Në këtë artikull po zbardhim rezultate dhe rekomandime për Organin Legjislativ, të bëra në Raportin Vlerësimi i Sistemit Kombëtarë të Integritetit.
Ky raport për Shqipërinë Nëntor 2023 është realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”.
Raporti synon të vlerësojë kuadrin institucional duke u përqendruar në nivelet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies. Ky raport shënon vlerësimin e parë të këtij lloji të Shqipërisë që nga viti 2016.
Raporti vlerëson ecurinë e reformave të deritanishme për konsolidimin e institucioneve dhe thekson nevojën për masa të mëtejshme për të forcuar sistemin e integritetit kombëtar. Dokumenti i plotë në shqip mund të klikohet në webfaqen e IDM.
Ky Vlerësim u hartua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij janë përgjegjësi vetëm e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe nuk reflektojnë domosdoshmërish qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Më poshtë janë vlerësime dhe rekomandime për shtyllën Organi Legjislativ, vlerësimi bëhet sipas disa Rezultateve me 1 deri 100 pikë sa Kapaciteteve, Qeverisjes, Rolit dhe treguesve konkret:
Shqipëria është një republikë parlamentare. Kuvendi ka 140 deputetë të zgjedhur në bazë të sistemit zgjedhor proporcional në nivel rajoni me prag kombëtar prej një përqind dhe lista gjysmë të hapura, ku qytetarët kanë një votë preferenciale. Legjislatura e dhjetë nisi në shtator të vitit 2021.
Vihet re mungesa e pavarësisë së pushtetit legjislativ nga pushteti ekzekutiv për shkak të efekteve të sistemit zgjedhor, mungesës së demokracisë brendapartiake, qeverisjes njëpartiake dhe veprimeve të dobëta të opozitës për shkak të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të brendshme. Mbikëqyrja e Kuvendit ndaj organit ekzekutiv drejtpërdrejt ose me anë të mbështetjes së zbatimit të rekomandimeve të Institucionit të Lartë të Auditimit (KLSH) dhe Avokatit të Popullit për qeverinë është e dobët.
Kohët e fundit, Kuvendi ka shtuar transparencën dhe llogaridhënien e tij duke u angazhuar në mënyrë më aktive në konsultimin publik dhe me shoqërinë civile, por ky angazhim vazhdon të mbetet kryesisht formal për vendimmarrjen e Kuvendit. Megjithëse vazhdojnë të ekzistojnë mekanizma për sigurimin e integritetit të deputetëve, Kuvendi nuk e monitoron zbatimin e tyre. Dispozitat e etikës dhe integritetit zbatohen në mënyrë të dobët dhe sjellja e pahijshme e deputetëve në shumicën e rasteve nuk ndëshkohet. Kuvendi ka burime financiare të planifikuara dhe të përshtatshme, por stafi i tij politik dhe administrativ ekzistues në mbështetje të deputetëve është i pamjaftueshëm për veprimtarinë e gjerë të Kuvendit.
Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip
Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip
REKOMANDIMET E ORGANIT
- Kuvendi duhet të zhvillojë një metodologji për vlerësimin e fushave të mundshme për korrupsion në projektligje sipas standardeve ndërkombëtare dhe në konsultim me ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile dhe ta zbatojë në praktikë për propozimet ligjore nga Këshilli i Ministrave, deputetët dhe qytetarët.
- Kuvendi duhet të zbatojë në praktikë një kontroll legjislativ ex-post në kuadër të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit duke mbikëqyrur zbatimin praktik të legjislacionit dhe politikave kryesore.
- Kuvendi duhet të mbështesë zbatimin e rekomandimeve të pavarura institucionale për organin ekzekutiv duke shfrytëzuar në mënyrë efektive mekanizmat për kontrollin e organit ekzekutiv, siç janë seancat dëgjimore parlamentare, pyetjet dhe interpelancat për zbatimin e këtyre rekomandimeve.
- Kuvendi duhet të vlerësojë standardet e integritetit të parashikuara nga Kodi i Sjelljes për deputetët dhe të monitorojë efektet e tij praktike në veprimtarinë e deputetëve gjashtë muaj përpara përfundimit të legjislaturës. Duhet të rishikojë Kodin e Sjelljes sipas raportit të vlerësimit dhe monitorimit.
- Kuvendi duhet të sanksionojë shkeljet e integritetit dhe sjelljet e pahijshme etike nga deputetët, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.
- Kuvendi duhet të angazhohet në mënyrë aktive në konsultimet publike si pjesë e vendimmarrjes së tij legjislative dhe të vlerësojë dhe të marrë parasysh të dhëna nga ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët.
- Kuvendi duhet të regjistrojë, menaxhojë dhe të bëjë transparent vendimin dhe ndjekjen e tij për peticionet e dorëzuara në Kuvend nga qytetarët.
- Kuvendi duhet të punësojë staf në kapacitet e duhura për sa i përket formimit politik dhe administrativ për të mbështetur dhe mundësuar veprimtarinë e gjerë të komisioneve parlamentare dhe të Kuvendit me standarde të larta. Gjithashtu duhet të punësojë staf në kapacitet e duhura për sa i përket formimit politik për të mbështetur grupet parlamentare dhe deputetët individualë në mënyrë që të sigurojë një pavarësi më të madhe nga partitë e tyre politike përkatëse në vendimmarrjen e tyre.
Komente dhe Analiza: Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”