Është interesante të analizohet dinamika e sektorit informal të ekonomisë në raport me politikat fiskale të qeverise gjatë katër viteve të fundit. Në fakt, qysh në debatet publike përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013 kur u prezantua ajo që në shtyp u përcoll si ‘taksë e ndershme’, komuniteti i biznesit, në përputhje me madhësinë e fushësn së veprimtarisë ekonomike, filloi të moderojë pozicionimin e vet. Kështu, bizneset e mëdha, ndjeheshin ‘të qeta’ në paprekshmërinë e tyre dhe në shfaqjet publike me qeverisjen e majtë që po vinte në pushtet u pozicionuan përgjithësisht lehtësisht në favor të kësaj takse. Ndërkaq një numër i madh biznesesh të mesme u vunë nën presion në kuadër të ‘aksionit’ apo ‘luftës kundër informalitetit’. Kjo situatë u përsërit edhe në zgjedhjet e vitit të kaluar, me ndryshimin  mbështetja pa kushte e biznesit të madh ndaj qeverisë në lidhje me kontratat e premtuara në kuadrin e të ashtuquajturit ‘partneritet publik-privat’. E reja e këtyre zgjedhjeve që u vlerësua pozitivisht në përgjithësi nga komuniteti i biznesit ishte emërimi i një anëtari të kabinetit qeveritar për t’u marreë ekskluzivisht me problemet e sipërmarrjes në vend. E në këtë pleksje të tre agjentëve kryesorë: qeveria, konsumatorët dhe biznesi gjendet edhe sektori informal i ekonomisë. Të dhenat e revistës Monitor dhe Open Data Albania provojnë se politika voluntariste të qeverisë me synim zëvendësimin e taksës së sheshtë të zbatuar nga administrata e mëparshme, rritjen e taksës mbi biznesin e vogël dhe të mesëm e mbi të gjitha shtimin e të ardhurave buxhetore, kanë sjellë rezultate kontradikore. Kështu INSTAT raportonte se ‘gjatë vitit 2016 u regjistruan 31.377 ndërmarrje aktive duke shënuar një rënie me 44,8 % krahasuar me regjistrimet e vitit 2015″. Mirëpo kjo arritje e aksionit kundër informalitetit nuk u shoqërua me shtimin e të ardhurave buxhetore, të cilat gjatë së njëjtës periudhë u realizuan në masën 98%, të llogaritura si raport midis të ardhurave të realizura dhe atyre të planifikuara. Por gjatë gjithë dekadës së fundit është shfaqur edhe fenomeni i ndryshimit të shifrave të planit në fund të vitit në periudhën kur llogaritet realizimi i pritshëm vjetor i të ardhurave buxhetore, me synim që publikut t’i serviren shifra ne % afër 100 përqindëshit, pak a shumë siç veprohej në periudhën e regjimit komunist me realizimin e planeve pesëvjeçare. Ndërkaq në Maj 2016 shtypi me burim Drejtorinë e Pergjithshme të Tatimeve raportoi se, gati jgysma e bizneseve të regjistruara në vend (saktësisht 91 mijë biznese) kishin status pasiv, dmth gjatë 12 muajve të fundit nuk kishin raportuar asnjë transaksion, për rrjedhojë asnjë kontribut te të nrdhurat buxhetore. Kjo do të thotë se përveç bizneseve të mbartura formalisht në regjistrat e tatim-taksave, bizneseve të falimentuara nga kriza ekonomike globale si dhe bizneseve që po dilnin nga tregu për shkak të ‘aksionit’ të qeverisë, edhe format e informalitetit po ndryshonin. Të mos harrojmë se viti 2016 do të mbahet mend edhe si ‘viti i kanabisit’ efektet negative të të cilit në ekonominë dhe në shoqërinë shqiptare do të ndjehen edhe disa dekada me radhë.
Në Qershor të vitit 2017 Monitor raportonte se 1/3 e të punësuarve në sektorin privat ishin informalë (me një ulje numerike me rreth 1/3 kundrejt vitit 2015 kur kjo shifër deklarohej se ishte 48%), ndërsa nuk munguan edhe një numër punonjësish publik për të cilët institucionet nuk kishin paguar detyrimet për sigurimet shoqërore. Ndërkaq një studim i Bankës botërore në fund të vitit 2017 mbi rajonin, konstatonte se barrierat e mëdha rrgullatore kanë dëmtuar rritjen e qëndrueshme dhe krijimin e vendeve të punës. Pavarësisht se kaloi pa shumë vëmendje publike dhe në rrethet e analistëve të ekonomisë, është interesant konstatimi i një raporti të FMN-së vetëm pak javë më parë mbi madhësinë e sektorit informal të ekonomisë shqiptare me të dhëna të konsoliduara të këtij institucioni. Kështu në vitin 2015 ekonomia informale në Shqipëri vleresohej me 26,2%,  ndërsa në vitin 2013 ky nivel kishte qenë 25,6%, dmth kishte shënuar rritje dhe sistemi fiskal ishte ndryshuar. Taksat ishin rritur dhe aksionet e qeverisë kundër informalitetit dhe kundër mospagimit të faturave të energjisë elektrike ishin zbatuar në shkallë të gjerë. E tani që faza e tretë e ‘luftës kundër informalitetit’ është në zhvillim e sipër nuk është vështirë të parashikosh rezultatet e saj. Biznesi i çdo lloji, sidomos ai i huaji, ka nevojë për paqe më shumë se për gjithçka dhe aspak nuk ka nevojë për luftë. Ai ka nevojë për ‘rregulla loje’ të thjeshta, të qarta dhe të zbatueshme e që zbatohen në mënyrë të barabartë pavarësisht origjinës së kapitalit dhe mbështetjes poltike që gëzon pronari a pronerët e biznesit, ka nevojë për sa më pak ndërhyrje shtetërore dhe për një sistem ligjor funksional, ka nevojë për ndëshkim të rreptë të krimit, sidomos atij të organizuar, pra për rritjen e sigurisë së jetës dhe pronës në vendin tonë. E këto nuk mund të sigurohen me shpikjen e ‘armiqve të radhës’, as me ushqyerjen e opnionit publik me artikuj propagandistikë të blerë shtrenjtë me paratë e taksapaguesve shqiptarë në masmedian botërore, Ndërsa largimi i më shumë se 330 mijë shqiptarëve nga vendi gjatë 5 viteve të fundit dëshmon se edhe konsumatorët, janë të pakënaqur nga performanca e ekonomisë dhe ata, perveç mundësive të kufizuara për të siguruar mjetet bazë të jetesës në Shqipëri, po humbasin edhe shpresën për rimëkëmbjen e shpejtë të saj.