Në këtë artikull po zbardhim rezultate dhe rekomandime për Biznesin, të bëra në Raportin Vlerësimi i Sistemit Kombëtarë të Integritetit.
Ky raport për Shqipërinë Nëntor 2023 është realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”.
Raporti synon të vlerësojë kuadrin institucional duke u përqendruar në nivelet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies. Ky raport shënon vlerësimin e parë të këtij lloji të Shqipërisë që nga viti 2016.
Raporti vlerëson ecurinë e reformave të deritanishme për konsolidimin e institucioneve dhe thekson nevojën për masa të mëtejshme për të forcuar sistemin e integritetit kombëtar. Dokumenti i plotë në shqip mund të klikohet në webfaqen e IDM.
Ky Vlerësim u hartua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij janë përgjegjësi vetëm e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe nuk reflektojnë domosdoshmërish qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Më poshtë janë vlerësime dhe rekomandime për shtyllën Biznesi, vlerësimi bëhet sipas disa Rezultateve me 1 deri 100 pikë sa Kapaciteteve, Qeverisjes, Rolit dhe treguesve konkret:
Sektori privat rregullohet kryesisht nga Ligji për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare, Ligji për Regjistrimin e Bizneseve dhe legjislacioni për kontabilitetin, auditimin ligjor, tatimet dhe doganat, si dhe Kodi i Procedurës Administrative.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë vendos politikën ekonomike, ndërsa Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është krijuar për të mbështetur dhe mbrojtur sipërmarrjen private, për të rritur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të ndryshme në mënyrë që të përmirësohen shërbimet publike për bizneset dhe krijimin e një mjedisi miqësor dhe kushte të favorshme për sipërmarrjen që të lulëzojë.
Në 2022 ishin 125,222 shoqëri ekonomikisht aktive dhe po atë vit u regjistruan 15,700 shoqëri të reja. Shumica e bizneseve veprojnë në sektorin e tregtisë, ndjekur nga shërbimet e akomodimit dhe ushqimit, si dhe sektori industrial. Pjesa më e madhe e bizneseve në Shqipëri janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme që ofrojnë shërbime apo tregti dhe prodhim. Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) është autoriteti kompetent që merret me regjistrimin dhe licencimin e bizneseve si dhe administrimin e regjistrit të pronësisë përfituese. Ekzistojnë shumë dhoma të industrisë dhe tregtisë dhe dy këshilla shërbejnë si ndërmjetës ndërmjet institucioneve publike dhe jopublike.
Reforma rregullatore e ka bërë më të lehtë hapjen dhe mbylljen e bizneseve, por vështirësitë lidhur me procedurat e falimentimit, të drejtat e pronës, lejet e ndërtimit, autorizimet dhe aksesin në financa vazhdojnë të ekzistojnë. Autoriteteve të mbikëqyrjes iu nevojitet kapacitet dhe pavarësi më e madhe.
Mirëpo, ekzistojnë sfida në kategorizimin e ndërmarrjeve si të vogla, të mesme apo të mëdha në Shqipëri, meqenëse ligje të ndryshme përdorin përkufizime të ndryshme. Kjo mospërputhje jep shkas për boshllëqe ligjore dhe mbivendosje me ligjin tatimor, ligjin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ligjin për kontabilitetin që ofron klasifikime të dallueshme për bizneset e përmasave të ndryshme.
Dispozitat e transparencës janë gjithëpërmbledhëse, me ligje për regjistrat e pronësisë përfituese dhe standardet e raportimit financiar. Megjithatë, pronësia e më pak se 25% të aksioneve për përfituesit nuk është e detyrueshme të zbulohet në regjistrin e pronësisë përfituese. Raportet financiare të audituara të shoqërive të mëdha i dorëzohen autoriteteve tatimore dhe bëhen të disponueshme për publikun nëpërmjet bazës së të dhënave online të QKB-së. Në rast të kundërt, bizneset e vogla dhe të mesme detyrohen vetëm të nënshkruajnë bilancet e tyre nga një kontabilist dhe publikimi nuk është i detyrueshëm për ta. Janë vënë re vonesa në publikimin e raporteve vjetore dhe raportime të pasakta. Disa shoqëri të mëdha nuk arrijnë të dorëzojnë pasqyrat financiare pas marrjes së kontratave shtetërore. Është rritur progresi në tregun e audituesve ligjorë, por sfidat vazhdojnë në sanksionimin e mospërputhjes.
Janë bërë përpjekje për të krijuar kode sjelljeje dhe masa kundër korrupsionit, me kode në sektorë si bankat. Zbatimi i Kodeve të Etikës dhe standardeve të integritetit është i kufizuar, me sfida për konfidencialitetin dhe mekanizmat e pavarur të hetimit. Transparenca në ndëshkimin e shoqërive për korrupsion është e kufizuar, me raporte që janë shpesh anonime dhe rrallëherë të përditësuara.
Pavarësisht faktit se përfaqësimi i grave në pozicionet për drejtimin e shoqërive të mëdha tejkalon paksa mesataren e BE-së, dallime të konsiderueshme gjinore vazhdojnë të ekzistojnë si në pushtetin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Nismat si Plani Kombëtar i Veprimit për Gratë Sipërmarrëse kanë pasur ndikim të kufizuar.
Antikorrupsioni bën pjesë në agjendën e sektorit të biznesit, por nuk është një prioritet kryesor. Për më tepër, bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat dhe shoqërisë civile është i pazhvilluar.
Mjedisi i biznesit në Shqipëri i nënshtrohet korrupsionit për shkak të sfidave si informaliteti, kapaciteti i ulët dhe mungesa e efektivitetit e administratës publike dhe mosbesimi në sistemin e drejtësisë. Niveli i korrupsionit në Shqipëri vlerësohet si një nga problematikat më të mëdha madje edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Në Indeksin e Biznesit 2021-2022, ky element renditet në vendin e pestë ndër më shqetësuesit në klimën e biznesit mes 27 treguesve në total. “Nxitësit themelorë të performancës në klimën e biznesit – praktikat e drejta, të barabarta dhe transparente – janë shumë larg pritshmërive të shoqërive dhe investitorëve. Në vitin 2021, perceptimi i të anketuarve ka anuar për “Monopolin dhe konkurrencën e pandershme” (-2,95 pikë), “Nivelin e korrupsionit” (-0,79 pikë), “Burokracinë e qeverisë” (- 1,64 pikë) dhe “Zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve” ( -1.32 pikë).”
Sistemi i regjistrimit online u përball me problematika të hershme, por kontribuoi në uljen e korrupsionit në nivelet më të ulëta të administrimit. Qeveria themeloi Ministrinë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes për trajtimin e ankesave administrative.
Megjithatë, mungon një listë e zezë për të identifikuar sipërmarrjet e përfshira në akte korruptive dhe pastrimim e parave. E vetmja listë publike e disponueshme u përket individëve ose shoqërive që lidhen me financimin e terrorizmit, sipas detyrimit ligjor. Shpeshherë, informacioni për shoqëritë që përfshihen në korrupsion zbulohet vetëm gjatë hetimeve të policisë ose në seancat gjyqësore. Mungesa e një baze të dhënash gjithë përmbledhëse pengon vlerësimin e progresit dhe zbatimin e standardeve kundër korrupsionit nga bizneset.
Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip
Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip
REKOMANDIMET E ORGANIT
- Qeveria duhet:
- të nxisë miratimin e kodeve kundër korrupsionit nga bizneset duke i bërë ato të detyrueshme në proceset e prokurimit publik;
- të ketë një agjendë dhe metodologji konkrete për të luftuar korrupsionin në sektorin privat dhe të konsiderojë rezultatet e kësaj agjende në baza vjetore në bashkëpunim me shoqatat e biznesit;
- të përjashtojë praktikën e dhënies së kontratave në fushën e prokurimit publik pa konkurrencë dhe të mos shtyhet afati i ligjit “Për Investimet Strategjike”, duke i lejuar bizneset e këtyre sektorëve të konkurrojnë lirisht;
- të zhvillojë programe për të ndihmuar bizneset në luftën kundër korrupsionit duke ofruar mbështetje financiare për nismat kundër korrupsionit, nxitës për bizneset që miratojnë praktikat e qeverisjes së korporatës dhe financimin e projekteve të përgjegjësisë sociale.
- Sektori privat dhe shoqëria civile duhet të nxisin një bashkëpunim më të madh për të trajtuar në mënyrë efikase korrupsionin dhe për të promovuar transparencë dhe llogaridhënie më të madhe. Kjo mund të përfshijë zbatimin e nismave të përbashkëta ose krijimin e forumeve me shumë palë të interesuara për konsultim në mënyrë që të harmonizojnë agjendat e tyre.
- Qeveria dhe Kuvendi duhet të harmonizojnë ligjet tatimore dhe të kontabilitetit për të trajtuar madhësinë dhe llojin e biznesit duke u bazuar në të njëjtat standarde.
- Qendra Kombëtare e Biznesit duhet të bashkëpunojë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të publikuar në mënyrë automatike bilancet vjetore të shoqërive kur ato paraqiten në zyrat e administratës tatimore për të shmangur vonesat.
- Njësia Kundër Korrupsionit, Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Banka e Shqipërisë duhet të publikojnë dhe përditësojnë çdo muaj një listë të bizneseve të përfshira në praktika korruptive dhe pastrim parash, të ndara në lista të bizneseve nën hetim, të dënuara në Shkallën e parë dhe të dënuara me vendim të formës së prerë.
- Qeveria dhe Kuvendi duhet të ndryshojnë Ligjin për Pronësinë Përfituese, duke zvogëluar pragun për pronarët që duhet të deklarojnë pronësinë deri në 1 për qind të aksioneve dhe jo në 25 për qind siç është aktualisht.
Komente dhe Analiza: Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”