Shpenzimet totale të Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit janë pagesa të pakthyeshme që kryen Qeveria për realizmin e funksioneve të saj nëpërmjet blerjes së mallrave, shërbimeve, transfertave apo pagesave të interesit. Në të dallohen dy grupe kryesore: shpenzimet korrente dhe shpenzimet kapitale. Në shpenzimet korrente përfshihen pagesat për shërbime dhe sende të konsumueshme për më pak se një vit, interesat për borxhin dhe subvencionet e ndryshme. Ndërsa në shpenzimet kapitale përfshihen pagesat për sendet dhe shërbimet me afat përdorimi mbi një vit.

Sic mund të shikohet nga grafiku, vihet re një rritje e vazhdueshme e shpenzimeve totale të Buxhetit të Shtetit. Këto ritme janë më të larta kryesisht pas vitit 2006, për të arritur maksimumin në vitin 2008, ku shpenzimet u rritën me 23% kundrejt vitit 2007. Ndër faktorët kryesor që ndikuan në një rritje kaq të lartë ishin investimet, të cilat shënuan një nivel 37 miliardë lekë më të lartë se sa një vit më parë. Edhe viti 2009 spikat për një shpenzime të konsiderueshme, por këtë herë diferencën e bëjnë shpenzimet korrente, 35 miliardë lekë më shumë se sa në vitin 2008.

Interesante është tkurrja që kanë pësuar shpenzimet në vitin 2010, duke u ulur me 4.8% ku vendin kryesor e zënë investimet me një rënie prej 30 milard lekësh apo 30% kundrejt vitit 2009.

Struktura e shpenzimeve të buxhetit

Me strukturë të shpenzimve të buxhetit kuptohet raporti që zënë shpenzimet korrente dhe kapitale kundrejt shpenzimeve totale.

Vihet re se deri në vitin 2005, zërin kryesor të shpenzimeve e zinin ato korrente, ndërkohë që pas këtij viti, trendi fillon të ndryshojë, duke i dhënë gjithmonë e më shumë përparësi shpenzimeve kapitale, si domosdoshmëri për të mbështetur rritjen ekonomike. Në vitet 2008 dhe 2009, shpenzimet kapitale zënë peshat më të larta me 27% dhe 25%, vite që përkojnë me financimin e projektit “Ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash”.