.483.5 m2 Surrel, Dajt, blerë në vitet 2005 dhe 2009, me titull pronësie për tokë arë.