Open Data Albania po klasifikon Koncesionet dhe Partneritetet Publik Privat PPP sipas llojit të Investimit, me Para Publike të Buxhetit të Shteti apo Investim të Partnerit Privat. Klasifikimi po bëhet për PPP të miratuara në katërvjeçarin 1 janar 2017 deri mars 2021. Po në këtë artikull listohen PPP sipas Titullarit të Autoritetit Kontraktor gjatë periudhës së vlerësimit, negocimit dhe nënshkrimit të kontratave koncesionare dhe PPP. Ky hulumtim bazohet mbi të dhënat e identifikuara nga kontratat koncesionare PPP, të publikuara në Regjistrin e Koncesioneve të OpenCorporates.al
Në këtë katër vjeçar janë finalizuar 25 kontrata koncesioni PPP me vlerë Investimi në total 138 037 594 809 Lekë ose 1 113 206 409 Euro. Numri më i madh i kontratave është lidhur në vitin 2017, konkretisht 11 Koncesione PPP, me vlerë investimi total 24 995 907 081 Lekë rreth 201 579 896 Euro.
Në vitin 2018 shënohet vlera më e lartë e investimit total 66 217 153 290 Lekë ose 534 009 301 Euro, për 6 kontrata koncesion PPP të finalizuara.
Në vitin 2019 janë miratuar 5 kontrata me vlerë investimi 30 872 557 856 Lekë ose 248 972 240 Euro. Viti 2020 janë miratuar dy kontrata koncesioni PPP me vlerë investimi 3 113 440 242 Lekë ose 25 108 389 Euro.
Gjatë Janar – Prill 2021 është miratuar kontrata e koncesionit Për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Lidhja e kontratës është njoftuar zyrtarisht. Vlera e Investimit për këtë Koncesion PPP është 12 838 536 340 Lekë rreth 104 310 500 Euro.
Investim Publik Buxhetor apo Privat është një tjetër tregues klasifikues me rëndësi. Investimi privat injekton para nga investitorët. Në rastin e koncesioneve PPP me Investim Publik kemi përsëri financat publike dhe taksapaguesit që financojnë. Koncesione PPP me financim privat 2017 -2020 janë tetëmbëdhjetë kontrata. Kontrata me Investim drejtpërdrejtë Fonde Publike janë miratuar shtatë, me vlerë Investimi 84 623 938 236 Lekë rreth 682 451 114 Euro. Në peshë kundrejt PPP të katër vjeçarit, 61 % e vlerës së investimit. Këto Investime po paguhen në vijimësi nga Buxheti i Shtetit. Rast përjashtimor janë dy kontratat për Insfrastrukturën Arsimore njohur si Projekti i Shkollave Koncesionare ku financimi garantohet nga një taksë speciale taksa për Infrastrukturën e Arsimit që paguhet nga banorë dhe rezidentë të Kryeqytetit.
Portofoli Ministror mbi Koncesione PPP. Gjatë periudhës në detyrë (2017-2018), zoti Damian Gjiknuri, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë ka drejtuar Institucionin Publik Palë në PPP gjatë kohës së vlerësimit dhe miratimit për trembëdhjetë Koncesioneve, me vlerë totale Investimi prej 70 139 438 289 Lekë, rreth 565 640 631 Euro. Nga këto një Koncesion është me mbështetje buxhetore, bëhet fjalë Për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit me shoqëri koncesionare zbatuese Gjoka 87 sh.p.k, me vlerë Investimi 33 600 000 000 Lekë.
Gjatë periudhës në detyrë si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë (2019 në vazhdim), zonja Belinda Balluku ka drejtuar Institucionin Palë në PPP gjatë vlerësimit dhe miratimit të pesë Koncesione PPP, me vlerë investimi në total 43 731 668 196 Lekë. Nga ku dy kontrata janë Koncesione më mbështetje buxhetore me investim 28 515 823 913 Lekë dhe zbatohen nga: Bardh Konstruksion sh.p.k shoqëri koncesionare e Koncesionit Për projektimin, ndëdrtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit Rrugor Milot Balldre dhe Rruga Orikum Llogara sh.p.k zbatuese e koncesionit Për projektimin, ndëdrtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Porti i Jahteve- Bypass Orikum – Dukat, Ura e Shën Elizës). Tre Koncesionet PPP të tjera të miratuara në kohën kur Institucioni Palë në Kontraktim drejtohej nga Zonja Belinda Balluku financohen nga pala private.
Gjatë periudhës në detyrë, krybashkiaku Erion Veliaj ka nënshkruar dy PPP me investim 4 102 552 269 Lekë, të cilat janë me mbështetje buxhetore. Financimi garantohet nga Taksa për Infrastrukturën e Arsimit që paguhet nga banorë dhe rezidentë të Kryeqytetit.
Zoti Lefter Koka në cilësinë e Ministrit të Mjedisit ka miratuar një Koncesion (datë 31 Gusht 2017) me mbështetje buxhetore 17 121 152 055 Lekë. Konkretisht Koncesioni PPP Për ndërtim të Landfillit, Inceneratorit dhe Rehabilitimin e Venddepozitimeve Ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike, me shoqëri zbatuese shoqëria Integrated Energy BV SPV sh.p.k.
Zonja Ogerta Manastirliu si titullar Ministria e Shëndetësisë, ka drejtuar Institucionin Palë në PPP, gjatë vlerësimit dhe miratimit të PPP Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake, zbatohet nga shoqëria koncesionare Laboratory Networks sh.p.k. Kjo PPP është financim nga buxheti i shtetit, në vlerën e investimit prej 1 284 410 000 Lekë.
Zoti Xhelal Mziu si Kryebashkiak ka drejtuar institucionin Palë në PPP, gjatë procesit të vlerismit dhe miratimit të kontratës Për dhënien me koncesion të shërbimit të pastrimit, grumbullimit, transportimit dhe seleksionimit të mbetjeve urbane për Qytetin Kamëz me shoqëri koncesionare ECO Cleaning sh.p.k me vlerë me vlerë 1 350 000 000 Lekë.
Zonja Anila Denaj ka drejtuar Institucion e Ministrisë së Financave, palë kontraktore në PPP Për Ofrimin e Shërbimit të kontrollit ligjor të instrumentave mates, nëpërmjet instrumentave shpërndarës të karburantit dhe gazit të lëngshëm, PPP që zbatohet nga shoqëria koncesionare NOA Inspect sh.p.k me vlerë Investimi 70 000 000 Lekë.
Zoti Sokol Dervishaj ka drejtuar Institucionin Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në momentin që është vlerësuar dhe miratuar PPP Për dhënien me koncesion të disa shërbimeve detare, me investim privat 238 374 000 Lekë. Kjo kontratë zbatohet nga shoqëria koncesionare e Shërbimit Detar sh.p.k.
Nga analiza vihet re se gjatë periudhës së marrë në shqyrtim ka një tendencë të delegimit të firmës nga ana e Titullarit të Institucionit tek Nëpunës të Autorizuar apo tek Nëpunës të tjerë të Institucionit. Excel-i që shoqëron artikullin ka të dhëna edhe për nënshkruesin.
Kontrata Koncesionare dhe PPP, në fuqi, të dhëna dhe Dokumente mbi Kompanitë e Regjistruara për Zbatimin e Tyre, janë të publikuara në një format lehtësisht të aksesueshëm dhe të mirë strukturuar në DataBazën Regjistri Koncesionar portali OpenCorporates.al. Dokumenti në Excel i këtij artikulli ka të dhëna dhe informacion mbi bazën e të cilit është bërë vizualizimi. Ky dokument është lehtësisht i shkarkueshëm dhe i lirë për përdorim. Të tjera databaza të Organizatës AIS, janë spending.data.al ; OpenPocurement.al dhe OpenCorporates.al
Ky artikull hulumtues po publikohet në kuadër të projektit Open Data, Access and Transparency over sectors to Risk of Corruption.
Shkarko excel: Burimi i Investimit dhe Portofoli Ministror për PPP janar 2017 – mars 2021Comment and Analysis: Open Data Albania