Open Data Albania po hulumton mbi efektet buxhetore të përballuara nga Buxheti i Shtetit në kuadër të Programit të Rindërtimit nga tërmeti i ndodhur në Nëntor 2019. Kostot buxhetore të tërmetit janë alokuar në një fond të veçantë i emërtuar Fondi i Rindërtimit. Në artikull analizohen dinamikat e fondit në planifikim dhe në zbatim gjatë periudhës 2020-2022.
Ky artikull zbardh kostot e Buxhetit të Shtetit që financohen nga të ardhura tatimore, jotatimore nga ndihmat, apo huamarrje.
Në vitin e parë Fondi i Rindërtimit u shtua në Buxhet si fond ekstrabuxhetor. Referuar Ligjit të Buxhetit 2020 u planifikua fillimisht në shumën 20 miliardë lekë në ligj. Në Aktin Normativ Nr. 28 në Korrik 2020 plani u rrit në shumën 34 miliardë lekë, ndërsa në Aktin Normativ në Dhjetor plani final për Fondin e Rindërtimit u reduktua në 32 miliardë lekë. Gjatë 2020 Fondi i Rindërtimit u rrit me 12 miliardë lekë ose 60 përqind më shumë se plani fillestar.
Burimi: MFE
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Në Ligjin e Buxhetit 2021 Fondi i Rindërtimit u klasifikua si shpenzime kapitale pas shumë rekomandimesh nga partnerët ndërkombëtarë kryesisht nga BE për ta klasifikuar si të tillë. Në 2021 ky fond u planifikua në shumën 28 miliardë lekë. Gjatë këtij viti Ligji i Buxhetit u ndryshua me pesë Akte Normative, por vetëm Akti i fundit në Dhjetor 2021 preku Fondin e Rindërtimit, ku planifikimi final për vitin 2021 rezultoi 35 miliardë lekë. Gjatë vitit 2021 ky fond u rrit me 7 miliardë lekë ose 25 përqind më i lartë se plani fillestar.
Burimi: MFE
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Në vitin 2022 janë planifikuar 20 miliardë lekë për Fondin e Rindërtimit në Ligjin e Buxhetit dhe dy muajt e parë të vitit nuk ka pasur ndryshime të planit.
Burimi: MFE
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Në procedurat për menaxhimin e procesit të rindërtimit përcaktohet se në fund të vitit buxhetor, fondet e pashpenzuara nga ky Fond Rindërtimi trashëgohen në vitin pasardhës dhe përdoren për të njëjtin qëllim.
Ndryshimet e shpeshta të fondit të rindërtimit në këtë tre vjeçar dhe planifikimi në vitin pasardhës në masë më të madhe se fondet e pashpenzuara/trashëguara nga viti mëparshëm evidentojnë problematika në planifikimin dhe menaxhimin e procesit të rindërtimit. Edhe pse kostoja e dëmeve të tërmetit është përllogaritur menjëherë pas procesit të inspektimit të dëmeve, mbulimi i shpenzimeve nga buxheti i shtetit rezulton jo i qartë në plan.
Dinamikat në planifikim nuk janë tregues i vetëm që evidentojnë problematika në menaxhimin e rindërtimit, gjithashtu niveli i ulët i konsolidimit të fondit buxhetor dëshmon për zgjatje dhe shtyrje të procesit. Pavarësisht nevojave emergjente të qytetareve për menaxhim të efekteve të tërmetit, nga pikëpamja e administrimit qeveritar rezulton që procesi nuk ka qenë kaq emergjent sidomos në vitin e parë. Në vitin 2020 u realizuan vetëm gjysma e fondeve të planifikuar për rindërtim, rreth 16.6 nga 32 miliardë lekë të planifikuar, ose 52 përqind e fondeve, edhe pse me VKM ishin akorduar mbi 28 miliardë lekë. Në vitin 2021 vërehet një përmirësim i përpjekjeve qeveritare për menaxhimin në kohë të procesit të rindërtimit. Fondet e planifikuar për rindërtim u konsoliduan në masën 84 përqind ose 29.5 nga 35 miliardë lekë.
Burimi: MFE
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Nga analizimi i dinamikave të Fondit të Rindërtimit përkundrejt Shpenzimeve totale të buxhetit dhe deficitit buxhetor në këtë periudhë konstatohet se në vitin 2020, rritja e fondit të rindërtimit është shoqëruar dhe me rritjen e shpenzimeve totale dhe të deficitit buxhetor. Pra shtesa e buxhetit për rindërtim nuk ka ardhur si rialokim i buxhetit nga zëra të tjera por ka stimuluar rritjen e shpenzimeve totale dhe të deficitit. Rritje shumë më e lartë e deficitit në Korrik thelluar me 64.3 miliardë lekë kundrejt rritjes së buxhetit për rindërtim me plus 14 miliardë lekë, rezulton pasi në thellimin e deficitit nuk ka stimuluar vetëm rritja e shpenzimeve por dhe reduktimi i të ardhurave buxhetore, të cilat u tkurren si rezultat i pandemisë.
Ndërsa në vitin 2021, rritja e buxhetit në fondin e Rindërtimit nuk ka ndikuar në deficitin buxhetor. Përkatësisht fondi i rindërtimit u rrit në dhjetor 2021, ndërkohë që deficit nuk ndryshon në këtë periudhë.
Burimi: MFE
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: MFE
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Referuar buxhetit të planifikuar në 2020-2022, Fondi i Rindërtimit përbën përkatësisht 6 përqind të shpenzimeve totale në 2020 dhe 2021 dhe 3 përqind në 2022. Ndërsa referuar vlerave faktike pas konsolidimit buxhetor ky fond zinte 3 përqind të shpenzimeve faktike të 2020 dhe 5 përqind të shpenzimeve faktike të buxhetit 2021. Divergjenca e peshës faktike me atë të planifikuar në 2020 tregon që ka pasur një konsolidim më të dobët të fondit të rindërtimit.
Burimi: MFE
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: MFE
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Në raport me shpenzime kapitale, fondi i rindërtimit ka pasur një peshë më të madhe në 2020 rreth 26 përqind e shpenzimeve kapitale të planifikuar. Në 2021 plani për rindërtim përbënte 24 përqind të shpenzimeve kapitale ndërsa në 2022 planifikohet në masën 17 përqind. Duke qenë se konsolidimi i fondit të rindërtimit është jo i plotë, në terma faktike pesha rezulton më e ulët se plani i rishikuar, përkatësisht 16 përqind e shpenzimeve kapitale faktike ne 2020 dhe 23 përqind në 2021. Divergjencat më të larta shfaqen në vitin 2020, ku konsolidimi është më i ulët.
Burimi: MFE
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: MFE
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Analizimi i Fondit të Rindërtimit shfaqet me rëndësi të dyfishtë pasi përveç se një proces emergjent që kërkon menaxhim efektiv në kohë, gjithashtu ka një peshë të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.
Shkarko excel: Fondi i Rindërtimit plan vs realizim 2020-2022, efektet në Buxhetin e ShtetitKomente dhe Analiza : Open Data Albania