Drejtimi i shoqërive tregtare publike në zotërim të bashkive preferon meshkujt në mbi 90 % të rasteve.
Ky është treguesi i hulumtitmit që po kryen Open Data Albania lidhur me raportet gjinore në drejtimin e shoqërive publike, duke veçuar ato që zotërohen nga bashkitë.
Sipas hulumtimit të Open Data Albania, rezulton që 94.7 % e administratorëve të këtyre shoqërive publike janë meshkuj dhe 5,3 % femra. Nga përditësimi i ndryshimeve kryer nga këto shoqëri pranë QKB, në periudhën 2016-2017 rezulton se kanë ndryshuar administrator 21 shoqëri. Nga këto, vetëm një shoqëri ka emëruar një administrator të gjinisë femërore.
Në Republikën e Shqipërisë janë të regjistruara në QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit) dyqind e njëzetë shoqëri publike, nga të cilat njëqind e trembëdhjetë (51%) zotërohen nga Bashkitë. Nga këto, 113 shoqëri aksionare vetëm gjashtë kanë një administrator të gjinisë femërore.
 
Shoqëritë publike që zotërohen nga bashki dhe kanë një administrator femër
Hulumtimi tregon se ” nga 113 shoqëri tregtare me zotërim nga bashkitë janë vetëm dyzet e tre shoqëri që kanë të paktën një anëtare të këshillit drejtues femër. Futboll Klub Kukësi dhe Futboll Klub Apolonia janë dy shoqëri që kanë plotësisht anëtarët e këshillit drejtues femra. Ndërkohë, janë shtatëdhjetë shoqëri të zotëruara nga bashkitë që nuk kanë asnjë anëtare femër në këshillin mbikëqyrës”. Pra,  Këshillat Mbikëqyrës janë gjithashtu, organe drejtuese të shoqërive.
 

 Shoqëritë publike që zotërohen nga bashki dhe kanë anëtare femra në borde apo këshilla mbikëqyrës
Open Data Albania citon në artikullin e saj hulumtues se  “nga 220 shoqëri publike në total, njëzetë e gjashtë (11.8%) kanë administrator femër. Kanë emëruar administrator të ri në periudhën 2016-2017 dyzetë e gjashtë shoqëri publike. Shtatë nga këto emërime kanë qenë të gjinisë femërore.”
Po sipas këtij hulumtimi, rezulton se nga njëqind e gjashtëmbëdhjetë shoqëri në total me zotërues një institucion publik nuk kanë asnjë anëtare femër në këshillin mbikëqyrës.
Raporti i administrimit nga gjinia femërore në shoqëritë publike që zotërohen nga bashkitë kundrejt atyre publike në total totale është 5.3% me 11.8%. Kjo tregon sipas Open Data, që bashkitë kanë më pak emërime të femrave në Këshilla Mbikëqyrës krahasuar kjo me institucione të tjera kryesisht ministri.