Privatizimi është procesi i transferimit të pronënsisë së një ndërmarrjeje, agjensie, shërbimi apo aseti publik drejt sektorit privat. Të ardhurat që sigurohen nga ky proces, quhen të ardhura nga privatizimi. Në klasifikimin funksional ndërkombëtar (COFOG – Classification of the Functions of Government), që përdoret në hartimin e tabelës fiskale të Buxhetit të Konsoliduar, këto të ardhura nuk hyjnë në grupin e të Ardhurave Totale të Buxhetit, por trajtohen si financim për Deficitin.


Burimi i të dhënave: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: Open Data Albania

Duke qenë se Shqipëria vjen nga një historik 50-vjecar i mosekzistencës së pronës dhe shërbimit privat, menaxhimi sa më me efektivitet dhe eficence i procesit të privatizimit merr një rëndësi të vecantë. Nga grafiku mund të dallohen dy periudha të rëndësishme kohore:  Periudha e parë, 1993-1999, ku të ardhurat nga privatizimet kanë qenë në një masë shumë të ulët. Ato lidheshin kryesisht me ndërmarrje apo asete të vogla. Dhe periudha e dytë, 2000-2010, gjatë së cilës u mundësua privatizimi i disa shërbimeve shumë të rëndësishme, të cilat deri në atë kohë siguroheshin nga shteti. Në këtë mënyrë, të ardhurat nga privatizimet u shndërruan në një zë të rëndësishëm në përballimin e Deficitit të Buxhetit.

Viti 2000 ishte i pari që shënoi të ardhura të larta nga privatizimet, me 8.9 miliardë lekë, duke financuar 22% të Deficitit. Duhet theksuar se viti 2000 ishte një vit i vështirë për Buxhetin, pasi të Ardhurat Totale të tij ishin më të ulta edhe sesa Shpenzimet Korrente. Kjo do të thotë se jo vetëm investimet janë financuar nga borxhi dhe privatizimet, por edhe një pjesë e shpenzime korrente. Gjithsesi, ky vit shënon gjithashtu edhe privatizimin e parë të rëndësishëm në vend, atë të Bankës Kombëtare Tregtare.

Në vitin 2001, privatizimet u rritën me 43% dhe financuan 30% të Deficitit të atij viti, ndërkohë që dy vitet pasues patën një mesatare shumë të ulët. Viti 2004 shfaqi sërisht të ardhura të larta nga privatizimet. Përvec të tjerave, 2004-a lidhet edhe me privatizimi i ish-Bankës së Kursimeve, e cila mundësoi përballimin e një pjese të deficitit si dhe reduktimin e  borxhit publik. Në vitet 2005 dhe 2006 u rikthye pushimi i procesit, ndërkohë që vetëm në vitin 2007 u realizua privatizimi i shoqërisë Albtelekom. Viti 2008 u pasua me një rënie 58% të të ardhurave të privatizimit. Gjithsesi, ato ishin në një masë të kënaqshme. Ishte tashmë radha e kompanisë ARMO për t’u tranferuar drejt sektorit privat.

Viti 2009 shënon pikën më të lartë të të ardhurave nga privatizimet. Rreth 25 miliardë lekë shërbyen për financimin e deficitit dhe padyshim që shitja e 76% e aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpëndarjes sh.a. ishte ngjarja kryesore e vitit.

Interesant është viti 2010, në të cilin u fol gjatë për privatizimin e godinës së ish-Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë për shumën 30 milionë euro. Megjithatë, në tabelë fiskale faktike për 2010-n, zëri “Të ardhura nga privatizimet” shfaqet me shumën 411 milionë lekë, apo gati 1/10 e vlerës së këtij privatizimi.

Edhe viti 2011 tërheq vëmendjen për parashikmet lidhur me privatizimet. Bazuar në tabelën fiskale të Buxhetit të Konsoliduar, privatizmet për këtë vit duhet të arrijnë në 300 milionë lekë, një shifër kjo shumë modeste krahasuar me vitet e mëparshme. Ndërkohë, në mbledhjen e Task Force, të datës 10 shkurt, pranë Këshillit të Ministrave, u shpall nisma për të përfunduar procesin e privatizimit të 1280 objekteve shtetërore brenda vitit 2011. Në këtë listë përfshihen jo vetëm ndërmarrje shtetërore, por edhe aksionet ende në zotërim të shtetit shqiptar pas privatizimit të tyre. Mund të përmenden aksionet pranë AMC-së, Albtelekomit, ish OSSH-së, etj. Me një përllogaritje të thjeshtë, tërësia e tyre e kalon disa herë shumën prej 300 milionësh të parashikuar për këtë vit.