Cilat janë masat ‘E Reja’ që Qeveria bëri publike, dhe cilat janë masa ekzistuese, paraprire ne Buxhetin 2022, apo ‘indeksim’ i Ligjit të Buxhetit 2022

Paketa e Rezistencës Sociale nuk është një paketë masash të reja, por kosto shtesë buxhetore e politikave ekzistuese qeveritare, të përfshira në Ligjin e Buxhetit 2022. Kostoja shtesë nuk është gjë tjetër vec se risku fiskal i materializuar i politikave ekzistuese dhe nuk ka pse serviret si paketë masash të reja.

Dje, datë 12 Mars 2022, Qeveria ka bërë publike Paketën e Rezistencës Sociale për të përballuar efektet e krizës së cmimeve, që po protestohet prej 4 ditësh nga qytetarët.

Masat e ndërmarra, të cilat shoqerohen me efekte buxhetore, nuk janë shpjeguar se si do të adresohen në Buxhetin e Shtetit. Ende nuk ka një Akt ligjor për amendimin e Ligjit të Buxhetit 2022 dhe përfshirjen e këtyre kostove në Buxhetin 2022. Megjithatë nga analizimi i treguesve fiskalë të Buxhetit 2022 konstatohet se masat e ndërmarra si rezistencë sociale pergjithesisht nuk janë masa të reja por vijim i politikave të planifikuar që në fundvitin e kaluar me përgatitjen dhe miratimin e Planit të Buxhetit 2022. Konkretisht:

Masa 1

‘Do të derdhën menjëherë 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë dollarë për të indeksuar pensionet. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve’

Ndërkohë në Ligjin e Buxhetit 2022 planifikohet ‘Rritja e nivelit të përfitimeve të pensionistëve sipas rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit dhe të shërbimeve, të përcaktuar në shportën e pensionistëve. Rritja është llogaritur me indeksin mesatar 2.5 % në vit, duke filluar në muajin prill të çdo viti dhe duke respektuar kështu edhe fondet e kontigjencës’. Për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.6 miliardë lekë dhe 3.5 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët.Masa 1 nuk është një mase e marrë dje për të përballuar krizen.

Masa 2

‘Për 434 mijë përfitues, qytetare e qytetarë të këtij vendi, qeveria do të kompensojë me lekë në dorë, rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të përllogaritur përpara goditjes është 25 mijë lekë të vjetra plus. Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen çmimeve të shportës, për:

-pensionsitët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale,

-pensionistët që jetojnë vetëm, (në kuptimin individualisht apo në çift)

-Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.’

Në Ligjiin e Buxhetit 2022 janë planifikuar 3.5 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët. Masa e ndërmarrë përllogaritet rreth 3.9 miliardë lekë. Mbetet për të parë nëse bonusi i planifikuar për pensionistet më parë do të zëvendësohet me kompensimin 3 mujor.

Masa 3

Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa, do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD, e cila do të derdhet menjëherë.

Në ligjin e Buxhetit 2022, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2022. (56.5 miliarde leke). Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si: blerja e vaksinave anti-COVID, skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetje për rininë dhe fëmijët. Pra, mbështetja e fermerëve përmes skemës së re të përjashtimit nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit të karburantit për prodhim bujqësor është planifikuar më heret si masë. Janë 3.2 miliardë lekë që shkojnë për mbështetje direkte ndaj fermerëve.

Rritja e mbështetjes financiare nuk është masë e re por materializim e risqeve të jashmte buxhetore, sic janë në këtë rast rritjet e cmimeve në tregje globale të karburantit e rrjedhimisht kosto shtesë për një masë të marrë më herët jo dje.

Masa 4

‘Qeveria do mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin.

Subvencionim i transportit publik nuk është zgjidhje e mjaftueshme. Aktualisht, në kryeqytet vërehet se tregu ndeshët me kërkesë të tepërt për transport publik, e cila nuk mbulohet nga shërbimi i kompanive të transportit në vend. Mbajtja e cmimit të pandryshueshëm të biletave do të rrisë më tej kërkesën për transport publik në kohë që alternativat e tjera të transportit bëhen relativisht më të shtrejta. Kërkohet kontroll dhe inspektim i cilësisë së shërbimit që ofron transporti publik.

Masa 5

Do të sjellë 2 muaj përpara, futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si dhe uljen e taksës mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë lekë të vjetra, që do të thotë, 56% e atyre që në Shqipëri jetojnë me punë dhe paguhen me pagë, paguajnë 0 taksë mbi pagën.

Referuar Relacionit të Buxhetit 2022’ Nëpërmjet ndryshimit të propozuar në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” rritet paga dysheme e pa tatueshme, nga niveli 30 mijë lekë në nivelin 40 mijë lekë në muaj. Për këtë interval pagash tatimi që do të paguhet mbi të ardhurat nga paga është 0%, duke mundësuar që çdo qytetar që siguron më pak të ardhura, të mos paguajë tatim dhe të ketë të ardhura më të larta’. Në fakt reduktimi i tatimit për këtë fashë do të përfitohet nga punëdhënësi, pasi paga neto që përfton qytetari është paga që i janë zbritur ndalesat e TAP-it e të tjera.

Sipas Buxhetit 2022, përllogariten të përfitojnë 71,500 qytetarë. Shuma e përfitimit është mesatarisht 7,800 lekë për vit për çdo qytetar.

Ndryshimi i propozuar gjithashtu parashikon reduktimin e normës tatimore me 50% për tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë/muaj deri në 50,000 lekë/muaj, ku përfitojnë rreth 58,000 tatimpagues me një shumë përfitimi rreth 11,700 lekë mesatarisht për vit.

Në të njëjtën linjë, mbështetet e gjithë shtresa e mesme duke rishikuar fashën e sipërme të taksimit progresiv. Tatimi 23% parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht. Numri i përfituesve nga ky ndryshim është rreth 5,900 tatimpagues dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23,000 lekë për tatimpagues/vit, në vlerën totale prej 135 milionë lekë në vit.

Futja në fuqi 2 muaj më parë e këtyre ndryshimeve do të shkaktojë rreth 229 milionë lekë të ardhura të munguara nga TAP.

Masa 6

Do tërheqë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 320 mijë lekë të vjetra.

Kjo masë do të shtojë kostot e punëdhënësit duke rënduar më tepër si kosto shtesë në prodhim, e duke ja tarifuar më tej konsumatorit. Kjo masë do të rrisë të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore.

Masa 7

Qeveria vendos menjëherë të shtojë 20 miliardë të tjera, 200 milionë dollarë, në financimin e mburojës së çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.

Buxheti 2022 ka parashikuar të garantojë 8 miliardë lekë për situatën dhe do të mbulojë blerjen e energjisë në tregun e huaj. Çmimet e energjisë nuk do të preken për konsumatorët dhe për bizneset e vogla dhe ne kemi parashikuar në bazë ta aktit normativ për buxhetin dhe buxhetin për vitin 2022 që të gjithë importet dhe vlera e kërkuar për importe do të mbulohet nga buxheti i shtetit”. Edhe në këtë rast masa 7 e marrë si financim shtesë, nuk është mase e re por materializim i një risku të jashtëm buxhetor.