Open Data Albania numrin të të dënuarve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, sipas  masave të dënimit, në Republikën e Shqipërisë, gjatë periudhës kohore Janar 2013- Janar 2017.

 Analiza është realizuar për të dënuar në katër kategori dënimesh, të dënuar me dënim të përjetshëm; me dënim nga 20 deri në 35 vite heqje lirie; me dënim nga 15 deri në 20 vite dhe të dënuarit më pak se 15 vite. Të dhënat  bazohen tek Statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa përpunimi, komentet dhe analiza janë realizuar nga ODA.
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë parashikon në nenin 29 të tij, tre dënime kryesore për personat që kanë kryer krime: burgimin e përjetshëm, burgimin dhe gjobë. Po në paragrafin e dytë të këtij neni parashikohen dy dënime për personat që kryejnë kundërvajtje penale, konkretisht, dënimi me burgim dhe ai me gjobë. Dënimi me burgim për krimet jepet për një kohë nga pesë ditë deri në tridhjetë e pesë vjet. Maksimumi i dënimit me burgim u ashpërsua në vitin 2013, nga 25 vite ne 35. Për burgimin e përjetshëm, Kodi Penal parashikon disa kushte. Së pari, dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për kryerjen e një krimi të rëndë. Së dyti, dënimi me burgim të përjetshëm nuk jepet ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për gratë.
Të dënuarit me burgim të përjetshëm, apo të tjerë të dënuar po me burgim caktohen për vuajtje dënimi në institucione të caktuara posaçërisht për këtë qëllim, sipas parashikimeve të Kodit Penal. Kategoria e të miturve e kryen dënimin me burgim në vende të veçanta nga të rriturit dhe gratë e kryejnë dënimin me burgim në institucione të veçanta nga burrat. Këto dënime kryesore mund të shoqërohen me dënime plotësuese sipas rrethanave të çështjes dhe diskrecionit të gjyqtarëve. Kodi Penal parashikon gjithashtu edhe kushte për lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Konkretisht, një i dënuar i cili vuan një dënim me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga gjykata nëse ai ka vuajtur të paktën tridhjetë e pesë vjet burgim dhe nëse gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe qëllimi i riedukimit të tij është arritur. Përsa i përket dënimit me vdekje, Gjykata Kushtetuese me Vendimin Nr. 65 datë 10.12.1999 shpalli si antikushtetues dënimin me vdekje në kohë paqe, që parashikohej në Kodin Penal  dhe Kodin Penal Ushtarak. Kjo u nxit si rrjedhojë e aderimit të Shqipërisë në Statutin e Këshillit të Europës.
Duke iu referuar  statistikave, numri më i lartë i personave të dënuar me burgim të përjetshëm, në periudhën janar 2013-janar 2017, është shënuar në muajin janar të vitit 2017, ne 164 të dënuar. Vihet re një tendencë në rritje e personave  të dënuar me burgim të përjetshëm që e vuajnë këtë dënim në IEVP, nga viti në vit. Numri më i ulët i kësaj kategorie të dënuarish është shënuar në janar 2014, me 122 të dënuar me burgim të përjetshëm. Kjo ka ardhur si rezultat i politikës së ashpërsimit dhe rritjes së kriminalitetit për krimet e rënda. Kodi i procedurës Penale, ka parashikuar në nenin 75/a, krimet e rënda sipas një liste shteruese. Përsa i përket kategorisë së personave të dënuar nga 20 deri në 35 vite burgim, në janar 2017, numri i personave të dënuar me këtë fashë dënimi shënonte 348 persona.
Të dënuar sipas masave të ndryshme të dënimit me burgim  në IEVP në Republikën e Shqipërisë Janar 2013-Janar 2017
Kategoria tjetër e marrë në analizë, është ajo e personave të dënuar nga 15 deri në 20 vite burgim, në krahasimet janar 2013- janar 2017. Shifra më e lartë e personave të dënuar me këtë masë dënimi, është shënuar në janar  2014, me 406 persona që e vuajnë këtë dënim në Institucione.
Pjesa më e madhe e të dënuarve, janë dënuar nga gjykatat, me më pak se 15 vjet heqje lirie. Numri më i lartë i kësaj kategorie që e vuajnë dënimin në IEVP, është shënuar në janar 2014, me 2171 të dënuar me më pak se 15 vjet heqje lirie. Ky numër është ulur ndjeshëm në janar 2016, duke arritur në 1440 të dënuar me më pak se 15 vjet burgim.
Mbajtja e një të burgosuri në institucionet e vuajtjes së dënimit apo paraburgim është një proces që ka kosto financiare. Përllogaritur sipas pagesave për burgjet të bëra përmes transaksioneve të thesarit të shtetit, në vitin 2013 vlerësohej se një i burgosur mesatarisht kushtonte çdo vit pesëqind e njëzet e katër mijë lekë. Përllogaritja është bërë në një hulumtim të realizuar nga Open Data Albania.