Open Data Albania ka analizuar prokurimin publik të njësive të vetëqeverisjes vendore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Analiza evidenton numrin e procedurave të shpallura, vlerën e fondit limit dhe shpërndarjen e saj sipas bashkive, si dhe numrin dhe peshën e tenderave të vlerësuar me indikatorë risku “Red Flag” nga platforma Open Procurement Albania.
Treguesit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 pasqyrojnë situatën në momentin e realizimit të analizës. Për rrjedhojë, të dhënat mbi ecurinë e procedurave dhe klasifikimin e tyre me indikatorë risku “Red Flag” mund të ndryshojnë deri në përfundimin e procesit të vlerësimit dhe finalizimin e tenderave.
Gjatë periudhës janar-qershor 2026, njësitë vendore kanë shpallur 1 877 tendera, me fond limit të përgjithshëm prej 24.95 miliardë lekësh. Në të njëjtën periudhë të vitit 2025 janë shpallur 1 912 tendera, me fond limit total prej 13.92 miliardë lekësh.
Fondi limit i tenderave të shpallur gjatë 6-mujorit 2026 rezulton 11.03 miliardë lekë (ose 79.2%) më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kështu, gjatë 6-mujorit 2026, njësitë vendore kanë prokuruar një fond limit rreth 1.8 herë më të lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, përmes një numri më të ulët procedurash.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Bashkia Tiranë renditet e para për nga vlera e fondit limit të shpallur, me 6.32 miliardë lekë, ose 25.3% të totalit të të gjitha bashkive. Në vendin e dytë renditet Bashkia Kamëz, me 2.37 miliardë lekë, që përfaqësojnë 9.5% të totalit, ndërsa Bashkia Vlorë renditet e treta, me rreth 2.35 miliardë lekë fond limit të shpallur gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Pesë bashkitë me fondin limit më të lartë, Tirana, Kamza, Vlora, Himara dhe Lezha, përqendrojnë së bashku rreth 57.8% të fondit limit të shpallur nga 61 bashkitë e vendit gjatë kësaj periudhe.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Nga 1 877 tendera të njësive vendore për 6-mujorin të publikuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik (SPE) dhe të analizuar/monitoruar përmes platformës Open Procurement Albania, 556 janë kategorizuar me indikatorë risku “Red Flag”. Këto procedura përbëjnë 29.6% të numrit të total të tenderave të shpallur. Me fjalë të tjera, më shumë se një në çdo katër tendera është evidentuar nga algoritmi me të paktën një indikator risku.
Vlerësimi “Red Flag” kryhet automatikisht përmes filtrave analitikë të platformës Open Procurement Albania. Këta filtra evidentojnë elemente të procedurës që lidhen kryesisht me nivelin e konkurrencës, mënyrën e zhvillimit të tenderit, skualifikimin e ofertave, afatet e ofertimit dhe anulimet e përsëritura. Kategorizimi me “Red Flag” sinjalizon ekspozim të mundshëm ndaj riskut dhe nevojën për monitorim të mëtejshëm. Ai nuk përbën në vetvete provë për shkelje ligjore, korrupsion apo keqpërdorim të fondeve publike.
Fondi limit i procedurave të njësive vendore për 6-mujorin 2026 të kategorizuara me “Red Flag” arrin në 9.82 miliardë lekë, ose 39.4% të fondit limit të total të shpallur. Pra, rreth dy të pestat e vlerës së përgjithshme të prokuruar lidhen me procedura të evidentuara me të paktën një indikator risku.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Për nga vlera e fondit limit të procedurave të kategorizuara me “Red Flag”, Bashkia Tiranë renditet e para, me rreth 1.8 miliardë lekë. Kjo shumë përbën 28.5% të fondit limit të total të tenderave të shpallur nga bashkia.
Në vendin e dytë renditet Bashkia Kamëz, me 1.32 miliardë lekë të evidentuara me indikatorë risku, ose 55.8% të fondit limit të total të saj. Bashkia Lezhë renditet e treta, me 1.03 miliardë lekë, e ndjekur nga Bashkia Vlorë, me rreth 903 milionë lekë, dhe Bashkia Himarë, me 761 milionë lekë.
Këto pesë bashki përbëjnë së bashku 59.2% të fondit limit të të gjitha procedurave të kategorizuara me “Red Flag” për 61 Bashkitë dhe ndërmarrjet/shoqëritë në pronësi të tyre, gjatë 6-mujorit 2026.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në raport me fondin limit total të shpallur nga secila bashki, peshën më të lartë të procedurave të kategorizuara me “Red Flag” e regjistron Bashkia Shijak, me 72.9 për qind, e ndjekur nga Bashkia Lezhë, me 61.8 për qind, Bashkia Kamëz, me 55.8 për qind, dhe Bashkia Sarandë, me 55 për qind.
Për të siguruar një krahasim më përfaqësues dhe për të shmangur ndikimin e bazave të vogla të prokurimit në rezultat, renditja përfshin vetëm bashkitë me fond limit total të shpallur mbi 500 milionë lekë.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Të dhënat përfshijnë tenderat e shpallur nga bashkitë, ndërmarrjet dhe shoqëritë në pronësi të tyre. Në analizë nuk janë përfshirë tenderat e Shoqërive Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve, pasi 51 për qind e kapitalit të tyre zotërohet nga ministria përgjegjëse.
Rritja e ndjeshme e vlerës së prokurimeve të shpallura nga njësitë vendore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, merr rëndësi të veçantë edhe në kontekstin e ciklit të ardhshëm zgjedhor. Viti 2026 përbën periudhën që i paraprin zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor, të pritshme në pranverën e vitit 2027 sipas ciklit të rregullt zgjedhor, ndërsa viti 2025, i përdorur si bazë krahasimi, përkon me zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.
Zgjedhjet vendore kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për qeverisjen lokale, pasi përmes tyre zgjedhësit përcaktojnë drejtimin dhe përfaqësimin në nivel vendor. Në këtë kontekst, ecuria e prokurimeve publike të bashkive gjatë periudhës që i paraprin zgjedhjeve kërkon vëmendje dhe monitorim të shtuar, veçanërisht për procedurat me vlera të larta financiare dhe ato të kategorizuara me indikatorë risku “Red Flag”.
Më herët, organizata AIS/Open Data Albania ka realizuar raportin “Prokurimi Publik në Vitet Zgjedhore: Evidencë Statistikore dhe Analizë Risku 2015-2025”. Raporti rekomandon monitorim të posaçëm të prokurimeve publike gjatë periudhës parazgjedhore dhe vitit zgjedhor 2027, me vëmendje të veçantë ndaj procedurave me vlera të larta financiare, investimeve të shpallura në muajt që paraprijnë zgjedhjet vendore dhe tenderave të evidentuar me indikatorë Red Flag.
Shkarko excel: Prokurimet Publike të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, Gjashtëmujori i Parë 2026Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Era Vukaj, Loida Hasa
- AIS zhvilloi trajnimin e radhës në kuadër të projektit iMonitor 2.0
- AIS / Open Data Albania depoziton pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore rekomandime legjislative për përdorimin e fondeve publike dhe Buxhetit të Shtetit gjatë periudhave zgjedhore
