Në këtë artikull po zbardhim rezultate dhe rekomandime për Ndërmarrjet Shtetërore, të bëra në Raportin Vlerësimi i Sistemit Kombëtarë të Integritetit.
Ky raport për Shqipërinë Nëntor 2023 është realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”.
Raporti synon të vlerësojë kuadrin institucional duke u përqendruar në nivelet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies. Ky raport shënon vlerësimin e parë të këtij lloji të Shqipërisë që nga viti 2016.
Raporti vlerëson ecurinë e reformave të deritanishme për konsolidimin e institucioneve dhe thekson nevojën për masa të mëtejshme për të forcuar sistemin e integritetit kombëtar. Dokumenti i plotë në shqip mund të klikohet në webfaqen e IDM.
Ky Vlerësim u hartua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij janë përgjegjësi vetëm e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe nuk reflektojnë domosdoshmërish qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Më poshtë janë vlerësime dhe rekomandime për shtyllën Ndërmarrjet Shtetërore, vlerësimi bëhet sipas disa Rezultateve me 1 deri 100 pikë sa Kapaciteteve, Qeverisjes, Rolit dhe treguesve konkret:
Ndërmarrjet shtetërore (NSH) janë subjekt i rregullimit nga tre ligje themelore, përkatësisht Ligji për Ndërmarrjet Shtetërore, Ligji për Transformimin e Ndërmarrjeve Shtetërore në Shoqëri Tregtare dhe Ligji për Sipërmarrësit dhe Shoqëritë Tregtare. Nuk ekziston një regjistër publik të NSH-ve që kontribuon në mungesën e transparencës.
Pjesa më e madhe e NSH-ve mbikëqyren nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ndërsa pjesa tjetër mbikëqyret nga ministritë e posaçme të ndryshme sektoriale ose bashkitë. Megjithëse Ministria e Financave dhe Ekonomisë mban përgjegjësi nga ana ligjore për të drejtat e pronësisë shtetërore në të gjitha NSH-të, ajo delegon administrimin e NSH-ve drejt ministrive të posaçme. Mirëpo, disa vendime për pronësinë, si emërimet e bordit, kërkojnë koordinim ndërministror.
Struktura qeverisëse e NSH-ve përfshin një bord të mbikëqyrjes dhe një drejtor, ku bordi i mbikëqyrjes përbëhet nga anëtarë të emëruar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe ministria e posaçme për pronësinë ose njësia e qeverisjes vendore që mban përgjegjësi për emërimin e stafit drejtues të NSH-ve.
Pozicionet në bordin dhe stafin drejtues të NSH-ve shpesh perceptohen që të plotësohen në bazë të lidhjeve personale dhe politike sesa kualifikimeve profesionale, duke çuar në problematika për ndikimin politik dhe duke theksuar boshllëqet në kuadrin e caktimit të anëtarëve të bordit. Shpeshherë, anëtarëve të bordit u mungon pavarësia dhe autoriteti për vendimmarrjen, pasi shumë vendime paracaktohen nga qeveria. Për më tepër, shumë prej këtyre subjekteve shihen si të paqëndrueshme nga ana financiare. Rrjedhimisht, shpesh lindin debate rreth NSH-ve dhe marrëdhënieve të tyre me qeverinë.
Janë vendosur kufizime për dhurimet për partitë politike dhe disa dënime penale skualifikojnë individët nga pozitat drejtuese të NSH-ve. Deklaratat e pasurisë nevojiten për anëtarët e bordit dhe drejtorët e NSH-ve.
Ligji i trajton NSH-të dhe shoqëritë private në mënyrë të barabartë për sa i përket konkurrencës në treg, por disa shtrembërime konkurruese vazhdojnë të përsëriten, në veçanti në sektorë si energjia, aeroportet dhe portet, ku partneriteti publik-privat dhe rregullat e paqarta të qeverisjes pengojnë konkurrencën e drejtë.
Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip
Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip
REKOMANDIMET E ORGANIT
- Qeveria duhet të krijojë një agjenci koordinimi për standardizimin e praktikave të pronësisë së NSH-ve. Agjencia duhet të mbajë përgjegjësi përpara Kuvendit dhe të raportojë të dhënat e performancës së NSH-ve.
- Kuvendi duhet të ndryshojë Ligjin për Ndërmarrjet Shtetërore për të përcaktuar emërimin e anëtarëve të bordeve dhe menaxherëve të ndërmarrjeve shtetërore. Parimet duhet të pasqyrojnë kritere të unifikuara për profesionalizmin, edukimin, përvojën dhe etikën dhe duhet të përcaktohet se anëtarët e bordit nuk duhet të punësohen si staf politik apo të kryejnë veprimtari politike. Edhe shkarkimi i tyre nga detyra duhet të jetë pjesë e kësaj rregulloreje dhe të bazohet në kritere lidhur me performancën, efikasitetin, integritetin dhe vendimmarrjen e tyre në shoqëri. Për më tepër, ligji duhet të pasqyrojë të drejtën e punëtorëve të shoqërisë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të pasur një pozicion në bordin e shoqërisë.
- Pagesat e kryera nga ndërmarrjet shtetërore duhet të bëhen publike dhe Kuvendi duhet të ndryshojë ligjin për të integruar shpenzimet e tyre në sistemin e Thesarit të Shtetit në mënyrë që publiku të aksesojë këto të dhëna.
- Ndërmarrjet shtetërore duhet të publikojnë vendimet e tyre të bordit në faqen e internetit dhe mbledhjet e bordit duhet të bëhen të ditura në rastet kur nuk përfshihen çështje konfidenciale në agjendë.
- Kuvendi duhet të ndryshojë ligjet për ndërmarrjet shtetërore dhe prokurimet publike duke përfshirë të gjitha llojet e procedurave të blerjes në rregulloret e prokurimit publik të shoqërive shtetërore, duke përfshirë shpalljen e fituesit të të gjithë tenderëve dhe mbarëvajtjen e gjithë procedurës.
- Procedurat e punësimit duhet të kryhen sipas Kodit të Punës dhe mënyra e rekrutimit duhet të jetë transparente nëpërmjet një konkurrimi të hapur me qëllim përzgjedhjen e punonjësit më të aftë për pozicionin që ofrohet.
Komente dhe Analiza: Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”