Propozimi i parë për amnisti fiskale në Shqipëri i përket vitit 1999, me iniciativë të ish-Presidentit Rexhep Meidani, por që nuk u pranua as nga qeveria dhe as nga opozita e asaj kohe. Gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri ka pasur të paktën dy iniciativa për amnisti fiskale bazuar në deklarim vullnetar të pasurive 2011 dhe 2020 në kuptimin e qasjes ligjore, por asnjëri prej propozimeve nuk ka gjetur konsensusin politik dhe të organizmave ndërkombëtar. Për këtë arsye, propozimi i vitit 2011 u miratua si iniciativë e thjeshta ligjore, me shumicë të thjeshtë votash dhe pa konsensusin e nevojshëm politik. Ndërsa propozimi i vitit 2020 vijon të jetë projekt, i ndryshuar në vitin 2022 dhe aktualisht në diskutim për dakordësinë e palëve të interesit dhe institucioneve ndërkombëtare.

Më poshtë po rendisim Bazën Ligjore dhe Iniciativat e Qeverisë Shqiptare ne dy dekada për Falje Detyrimesh, Legalizim, Rivlersim dhe Deklarim Vullnetar.



Tabela: Historiku i programeve të amnistisë fiskale dhe deklarimeve vullnetare në Shqipëri
Burimi: ODA
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ligji nr. 9986, datë 11.09.2008 Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve e të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe të gjobave e kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore. Programi për falje të detyrimeve u propozua nga Këshilli i Ministrave dhe u miratua në Kuvend me shumicë të thjeshtë votash.  Subjektet që përfituan nga programi janë Për personat fizikë e juridikë, institucionet shtetërore dhe ndërmarrje e shoqëri me kapital shtetëror. Subjekte të përjashtuara subjektet për të cilët ka filluar një procedim penal detyrimi i të cilëve është përcaktuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, ose që e kanë paguar detyrimin, me të gjithë komponentët e tij.

Ligji nr. 10228, datë 04.02.2010, i cili ndryshoi Ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 Për tatimin mbi të ardhurat. Ky ligj mundësonte rritjen e kapitaleve të shoqërive tregtare, të krijuara nëpërmjet të ardhurave të padeklaruara më parë nga individët, me qëllim për të legalizuar çdo aset të tyre të padeklaruar. Konkretisht rishikimi i ligjit Për Tatimin mbi të ardhurat. mundësonte njohjen e të ardhurave në formë monetare për shtimin e kapitalit, me burime nga jashtë shoqërisë, kapitale që nuk janë të tatuara më parë dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente  zyrtare,  që  vërtetojnë  origjinën e të  ardhurave.  Propozimi u bë nga Këshilli i Ministrave dhe u miratua me shumicë të thjeshtë votash. Procedurat  u përcaktuan me  udhëzim të Ministrit të Financave.

Ligji Nr. 10 418, datë 21.4.2011 Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor, i ndryshuar rivlerësimi i pasqyrave financiare deri në fund të vitit 2013. Amnistia fiskale e parë u propozua në Prill 2011, pas krizës financiare botërore të vitit 2008. Deklarimi vullnetar i pasurisë (DVP) ishte thelbi i programit të propozuar, në mënyrë që të shmangej evazioni fiskal në të ardhmen, dhe synonte legalizimin e pasurive dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor, ku përfshiheshin detyrimet tatimore të papaguara të individëve deri më 31 Dhjetor 2010. Propozimi për amnisti të përgjithshme fiskale dhe penale nuk gjeti përkrahjen e opozitës dhe programi u miratua si një praktikë ligjore alternative për legalizimin e kapitaleve dhe faljen e një pjese të borxhit fiskal. Miratimi i ligjit u bë me shumicë të thjeshtë votash, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe pa dakordësinë e opozitës. Subjektet që përfituan nga programi: Individët, personat fizikë dhe juridik. Nga falja e detyrimeve tatimore e doganore përjashtohen zyrtarët që kanë detyrimin për deklarim të pasurisë, si dhe personat juridikë, në të cilët këta zyrtarë kanë aksione apo kuota kapitali.

Ligji Nr. 39 datë 17.4.2014 Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore, të kryera për periudhën Mars – Gusht 2013. Kjo nismë ligjore synonte faljen e gjobave ndaj biznesit dhe sipërmarrjes të vendosura nga administrata si pjesë e detyrimit tatimor të tatimpaguesve, të vendosura gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare Mars – Gusht 2013. Ligji parashikon që brenda Tetorit 2013, administratat tatimore, qendrore e vendore, duhet të fshinte nga regjistrat gjobat e falura si dhe të bënte pasqyrimet e sakta.

Ligji Nr. 66, datë 14.07.2015 Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjektet juridike dhe fizike. Ligji u propozua nga Këshilli i Ministrave dhe u miratua me shumicë të thjeshtë votash. E drejta e subjekteve që përfitonin nga dispozitat e këtij ligji mund të ushtrohej në periudhën Gusht deri Tetor 2015. Brenda 3 muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, administrata tatimore fshin dënimet administrative, të falura sipas ligjit, dhe bën pasqyrimet konkrete të fshirjes në regjistrat e saj.

Ligji Nr. 33, datë 30.03.2017 Për pagesën dhe fshirjen apo shuarjen e detyrimeve tatimore të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi i mjeteve të transportit pas fshirjes dhe shuarjes së detyrimeve tatimore. Të gjithë tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv, pasiv ose të çregjistruar, që kanë detyrime tatimore të papaguara ndaj administratës tatimore qendrore e vendore, mund të përfitojnë nga fshirja apo falja, sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj. Drafti i parë i ligjit të faljes u kundërshtua nga FMN, e cila kërkoi që të fshiheshin vetëm ato detyrime që ishin të pamundura për t’u mbledhur dhe të bëhej maksimumi për të arkëtuar detyrimet e mbledhshme. Propozimi nuk pati dakordësinë e opozitës dhe për këtë arsye u miratua me shumicë të thjeshtë votash, pas amendimeve të bëra draftit të parë të ligjit.

Propozimi më i Fundit për Amnistinë Fiskale dhe Penale i propozuar në vitin 2020 është një iniciativë e cila u rithye nga Parlamenti për rishikime tek institucioni iniciues. Ky draft risillet në Konsultim Publik në Qershor 2022. Më me detaje oponencë, mendime dhe konkluzione për draftin aktual, mund të gjeni në Publikimet e organizatës AIS promotor Open Data Albania.

Shkarko excel: Programe të Amnistisë Fiskale dhe Deklarimeve Vullnetare në Vend, Historiku dhe Baza Ligjore
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Elivar Golemi