Open Data Albania po hulumton mbi Performancën Financiare të shoqërive që zbatojnë kontrata koncesionare apo Partneritet Publik Privat PPP, viti 2019. Tregues të Performancës Financiare janë pjesë e Pasqyrave Financiare të shoqërisë, janë Të Ardhura Vjetore dhe Fitimi Përpara Tatimit.

Për 2019 kanë ushtruar aktivitet 252 shoqëri PPP apo Koncesione. Të llojit PPP Koncesione janë edhe 14 shoqëri të cilat rezultojnë të Pezulluara, 7 shoqëri janë me statusin të Ç’regjistruar.

Nga 252 shoqëri koncesionare PPP aktive, nuk janë publikuar sipas detyrimit ligjor Pasqyrat Financiare, për 48 prej tyre, kryesisht shoqëri për operim vepra hidrike. Në 66 raste Aktiviteti dhe të Ardhurat Vjetore janë raportuar në vlerë zero.

138 shoqëri koncesionare PPP, kanë deklaruar të ardhura vjetore jo zero dhe kanë te publikuara pasqyra financiare. Prej tyre na rezulton një total të ardhurash prej 88.599 miliard Lekë, afërsisht 720 milion Euro, ose rreth 872 milion USD.

Kompanitë aktive që operuan dhe kanë raportuar përmes Pasqyrave Financiare në vitin 2019, shënuan total fitimi para tatimit në masën 16.21 miliard lekë  (rreth 131.7 milion euro).

Vlerën më të lartë Të ardhura viti 2019 e shënon Bankers Petrolium Albania 26.04 miliard lekë. Në vend të dytë qëndron po një shoqëri e shfrytëzimit minerar nëntoka, Albchrome me 7.6 miliard lekë. Vendi i tretë sa i takon të ardhurave Tirana International Airport me 6.96 miliard Lekë.

Shoqëria e parë në renditje, Bankers Petroleum Albania ka të ardhura të vitit 2019 në vlerën 26.04 miliard Lekë. Kjo shoqëri renditet e para ndër shoqëri koncesion PPP, për 2019 edhe sa i takon Fitimit me 5.33 miliard lek fitim para tatimit. Marzhi i fitimit kundrejt të ardhurave është 20.47%. Shoqëria në 2019 ka shpenzuar për Burime Njerëzore vlerën 1.62 miliard lekë ose 6.2% e të ardhurave vjetore. Bankers Petrolium Albania zbaton kontratën për Zhvillim dhe Prodhim i Hidrokarbureve në vendburimet e Patoz-Marinzës. Më herët shoqëria mbante emrin Saxon International Energy LTD-Albania Branch. Shoqëria koncesionare funksionon si degë e kompanisë mëmë e cila vepron sipas Ligjeve të Ishujve Cayman. Mëma (ne Cayman) është plotësisht në pronësi të Bankers Petroleum International Limited, një shoqëri e themeluar në USA dhe e zotëruar plotësisht nga Bankers Petroleum LTD në Kanada. Shoqëri mëmë që zotëron është Charter Power Invesment Limited e regjistruar nw Hong Kong, kjo vetë është  në pronësi të Geo – Jade Petorleum Corporatio, me seli dhe regjistër Tregtar në Kinë.

Kontrata Koncesionare daton vitin 2004 dhe ka pësuar ndryshime dhe ri miratime në 2008 dhe 2014. Kompania ka raportuar të ardhura për herë të parë në vitin 2006, të ardhurat më të larta janë regjistruar në vitin 2014 prej 53,4 miliard leke. Në  2019, ka shënuar një rritje prej 7.2% kundrejt vitit të mëparshëm. Një pasaportë me informacion, të dhëna, vizualizim mbi performancën financiare dhe dokumente për këtë shoqëri, si dhe kontratën koncesionare që ajo zbaton, mund të aksesohet në Regjistrin Koncesionar nga Open Corporates Albania. Po aty është e vizualizuar edhe ecuria e Të ardhura e Fitime ne Vite.

Shoqëria e dytë në renditje Albchrome ish Darfo në 2019 shënoi të Ardhura në vlerën 7.617 miliard lekë. Megjithëse në renditje të mirë sa i takon të ardhurave, Albchrome shënoi humbje dhe jo fitim përpara tatimit, prej 786.78 milion Lekë. Paketa kontrolluese e kapitalit të shoqërisë ka ndryshuar disa herë. Marrëveshja daton në vitin 2000, kompania ishte plotësisht nën zotërim të Darfo srl. Në datën 20 Nëntor 2010 u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit ndryshimi i emrit të Ortakut themelues të shoqërisë nga Darfo në ACR Holding. Në vitin 2016 zotëruesja ACR Holding ka shitur kuotat që zotëronte tek Albrome Holding shpk, kompani e zotëruar nga Balfin Group Balkan Finance Investmenet Group. Kjo kompani shfrytëzon me koncesion nëntokën e minierës në Bulqizë, Përrenjas dhe Pojskë në Pogradec, uzinat e Ferro-Kromit në Elbasan dhe Burrel, si dhe impiantin e pasurimit në Klos.

Shoqëria e tretë në renditje Tirana International Airoport me të ardhura vjetore për 2019 në vlerën 6.96 miliard lekë, funksionon në zbatim të kontratës të nënshkruar më 2004 për Ndërtim, Vënie në punë, operim dhe mirëmbajtje e aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza. Saga e kontrollit mbi paketën e aksioneve të shoqërisë që menaxhon aeroportin e Rinasit, daton me zotërim fillestar nga Hochtief Airoport GmbH me 78.7% të kapitalit dhe nga Albanian Amerikan Enterprise Fund me 21.3% të kapitalit Fillestar. Po në 2004 shoqëria Deutche Investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH u bë ortak duke blerë 31.7 % të kapitalit që zotëronte gjermania Hochtief Airoport GmbH. Në 2016 ortakët e shoqërisë ranë dakord për shitjen e plotë në favor të Real Fortress Private Limited një shoqëri kjo e krijuar dhe e rregulluar sipas Ligjeve të Singaporit. Veprimi i fundit kalon pronësinë me shitje në vlerën 71 milion euro tek Kastrati Group, Marrëveshja e blerjes së aksioneve ka datën dhjetor 2020. Tashmë shoqëria që menaxhon aeroportin Nënë Tereza ka ri negociuar marrëveshjen me Qeverinë Shqiptare duke fituar të drejtën e shfrytëzimit edhe për 13 vite të tjera totali 35 vite, kundrejt një plani investimi të miratuar me ligj. Pasaporta e krijuar për këtë shoqëri koncesionare ka të plotë historikun e transferimit të paketës kontrolluese mbi kapitalin, legjislacionin për Marrëveshje me palë Shtetin, të dhëna mbi planin e Investimit e çdo dokument tjetër. Shoqëria në vitin 2019 shënoi një fitim prej 3.1 miliard lekë ose 44.64% e të ardhurave vjetore në total. Burimet njerëzore shënuan kosto prej 908.9 milion lekë.

Shoqëria Aleat renditet e katërta sa i takon të ardhurave në vitin 2019 me 5.97 Miliard lekë apo rreth 48 milion euro. Kjo shoqëri ka pozicionin numër tre sa i takon fitimit për 2019. Shoqëria ka marrë me koncesion prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave prej vitit 2008. Dy zotëruesit e saj janë shoqëri të huaja konkretisht Idema Identity and Security Frane më herët Sagem Securite, shoqëri e regjistruar në Francë me 75% të kapitalit, dhe Fondi Shqiptaro Amerikan i Ndërmarrjeve si jofitimprurës i themeluar sipas ligjeve të Delaware në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (me zyrë përfaqësimi ne Tiranë, Shqipëri) me 25% të kapitalit. Kontrata e lidhur në 2008, ka ndryshuar në 2010 dhe 2013 me Afate të zgjatura të koncesionit. Kjo shoqëri në 2019 shënoi fitim të kënaqshëm në vlerën 2.27 miliard lekë që përbën marzh fitimi kundrejt të ardhurave 38.03%.

Gjoka 87 është një shoqëri koncesionare themeluar nga Gjoka Konstruction dhe zbaton koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit, kontratë e lidhur kjo me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Të ardhurat totale të raportuara për vitin 2019 ishin 5.6 miliard lekë. Gjatë vitit 2019 kjo shoqëri ka përfituar nga Thesari i Shtetit pagesa në vlerën 3.78 miliard lekë.

Albanian Highway Concession themeluar në vitin 2016 ka nënshkruar në dhjetor 2016 marrëveshje për ndërtimin, përmirësimin, operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot – Morinë me afat 30 vjeçar. Në fillim kapitali i shoqërisë sipas zotëruesve ndahej në kapital Vendas, Grek dhe Emirate të Bashkuara Arabe. Pas shitjes zotërues të kësaj shoqërie mbetën kompanitë vendase Salillari dhe Kastrati. Në vitin 2019 shoqëria shënoi të ardhura në vlerën 2.6 miliard lekë. Shoqëria ka mbështetje buxhetore dhe pagesa nga Thesari i Shtetit.

Ayen AS Energji është shoqëria që renditet në dhjetë shoqëritë koncesionare me më shumë të ardhura në vitin 2019, duke qenë shoqëria me nivelin më të lartë të ardhurave sa i takon sektorit Energjetikë. Shoqëria është themeluar në vitin 2011 me kapital Turk dhe Shqiptar. Kjo shoqëri vepron me pesë hidrocentrale përmes kontratave për Projektim, Ndërtimin, Financim dhe mirëmbajtje në Pëshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut zona Mirditë. Në vitin 2019 shoqëria shënoi të ardhura në vlerën 2.3 miliard lekë.

Integrated Energy BV SPV është në renditje numri tetë sa i takon shoqërive koncesionare sipas të ardhurave viti 2019 me 1.7 miliard lekë. Sipas Pasqyrave Financiare ka shpenzuar për Burime Njerëzore në 2019 vlerën 153.5 milion lekë dhe ka arkëtuar ne 2019 nga Thesari i Shtetit 1.07 miliard lekë. Shoqëria zotërohet nga Geo Genix një shoqëri e regjistruar në Holandë. Shoqëria zbaton kontratën koncesionare për Ndërtim Landfilli, Inceneratori dhe rehabilitim të vend depozitimeve ekzistuese të mbetjeve në Tiranë dhe Prodhimit të Energjisë Elektrike.

Devoll Hydropowerështë krijuar në vitin 2008 dhe që prej vitit 2013 zotërohet nga shoqëria holandeze Statkraft Markets B.V. Më parë shoqëria ka qenë në zotërim nga EVN AG dhe Statkraft AS. Koncesionari ka lidhur marrëveshje me objekt ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentraleve në lumin Devoll. Për vitin 2019, Devoll Hydropower renditet e nënta më një të ardhur totale prej 1,6 miliard lekë.

Në vendin e dhjetë për vitin 2019, renditja sipas të ardhurave qëndron shoqëria koncesionare S2 Albania me 1.5 miliard lekë.  Shoqëria zbaton Kontratën PPP për Financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve dhe automjeteve të tjera. Kontrata është lidhur Prill 2013 dhe është ndryshuar dy herë gjatë vitit 2015. Shoqëria S2 Albania zotërohet nga amerikania e regjistruar në shtetin Kaliforni Rapiscan Systems INC dhe shoqëria shqiptare ISMS. Kjo shoqëri shënoi fitim para tatimit në vlerën 274.7 milion lekë në 2019.

Dhjetë shoqëritë me Fitimit përpara Tatimit më të lartë, për 2019 janë Bankers Petrolium Albania; Tirana International Airoport; Aleat; Durrës Container Terminal, Alb-Energy, SGS Automative Albania; S2 Albania; Shoqëria Koncesionare Porti MBM (Multi Buoy Mooring), Diteko dhe GJO-SPA POWER.

Kompanitë aktive që operuan dhe kanë raportuar përmes Pasqyrave Financiare në vitin 2019, patën një total fitimi para tatimit në masën 16.21 miliard lekë (rreth 131.7 milion euro).

Shoqëria Durrës Container Terminal është mes shoqërive me vlera të larta fitim përpara tatimit, ajo renditet e katërta me 508 milion lekë fitim për 2019 dhe zbatonte kontratën e vitit 2011 për  Menaxhim, Operim, Mirëmbajtje dhe përmirësim teknik  të Terminalit të Kontenierëve në portin e Durrësit. Për këtë shoqëri kontrata e koncesionit është zgjidhur me vendim të Gjykatës Administrative të Apelit Durrës. Sipas vendimit shkak për zgjidhje është mos përmbushja nga ana e koncesionarit e detyrimeve që lindin nga kjo kontratë koncesionare. Shoqëria koncesionare zotërohet nga Durrës Kurum Shipping për 99.9% të paketës së kapitalit.

ALB-Energy është një shoqëri tjetër që na shfaqet ndër dhjetë shoqëritë me fitim të lartë përpara tatimit pa qenë në të njëjtën renditje sipas të ardhurave vjetore 2019. Shoqëria shënoi fitim në vlerën 305 milion lekë me marzh të lartë fitimi prej 69.21% të të ardhurave të vitit. Shoqëria është krijuar me kapital vendas dhe zbaton kontrata koncesionare në sektorin e veprave hidrike.

SGS Automotive Albania renditet në vendin e gjashtë sa i takon fitimit përpara tatimit. Shoqëria funksionon për zbatim të kontratës për Projektim, Financim, Rehabilitim, Testim, Shfrytëzim dhe Mirëmbajtje të Qendrave të Kontrollit Teknik të Automjeteve. Gjatë vitit 2019 shoqëria shënoi fitim para tatimit 294 milion lekë. Marzhi i fitimit qëndron në 30% të të ardhurave të vitit. Shoqëria është themeluar në 2009 dhe zotërohet nga zvicerania SGS Societe Generale de Surveillance.

Shoqëria Koncesionare Porti MBM zbaton kontratën për Ndërtim, Operim, Transferim të portit të tipit MBM, Porto Romano. Fitimi para tatimit për vitin 2019 është 255 milion lekë. Shoqëria është krijuar në vitin 2015, ortakët themelues ishin Adriatic Petroleum Platform për 97% të kapitalit dhe Salillari, ATEC srl, Mampaey Offshore Industries BV me nga 1%. Në 2019 shoqëritë Mampaey dhe ATEC i dhuruan përqindjet e tyre ortakut Adriatic Petroleum, dy ditë më vonë, Adriatic Petroleum shet kuotat e saj në favor të Adriatic Bay Investment Group shpk. Përfundimisht koncesionarja zotërohet nga Salillari me 1% të kapitalit dhe Adriatic Bay Investment Group me 99% të kapitalit, kjo e fundit zotërohet po nga Katrati Group.

Një tjetër koncesion për vepra hidrike renditet në dhjetë të parët sa i takon fitimit përpara tatimit. Diteko me kapital vendas me fitim në vlerën 234 milion lekë.

I fundit në dhjetëshen me fitim më të lartë për vitin 2019 renditet GJO-SPA POWER, që gjithashtu operon në fushën e veprave hidrike. Fitimi para tatimit për vitin 2019 është 229 milion lekë.

Të Ardhurat Vjetore përbëhen nga Të Ardhura nga Aktiviteti i Shfrytëzimit plus Të Ardhura të tjera nga Degët, plus Investimet e Kompanisë dhe të Ardhura të tjera Financiare të vitit.

Fitimi Para Tatimit është diferenca të ardhura totale të shoqërisë, me shpenzime totale të saj në atë vit ushtrimor. Këtu nuk është llogaritur shpenzimi për tatimin. Këtë fitim shoqëria mund ta ndajë në formë dividendi, ose ta ri investojë.

Të dhënat mbi performancën financiare, personalitetin juridik, statusin, objektin, çështjet ligjore, menaxhimin financiar, financimin publik ose privat, tarifa koncesioni dhe rregullime ligjore për shoqëri koncesionare janë të plota dhe të publikuara në format të mirë-strukturuara në Regjistrin Koncesionar të portalit Open Corporates Albania. Po njësoj në portalin Open Data Albania janë të publikuar dhjetëra analiza dhe hulumtime mbi Koncesione. Regjsitri Koncesionar dhe artikull hulumtues realizohen në kuadër të projektit Open Data, Access and Transparency over sectors to Risk of Corruption.

Shkarko excel: Bizneset Koncesionare PPP, Renditje sipas ardhurave dhe fitimit, Top 10 viti 2019
Komente dhe Analiza: Open Data Albania