Tiranë, 28 Korrik 2026

AIS / Open Data Albania ka depozituar pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore një paketë rekomandimesh legjislative që synojnë forcimin e kuadrit ligjor për përdorimin e fondeve publike dhe Buxhetit të Shtetit gjatë viteve dhe periudhave zgjedhore, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike për përfitim apo ndikim elektoral.

Rekomandimet u prezantuan nga Drejtorja Ekzekutive e AIS / Open Data Albania, Aranita Brahaj, në Tryezën Teknike të Nivelit të Lartë “Preventing and Responding to the Misuse of Administrative Resources in Electoral Processes”, organizuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore me mbështetjen e OSBE/ODIHR dhe National Democratic Institute (NDI). Pas zhvillimit të tryezës, dokumenti është depozituar si kontribut zyrtar i organizatës në procesin e Reformës Zgjedhore.

Dokumenti i plotë me rekomandimet legjislative të depozituara pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore mund të lexohet dhe shkarkohet në këtë link:

AIS / Open Data Albania ka një angazhim të vazhdueshëm në çështjet që lidhen me transparencën e financimit politik, përdorimin e burimeve publike dhe integritetin e proceseve zgjedhore. Në kuadër të këtij angazhimi, organizata ka kontribuar edhe më herët në proceset konsultative për hartimin dhe miratimin e kuadrit ligjor mbi financimin e partive politike, duke paraqitur rekomandime dhe analiza gjatë procesit të shqyrtimit parlamentar të këtij legjislacioni.

Kontributi i AIS / Open Data Albania në këtë fushë është i orientuar drejt forcimit të transparencës, kontrollit publik dhe mekanizmave ligjorë që garantojnë konkurrencë të ndershme politike. Dokumentet dhe rekomandimet e mëparshme të organizatës lidhur me financimin politik janë të aksesueshme në këtë LINK.

Rekomandimet e depozituara pranë Komisionit mbështeten në analizën dhe monitorimin shumëvjeçar të AIS / Open Data Albania mbi financat publike, transparencën fiskale dhe administrimin e burimeve shtetërore. Ato propozojnë ndërhyrje konkrete në legjislacion për të forcuar integritetin zgjedhor, llogaridhënien publike dhe mbrojtjen e financave publike nga përdorimi për qëllime elektorale.

Tre rekomandimet kryesore të AIS / Open Data Albania janë:

  • Rikthimi në standardet kushtetuese për ndryshimin e Ligjit të Buxhetit të Shtetit, duke ndërprerë praktikën e ndryshimeve të buxhetit përmes akteve normative me fuqinë e ligjit, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.
  • Përmirësimi i Ligjit Organik “Për Sistemin Buxhetor”, duke vendosur mekanizma të posaçëm mbrojtës për vitet zgjedhore, jo vetëm për kontrollin e deficitit buxhetor, por edhe për kufizimin e kategorive të shpenzimeve publike që mund të krijojnë avantazh elektoral ose të ndikojnë në vullnetin e zgjedhësve.
  • Ndryshimi i nenit 91 të Kodit Zgjedhor, për të zgjeruar dhe qartësuar ndalimet mbi planifikimin, miratimin, alokimin, zbatimin dhe garantimin me fonde publike të përfitimeve financiare apo në asete gjatë periudhës zgjedhore, si dhe për të forcuar kompetencat e Rregullatorit në nxjerrjen e akteve nënligjore dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre.

Këto rekomandime synojnë të forcojnë garancitë ligjore për administrimin e paanshëm të financave publike gjatë proceseve zgjedhore dhe të kontribuojnë në harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira, të ndershme dhe me integritet.

AIS / Open Data Albania vlerëson mundësinë për të kontribuar në procesin e Reformës Zgjedhore dhe shpreson që këto rekomandime të merren në konsideratë gjatë shqyrtimit të ndryshimeve ligjore.

Organizata mbetet në dispozicion të Komisionit për të ofruar argumentim të mëtejshëm juridik dhe teknik mbi secilin prej propozimeve.

  • #AIS / Open Data Albania
  • #Reforma Zgjedhore
  • #Integriteti zgjedhor
  • #Keqpërdorimi i burimeve administrative
  • #Përdorimi i fondeve publike në zgjedhje
  • #Buxheti i Shtetit dhe periudhat zgjedhore
  • #Transparenca fiskale
  • #Financimi politik
  • #Menaxhimi i financave publike
  • #Rekomandime legjislative