Struktura e konsumit të energjisë elektrike shërben për të identifikuar përdoruesit kryesor të saj. Ai është një tregues që lejon gjykimin mbi shkallën e zhvillimit ekonomiko-industrial të një vendi. Sa më shumë të përdoret energjia nga sektori privat (industri, bujqësi, transport, etj) aq më i zhvilluar është ai. Nga ana tjetër, analiza e strukturës ndihmon në përcaktimin e masave që duhen marrë për përdorimin sa më me efektivitet të energjisë.
Burimi: Raporti vjetor 2009, ERE
Punoi Open Data Albania
Në vendin tonë, përdoruesit kryesor të energjisë elektrike pas vitit 1992 janë familjarët. Deri në këtë vit, fabrikat që funksiononin thithnin pjesën më të madhe të energjisë së prodhuar dhe konsumi familjar përbënte mesatarisht 8%-10% të konsumit total vjetor. Situata ndryshoi pas zhvillimeve të viteve ’90. Fabrikat nisën të pezullonin punën njëra pas tjetrës dhe konsumi familjar po fitonte terren. Shtimi i madh i pajisjeve elektro-shtëpiake, ulja e ndërprerjeve dhe akoma më tej humbjet jo-teknike bën që për periudhën në vijim konsumi nga familjarët të zinte peshën më të madhe në konsumin total. Për vitet 1992-1999 ajo ka qenë mesatarisht 56% dhe në vitet 2000-2009, 48%.
Duke qenë se pjesën më të madhe të energjisë së faturuar e përbëjnë familjet, menaxhimi i arkëtimeve dhe humbjeve jo teknike nga OSSH merr një rëndësi të vecantë në përmirësimin e treguesve financiar. Tipar karakteristik i konsumit të energjisë nga familjet në vendin tonë është përdorimi i saj për ngrohje. Kjo vërtetohet nëse studiohet profili vjetor i përdorimit të energjisë, në të cilën shikohet se ka një lidhje simetrike midis ftohjes së motit dhe rritjes së përdorimit të energjisë.
Burimi: Raporti vjetor 2009, ERE
Punoi: Open Data Albania
Përdorimi i energjisë për ngrohje është një përdorim jo eficient i saj. Për këtë arsye, rritja e cmimeve është parë si një nismë për zvogëlimin e përdorimit të energjisë në mënyrë jo eficiente. Problemi qëndron se për sa kohë të ekzistojnë humbjet joteknike, pra vjedhjet, dhe fatura të papaguara rritja e cmimit është një masë që “godet” vetëm konsumatorët e rregullt. Pjesa që nuk paguan, nuk e përballon këtë kosto të rritjes së cmimit. Ajo është krejt indiferente kundrejt saj dhe në shumicën e rasteve e shpërdoron energjinë. Për këtë arsye, problemet që sjell kjo shtresë konsumatorësh ka të bëjë jo vetëm me mos pagesën, por edhe me përdorimin pa kriter të energjisë.
Nga grafiku bie në sy edhe një përdorim shumë i lartë i energjisë edhe në muajt korrik-gusht, që lidhet me pajisjet klimatizuese.
Megjithatë, vitet 2008 dhe 2009 shënojnë një prirje pozitive lidhur me eficencën e përdorimit të energjisë nga konsumatorët. Pavarësisht rritjes së burimeve në dispozicion, përdorimi nga familjet ka ardhur në zbritje. Kjo do të thotë se energjia po përdoret gjithmonë e më shumë nga bizneset. Por, duke qenë se numri më i madh i klientëve dhe faturimi i energjisë përbëhet nga energjia e shpërndarë në Tension të Ulët, atëherë mund të thuhet se Shqipëria është ende larg përcaktimit si një vend i industrializuar apo me shumë biznese të mesme dhe të mëdha.
Kontribuoi: Blerta Zilja