Në prag të fillimit të ankandeve për shit- jen e 1.280 aseteve me pronësi shtetërore, “Open Data Albania” ka publikuar një studim lidhur me tiparet dhe ecurinë e këtij procesi në vite. Duke qenë se Shqipëria vjen nga një historik 50-vjeçar i mosekzistencës së pronës dhe shërbimit privat, menaxhimi sa më me efektivitet dhe eficencë i procesit të privatizimit merr një rëndësi të veçantë. Por, si paraqitet në kohë të ndryshme ky fenomen?

Nga grafiku, mund të dallohen dy periudha të rëndësishme kohore: periudha e parë, 1993-1999, kur të ardhurat nga privatizimet kanë qenë në një masë shumë të ulët dhe lidheshin, kryesisht, me ndërmarrje apo asete të vogla dhe periudha e dytë, 2000-2010, gjatë së cilës u mundësua privatizimi i disa shërbimeve shumë të rëndësishme, deri edhe strategjike, të cilat, deri në atë kohë, siguroheshin nga shteti. Në këtë mënyrë, të ardhurat nga privatizimet u shndërruan në një zë të rëndësishëm në përballimin e deficitit buxhetor në rritje. Sipas “Open Data Albania“, që u referohet shifrave të ministrisë së Financave, viti 2000 ishte i pari që shënoi të ardhura të larta nga privatizimet, me 8.9 miliardë lekë, duke financuar 22% të deficitit.

Ky vit shënon privatizimin e parë të rëndësishëm në vend, atë të Bankës Kombëtare Tregtare. Në vitin 2001, privatizimet u rritën me 43% dhe financuan 30% të deficitit të atij viti, ndërkohë që dy vitet pasues patën një mesatare shumë të ulët. Viti 2004 shfaqi sërish të ardhura të larta nga privatizimet. Veç të tjerash, 2004-a lidhet edhe me privatizimin i ish-Bankës së Kursimeve (sot Raiffeisen), e cila mundësoi përballimin e një pjese të deficitit, si dhe reduktimin e borxhit publik.

Në vitet 2005 dhe 2006 u rikthye “pushimi” i procesit, ndërkohë që vetëm në vitin 2007 u realizua privatizimi i shoqërisë Albtelekom. Viti 2008 u pasua me një rënie 58% të të ardhurave të privatizimit. Gjithsesi, ato ishin në një masë të kënaqshme. Ishte tashmë radha e kompanisë ARMO për t’u transferuar drejt sektorit privat. Viti 2009 shënon pikën më të lartë të të ardhurave nga privatizimet. Rreth 25 miliardë lekë shërbyen për financimin e deficitit dhe padyshim që shitja e 76% e aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes sh.a. ishte ngjarja kryesore e vitit.