NdiqParatë.Al po liston Biznese që kanë fituar kontraktime për Programin e Rindërtimit për bashkitë pas Tërmetit deri në Tetor 2021. Listimi është bërë sipas vlerës së kontraktimit. Kompanitë apo Operatorët veprojnë kryesisht në sektorin e ndërtimit. Programi i Rindërtimit për bashkitë pas tërmetit është një nga programet kryesore të Buxhetit të Shtetit për dy vitet e fundit. Ky Program synon të zgjidhë probleme të strehimit, infrastrukturës dhe zhvillimit të zonave të dëmtuara dhe viktimizuara nga Tërmeti i datës 26 Nëntor 2019.

Shoqëria e parë në renditje me shumatore më të lartë të vlerave fituese për tenderat e rindërtimit ështe SALILLARI. Kjo shoqëri është themeluar në 1994 dhe zotërohet nga Pëllumb Salillari.  Kompania ka të ardhura (xhiro) të vitit 2020 në vlerën 4.37 miliard lekë, ndërsa fitimi para tatimit është 454.5 milion Lekë. Marzhi i fitimit kundrejt të ardhurave është 10%. SALILLARI ka fituar dy kontrata të Programit të Rindërtimit për bashkitë me 2 tendera, me Bashkinë e Tiranës prokuruar gjatë vitit 2020 ato lidhen me zonat 5 Maji dhe Kombinat. SALILLARI ka fituar edhe  një tender tjetër Programi i rindërtimit për bashkitë por kësaj rradhe në bashkim me operatorin “Arb&Trans 2010”. Në total vlera e fituar apo kontraktuar nga Salillari shpk, Programi i Rindërtimit për bashkitë i vetëm pra pa bashkëpunime është 1.15 miliard Lekë.

Në vend të dytë sipas vlerës së fituar është një bashkim operatorësh përbërë nga kompanitë “Kronos Konstruksion” – “Everest” -“Arb&Trans-2010”. Ky bashkim operatorësh ka fituar 3 tendera në total për rindërtimin për bashkitë, gjatë 2020 me autoritet prokurues Bashkia Tiranë. Projektet janë për Zonën e Rindërtimit Kombinat.

Bashkimi i operatorëve “Nova Construction 2012” – “Alesio 2014” ndodhet në vend të tretë në renditje. Vlera totale e fituar nga kontratat e programit të rindërtimit për bashkitë është rreth 853 milionë lekë. Ky bashkim operatorësh ka fituar 2 tendera për rindërtimin, të prokuruara nga Bashkia Tiranë. Kryesisht në zonën e njohur si 5 Maji dhe kohëzgjatja e kontratave është dy vite. Të dy bizneset e këtij konsorciumi kanë edhe kontrata të tjera të fituara në kuadër të Programit të Rindërtimit me bashki si Kruja, Lezha. Durrës apo Tiranë.


Burimi: Agjencia e Prokurimit Publik
Perpunoi: Open Procurement Albania http://www.openprocurement.al/sq/tender/rindertimi


Burimi: Agjencia e Prokurimit Publik
Perpunoi: Open Procurement Albania http://www.openprocurement.al/sq/tender/rindertimi

Në vend të katërt, me vlerë totale të kontratave të nënshkruara 766 milionë lekë, është bashkimi i operatorëve “Egeu Stone”- “Boshnjaku.B” – “Pese Vellezerit”. Ky bashkim operatorësh ka lidhur 2 kontrata për Program Rindërtimi me objekt Godina e Bashkisë Vorë dhe Shkolla e Mesme Aleksandër Moisiu.  

Operatori i pesti në renditje sipas vlerave për kontraktim Programi i Rindërtimit për bashkitë është bashkimi i operatorëve “Alb Shpresa” -“Alb Tiefbau” -“Egeu Stone” – “Mela.” -“Infratech”. Ky bashkim operatorësh ka fituar dy tendera për rindërtimin të prokuruar nga Bashkia Tiranë në periudhën Gusht-Shtator 2020. Vlera e ofertës fituese për të dy procedurat është rreth 661 milion lekë.

Shoqëria e gjashtë në renditje është BAMI shpk, me vlerë totale të fituar 639.6 milionë lekë. Kjo shoqëri është shpallur fituese në dy prokurime për Fondin e Rindërtimit si Ndërtimi i rrugëve kryesore të zones për zhvillim njësia administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji” (Faza 1) – Procedura e tenderit është mbajtur në 2020 dhe kontrata me Bashkinë Tiranë është lidhur në datën 18.06.2021 dhe Ndërtimi i objektit te Polit te Ri Administrativ, Njesia Administrative Bubq Bashkia Kruje, ne kuader te procesit te rindërtimit (Programi i Rindërtimit)” – Procedura konkurruese e tenderit është mbajtur nga Bashkia Krujë në Prill të vitit 2021.

K A C D E D J A” – “Junik” është bashkimi i operatorëve që renditet në vend të shtatë për sa i përket vlerës totale të fituar nga fondi i rindërtimit për bashkitë. Tenderat e fituar nga ky bashkim operatorësh janë mbajtur gjatë vitit 2020. “K A C D E D J A” – “Junik” në bashkëpunim kanë finalizuar 3 (tre) kontrata me Qeverisjen Vendore Tiranë, kontrata që lidhen me zonat Kombinat dhe disa institucione arsimore Bashkia Tiranë. Vlera totale e kontratave pa TVSH është 626 milionë lekë.

ALB-BUILDING është shoqëria që renditet e teta me një vlerë totale prej 604 milionë lekë të fituar nga programi i rindërtimit. ALB-BUILDING është shpallur fituese në dy tendera të mbajtur nga Bashkia Tiranë për periudhën Gusht – Shtator 2020.

Bashkimi i operatorëve eknomikë: “Startek” – “B-93” – “Riviera” – “Duka” – “Viante konstruksion”-“AL -Asfalt” ka fituar një kontratë të vetme për rindërtimin me vlerë kontrate pa TVSH 567 milionë lekë. Procedura konkurruese për tenderin: Objekti i minikonkursit: “Ndertimi i Shkolles “Sami Frasheri” (Programi i Rindërtimit) është mbajtur gjatë periudhës Gusht 2020 nga Bashkia Tiranë dhe fituesi është shpallur në Nëntor të vitit 2020.

Dhjetëshen e parë në renditje e mbyll bashkimi i operatorëve: “Eurondërtimi 2000” – “Manetci” – ”K.A.E.XH.” shpk – “Mane/S”, i cili ka fituar një tender për rindërtimin me objekt: “Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 22 në zonën zhvillimore “5 Maji”. Ky tender është mbajtur nga Bashkia Tiranë në periudhën Gusht-Shtator 2020 dhe fituesi është shpallur në 18 nëntor të vitit 2020. Vlera e ofertës fituese pa TVSH është rreth 564 milionë lekë dhe ende nuk është finalizuar me kontratë.

Deri tani janë identifikuar 185 Operator Ekonomik të angazhuar në kontraktimet për Programin e Rindërtimit për bashkitë. Vlera totale e tenderimeve të analizuara është 33.55 miliard lekë. Dhjetë operatorët e parë në renditje kanë fituar  7.51 miliard lekë ose 22 % e totalit.

Exceli i artikullit zbardh të gjithë listën e operatorëve sipas vlerave dhe numrit të kontratave të fituara. Po njësoj aty janë edhe kontratat në renditje nga më e larta tek më e ulëta.


Burimi: Agjencia e Prokurimit Publik
Perpunoi: Open Procurement Albania http://www.openprocurement.al/sq/tender/rindertimi


Burimi: Agjencia e Prokurimit Publik
Perpunoi: Open Procurement Albania http://www.openprocurement.al/sq/tender/rindertimi

Databaza për prokurime transparente ka mirë strukturuar të gjitha procedurat për kontraktim të Fondit të Rindërtimit. Po njësoj pasaporta të kompanive kontraktore janë në databazën Open Corporates Albania.

Shkarko excel: Operator Ekonomik të suksesshëm në tenderime Programi i Rindërtimit për bashkitë pas Tërmetit, Renditje sipas Vlerës deri Tetor 2021
Komente dhe Analiza: Open Data Albania