Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin Nr. 531/2023 me objekt “Për Krijimin e Shoqërisë Aksionare Shtetërore Operatori i Blerjeve të Përqendruare SHA, për kryerjen e Procedurave të veçanta të Prokurimit Publik”.
Sipas Këtij vendimi Operatori i Blerjeve të Përqendruare është shoqëri aksionare me Kapital Shtetëror që Funksionon në bazë të Ligjit Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare.
Ky vendim i Këshillit të Ministrave, i publikuar në fletoren zyrtare Nr. 133, datë 12/09/2023, është në shkelje dhe kundërshtim të ligjit “Për Prokurimin Publik”.
Konkretisht Neni 4, pika 1, shkronja b e Ligjit 162/2020 “Për Prokurim Publik” parashikon se “Autoritet Kontraktor është çdo ent i themeluar për të ndjekur një interes të përgjithshëm me karakter jo ekonomik apo tregtar.”
Për pasojë, Agjencia e Blerjeve të përqendruara nuk mund të funksionojë si shoqëri aksionere (tregtare, karakter ekonomik).
Kjo VKM, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, duhet të shpallet menjëherë e pavlefshëm nga vetë Këshilli i Ministrave.
I bëjmë thirrje Agjencisë së Prokurimit Publik të mos bëjë asnjë regjistrim në Sistemin elektronik të Prokurimeve për këtë Ent Autoritet Prokurues, të krijuar me VKM, por në kundërshtim me ligjin.
Nëse Këshilli i Ministrave nuk do të tërhiqet nga kjo VKM, Organizata AIS/ Open Data Albania do të iniciojë Pavlefshmëri të Aktit, përmes një padie për Kontroll Ligjshmërie.
Prokurimet Publike janë një sektor i rëndësishëm publik dhe vendi është angazhuar të plotësojë standarde të EU edhe në kuadër të procesit të Integrimit.
Aranita BRAHAJ
AIS / Open Data Albania