Për qeverinë, viti 2015 ishte viti i rimëkëmbjes ekonomike. Dhe kjo rezulton të jetë e vërtetë për ata që votojnë në Parlament. Pasuria ka krijuar në politikën shqiptare një koalicion të madh, atë të lekut. 
Në renditjen që ka bërë Open Data, një organizatë joqeveritare, kundërshtarë të vjetër dhe të rinj në politikë kryesojnë së bashku listën e më të pasurve të Parlamentit për vitin 2015. Në llogaritjen finale përfshihen të ardhurat edhe nga bashkëshortet, fëmijët dhe bizneset e tyre. 
Nga të ardhurat e personave brenda çertifikatës familjare bie në sy se fëmijët e 4 njerëzve që janë në politikë prej 91-shit, Angjeli, Berisha, Ruçi dhe Dokle kanë fituar më shumë para edhe në vitin 2015. 
Por shumë politikanë shqiptarë, të vjetër dhe të rinj, kanë edhe fatin të kenë bashkëshorte me paga shumëmilionëshe. Lista e bashkeshortëve multimilionere nuk njeh ngjyrim politik dhe është përfaqësuese e denjë e koalicionit të lekut. 
Aty ku lista reduktohet ndjeshëm nga emrat e politikanëve, por jo nga pasuria e tyre, është deklarimi i fitimit nga bizneset. Të tillë janë vetëm 3, por me biznese përkatësisht Tom Doshi në Australi dhe Eduard Selami në Shtetet e Bashkuara. 
Lista e pasurisë së politikanëve fryhet menjëherë kur renditen të ardhurat nga shitja e pasurive apo marrja e detyrimeve nga të tretët. Të tilla transaksione kanë kryer 30 deputetë, ku bie në sy deputeti fjalëpakë i PDIU-së, Omer Mamo, ish-kandidati demokrat i Dibrës, Sherefedin Shehu dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, që mban vendin e tetë nga fitimet për shitjet e vetëm një apartamenti. 
Deputetët marrin të ardhura disa milionëshe nga aktiviteti i qiradhënies, edhe ky një zë i rëndësishëm në portofolin e pasurisë së tyre. Listën e kryeson këtë herë deputeti i opozitës Astrit Veliaj. Këtë aktivitet e kryejnë rreth 40 deputetë, por bie në sy se në shumicën e vendeve të para janë deputetët e opozitës. 
Politikanët kanë disa mënyra për të fituar dhe kryeministri Rama renditet i pari tek të ardhurat nga publikimet dhe e drejta e autorit. Konkurrenti i tij më i afërt edhe këtu është Ben Blushi. Të dy shesin libra, por kryeministri Rama ka fituar më shumë para në 2015-n, sepse ka shitur edhe piktura. 
Por ndërsa humbet betejën tek shitja e pikturave, aty ku Ben Blushi duket i pakonkurrueshëm edhe mes deputetëve më në zë, si profesorë të ekonomisë, janë të ardhurat nga transaksionet financiare. 
Për shkak të obligacioneve të deklaruara në 30 milionë lekë të reja, Ben Blushi, ka fituar më shumë se të gjithë kolegët deputetë, 2.500.000, duke i dhënë qeverisë Rama për vitin 2015 një borxh afatgjatë. 
Investimet në bono janë ato që taksohen më pak nga qeveria sesa rrogat e larta, por në platformën e tij kundër varfërisë. Nëse Blushi nuk kërkon ta indefikikojnë si një të majtë të pasur, atëherë duhet të listojë në platformë edhe kategorinë e investimeve të tij. 
Listës i mungon kreu i opozitës për shkak se është jashtë Kuvendit. Nëse nuk do të kishim këtë anomali, ai gjithësesi do të ishte ndër kampionët e politikanëve të pasur: ai liston në asetet e tij së paku 1 milion dollarë.