Gjyqtarja e radhës që do t’i nënshtrohet procesit të Vettingut është Vitore Tusha, e cila vjen nga rradhët e Gjykatës Kushtetuese.
Mësohet se nga Komisioni i Vettingut ka gjetje për gjyqtaren Tusha, të cilat ngrenë dyshime lidhur me pasurinë por edhe integritetin profesional. Tusha pritet të pyetet për burimin e pasurisë së saj por edhe sa i takon pikëpamjeve profesionale për vendimet e marra në disa dosje gjyqësore që ka kaluar në dorë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Open Data, Tusha ka të ardhura modeste, të cilat vijnë kryesisht nga puna e saj si gjyqtare dhe pedagoge në dy universitete private, shkruan politiko.al.
Më poshtë janë të ardhurat e deklaruara të gjyqtares Tusha. Të ardhura nga Paga dhe Shpërblimet:
1) Të ardhura nga paga si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, 1 896 470 lekë.
2) Të ardhura nga paga si lektor në Universitetin “Iliria”, 27 000 lekë.
3) Të ardhura nga paga si lektor në Universitetin “Luarasi”, 189 601 lekë.
4) Të ardhura nga Shkolla e Magjistraturës, si eksperte në “Trajnimin vazhdues të gjyqtarëve”, 1 484 euro.
Të ardhura të personave pjesë e Certifikatës Familjare:
1) E bija, Renisa Tusha, të ardhura nga punësimi në Milano, Itali, 11 089 euro.
2) E bija, Elira Tusha, të ardhura nga paga te Avokatura e Shtetit, janar-prill 2014, 221 565 lekë.
3) E bija Elira Tusha, të ardhura nga aktiviteti privat – noteri, tetor – dhjetor 2014, 232 632 lekë.
Të tjera:
1) Gjendja në lloarinë bankare në një bankë të nivelit të dytë, 1 543 lekë.
2) Gjendja në llogarinë bankare në një bankë të nivelit të dytë, 69 euro.
3) Gjendja në llogarinë një bankë të nivelit të dytë, 9 751 lekë.
4) Detyrim në shumën 25 000 euro.
5) E bija, Renisa Tusha, gjendja e llogarisë në një bankë të nivelit të dytë, 183 euro.
6) E bija, Elira Tusha, pakësim i gjendjes së llogarisë në një bankë të nivelit të dytë, – 31 700, Overdraft.
Pak ditë më parë Vetingu “dogji” gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, i cili nuk justifikonte pasurinë prej rreth 500 mijë dollarë, ndërsa argumenti i tij se ia kishte dhuruar motra nuk u mor në konsideratë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Pas përjashtimit të gjyqtarit Lulo, reagoi edhe kryeministri Rama, i cili në një status në Facebook paralajmëroi se ky ishte vetëm fillimi i proçesit dhe se publiku nuk kishte parë gjë akoma.
“Të gjithë shqiptarët që e mbështetën fort Vetingun, sot duhet të ndjehen mirë sepse nisja është e mbarë. Pas 17 gjykatësve e prokurorëve që i ikën Vettingut pa filluar, procesi nisi e i pari që u mor në pyetje s’e justifikoi dot pasurinë dhe ra! Jam i bindur s’kemi parë gjë akoma”, ka shkruar Rama më 23 Mars.
Në radhë për t’iu nënshtruar Vettingut janë mbi 60 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët do të japin llogari për ligjshmërinë e pasurive të tyre, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale.