Arsimi
i lartë në Shqipëri e ka zanafillën në vitin 1946, me Institutin 2-vjecar
Pedagogjik të Tiranës. Universiteti i parë në vend është ai i Tiranës, i cili u
hap në vitin 1957, duke u mbështetur në traditën e mirë të krijuar nga
institutet që funksiononin deri në atë kohë në Tiranë:  instituti pedagogjik, politeknik, ekonomik,
mjekësor, juridik dhe instituti i shkencave.

 

Deri në vitin 1990, sistemi i arsimit, sikurse edhe shumë fusha të tjera, ishte i bazuar në modelin rus, ndërkohë që zhvillimet e reja të viteve ‘90 sollën domosdoshërinë e riorganizimit të tij. Problemet që u shfaqën në këtë kohë nuk ishin të vogla dhe punën e vështirësonte mungesa e një modeli shoqëruar me një plan konkret të hapave që duheshin ndjekur për realizimin e tij.

 

Nisur nga karakteristikat që pati Arsimi i Lartë pas vitit 1991, mund të identifikohen dy periudha kohore: 1992-2003 dhe 2003-2011.

 

Periudha e parë: 1992-2003

 

Gjatë kësaj kohe, filluan shkëmbimet e para të eksperiencave të pedogogëve me vendet perëndimore dhe u krijua një ide më e qartë e stadit ku ndodhej arsimi i lartë dhe se ku ai duhej të shkonte. Gjithsesi, më shumë se sa në krijimin e një modeli po rendej në përkthimin dhe hartmin e teksteve,  për të krijuar mundësinë që shkollat të diplomonin persona të përgatitur për kushtet e reja të zhvillimit të vendit. Në këtë periudhë, filloi të forcohej gjithmonë e më shumë prirja e vjetër për të ndjekur shkollën e lartë, duke rritur presionin për masivizimin e universiteteve. Si pasojë, u hapën disa Institucione të Arsimit të Lartë (IAL) edhe në rrethe të tjera të vendit.

Burimi: Ministria e Arsimit, INSTAT
Përpunimi dhe komentet: Open Data Albania

Numri i studentëve filloi të rritej vit pas viti, por masivizimi nuk ishte kthyer ende në fenomen dhe cilësia nuk ishte vendosur ende në pikëpyetje. Edukimi vazhdonte t’i përkiste “elitës” dhe “elitë” ishin nxënësit më të përgatitur të gjimnazeve, të cilët kalonin testet e vështira të pranimit nëpër fakultete.

 

Periudha e dytë: 2003-2011

 

Periudha e dytë karakterizohet kryesisht nga masivizimi. Nëse do të krahasohej me periudhën e mëparshme, mund të vërehet fare lehtë hovi që mori numri i të regjistruarve nëpër universitete.

Burimi: Ministria e Arsimit, INSTAT
Përpunimi dhe komentet: Open Data Albania

Që në vitin shkollor 2003-2004 bie në sy ritmi rritës më i lartë se në cdo periudhë më të hershme. Në këtë vit u regjistruan 22% më shumë studentë se një vit më parë. Edhe në vitet që pasuan, deri në 2007-n, ritmi ishte i lartë. Në vitet 2007-2008 dhe 2008-2009, rritja ra në nivelet 5% dhe 3%, ndërkohë që viti 2009-2010 shënoi bumin e studentëve që u ulën nëpër auditore. 25% më shumë se sa një vit më parë dhe 3.1 herë më shumë se sa në vitin 1994-1995.  

 

Karakteristika e dytë e kësaj periudhe ishte lindja e universiteteve private. Kërkesës së lartë për edukim dhe pamundësisë së arsimit publik për ta kënaqur atë, fare natyrshëm nisi t’i përgjigjet sektori privat. Në vitin 2003-2004, u hap universiteti i parë privat në vend dhe që prej asaj kohe, numri tyre ka ardhur gjithmonë në rritje.